Gjermania dhe Franca me një shqetësim të përbashkët: Ka shumë shqiptarë që kërkojnë azil

Përfaqësuesit e dy vendeve më të mëdha të Bashkimit Europian, ambasadorja e Francës në Tiranë, Christine Moro dhe ambasadori i Gjermanisë, Hoffman u janë rikthyer temës së azilkërkuesve shqiptarë në vendet e tyre. Moro ka qenë në Shkodër në një takim me studentët e universitetit “Luigj Gurakuqi” ku edhe ka përcjellë merakun e madh të Parisit zyrtar që duket se është mbytur nga kërkesat e shqiptarëve. Dhe Moro ka dhënë qëndrimin e prerë: “Ka një rritje të numrit të azilkërkuesve. Nuk e kuptojmë pse. Shqipëria ka probleme ekonomike dhe jo për të drejtat e njeriut. Kush kërkon azil politik nuk e merr”, raporton “Shqiptarja.com”. Kurse Hoffman ka përkëdhelur si të thuash sedrën e shqiptarëve, për peshën e tyre, teksa ka deklaruar po sot se “azilkërkuesit nga Shqipëria janë shqetësim për Gjermaninë”. Sipas tij, gjakmarrja ka rol në këtë drejtim, por ky sigurisht është problem i Shqipërisë. Azilkërkimi është tashmë avaz i vjetër, qëkurse Shqipëria përfitoi të drejtën e liberalizimit të lëvizjes. Por shqetësime të tilla nuk vijnë nga vende si Greqia apo Italia ku ka me qindra-mijëra emigrantë shqiptarë, e ku tregu i punës është më i cenueshëm nga këta të fundit për shkak se pranon edhe punë të pakualifikuar. Ndërkohë që shqetësimi për përmbysje të balancave në tregun e punës në vendet kryesore të BE-së, nuk qëndron dhe aq, pasi jo vetëm ka kërkesa të tjera, por edhe numri i shqiptarëve nuk ka të dhëna të jetë kaq me peshë. Ndaj nuk mund të mos shihet në këtë qëndrim një paralajmërim eventual për kufizim të lëvizjes në të ardhmen. Një gjë është e sigurtë: nuk ka popull më të keqtrajtuar në këto 23 vjet kur vjen puna me emigrimin. Dhe të mendosh që shqiptarët nuk bartin me vete elementë sfidues për komunitetet pritëse, elementë që mund të koagulojnë njësi paralele kulturore apo të vështira për t’u tretur. Përkundrazi, shqiptarët mund të jenë ndër komunitetet që kanë prirje ekstreme për t’u përshtatur dhe integruar, duke investuar edhe në shkollim, ndaj ky merak nuk mund të analizohet në terma ekonomikë apo socialë. Mbetet vetëm politika, që po konverton edhe brenda Shqipërisë klishe gjykimi për emigrantët, apo për kurbetçinjtë, term ky të cilin së fundmi, edhe ambasadorët mund të kenë interes ta përvetësojnë.
s.z
Add new comment