Gazetari Carlo Bollino i kundërpërgjigjet ish-kryeministrit Berisha: “Doktor më vjen keq, por më ngatërroni me Sandrin”

Postuar në 22 Shkurt, 2015 13:02

Gazetari dhe botuesi Carlo Bollino, i ka kthyer përgjigje ish-kryeministrit Sali Berisha për shkrimin e botuar prej këtij të fundit në “facebook” një ditë më parë. Berisha akuzonte se kryeministri aktual po ndan me botuesin fonde publike.

Shkrimi i Berishës: https://www.facebook.com/SaliBerisha/posts/420564554771124:0\

Në përgjigje të akuzave të ish-kryeministrit, në “shqiptarja.com” Bollino ka publikuar përgjigjen e tij ku përtej replikës, nuk kursen as ironinë. Në fillim të shkrimit, gazetari italian kujton njohjen e hershme që ka me Berishën dhe marrëdhëniet që ka pasur me të.

“Doktori më njeh prej shumë vitesh, që nga viti 1993, kur duke mos e  pranuar idenë se përballë kishte një gazetar të lirë (e mbi të gjitha Italian), filloi t’u jepte urdhër gazetarëve të tij-killera të gërrmonin në jetën time për të gjetur ndonjë gjë të pisët, dhe kur ata u kthyen me duar bosh, ai doli në përfundimin se nuk ishte shumë e rëndësishme të thuhej e vërteta. Kështu, ata nisën një fushatë shpifjesh ndaj meje dhe familjes sime duke shkruar çdo gjë. Doktori nuk u tha kurrë të reshtnin, e në këtë mënyrë, disa prej tyre, si mushka besnike që përsërisin në infinit atë që kanë mësuar në rini, vazhdojnë ta bëjnë edhe sot: të njëjtat akuza qesharake edhe pas 20 vjetësh. Mafioz, i korruptuar, kriminel etj. etj. :-) …Nëse kërkoj në ditarin e memories sime, datën e takimit tonë e gjej në vitin 1990 dhe kështu zbuloj se ju më njihni prej 25 vjetësh. E megjithatë sot kuptoj, pasi lexoj ato që shkruani, se më ngatërroni me Sandrin” shkruan Bollino.

Më tej, ai thotë se nuk është ai që ka përfituar “miliona euro nga reklamat shtetërore, tender, rrugë, licenca, falë mbështetjes (ose më mirë bashkëpunimit) të kryeministrit” dhe se nuk është ai që ka “pushtuar ilegalisht me mbështetjen e qeverisë dy të tretat e sipërfaqes së Kinostudios , duke shkelur të drejtat e ish-pronarëve dhe duke mos i paguar asnjë qindarkë shtetit”. Ndërsa vijon serinë e krahasimeve, Bollino i referohet një fushate të mëparshme të ministrisë së Shëndetësisë për të cilën ka marrë edhe akuza publike. “Në fushatën e vetme të bërë nga qeveria Rama në vitin 2014 (ajo e ministrisë së Shëndetësisë) e që kushtoi 500 mijë euro, i gjithë grupi im editorial mori më pak se 5000 euro reklamë. Kjo ju mjafton për të kuptuar që unë nuk jam Sandri?” i drejtohet Bollino ish kryeministrit.

Shkrimi i plotë i Bollinos: http://shqiptarja.com/home/1/bollino-doktor-m--vjen-keq-por-m--ngat-rroni-me-sandrin-274535.html

n.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.