Foto-stuhia e quan Vehbiu futjen e fotos në debatin politik. Por ka një paralajmërim

Kohë të vrullshme për fotografinë në Shqipëri - shkruan me nota të lehta ironie Ardian Vehbiu në blogun e tij Peizazhe të Fjalës dhe e quan "luftën" me foto të ditëve të fundit, foto-stuhia. Shkruan Vehbiu: "Teksa kryeministri i ri Rama viziton kryeqendrën e perandorisë dhe nuk e humbet rastin për foto të rëndësishme, mes të cilave edhe ajo me Bonon e U2 (që s’e kisha përfytyruar dot kurrë kaq të shkurtër sa këtë herë), mediat elektronike të Tiranës botojnë foto pas fotosh të ndërtesave institucionale, dikur të banuara nga administrata Berisha. Ndërkohë, një ministër – Erion Veliaj – thërret fotografët për t’ia dokumentuar publikisht një gjest të vetin të paktën sentimental: shoqërimin në spital të një fëmije rom të lënduar. E gjithë kjo, ende pa u shpërndarë tymnaja e shkëmbimeve të fundit simbologjike, për ikonën që do të hijeshojë tash e tutje zyrat e administratës: Presidentin e tanishëm të Republikës Nishani, apo Kryeministrin e parë të Republikës Ismail Qemali? Nëse ka ndonjë lidhje mes kësaj foto-stuhie, dhe marrëdhënies së mirënjohur të kryeministrit Rama me artet pamore, këtë ende nuk e themi dot; sikurse nuk themi dot nëse në kontekstin e tanishëm një foto vërtet vlen 1,000 fjalë..."
Vehbiu mendon që publiku në Shqipëri ende nuk është mësuar t’i lexojë fotot me sy kritik dhe paralajmeron se "nëse fotografia vjen e imponohet tani si armë e vijës së parë në betejat politike, atëherë publiku bën mirë të jetë gati, për t’i përdorur dhe konsumuar imazhet fotografike në bazë të kodeve me të cilat kryhet komunikimi në mediat".
Çfarë do të thotë kjo? Vehbiu shpjegon: "Sado transparente të jetë, sado e vetvetishme, sado e paskriptuar, fotoja gjithnjë ngrihet si perde, midis dy palë syve: atyre që e kanë parë (dhe nxjerrë) dhe atyre që e shohin. Përndryshe, dëshmia e kujt ka qenë atje është aq e vërtetë, sa edhe profili etik i dëshmitarit..." a.n.
http://xhaxhai.wordpress.com/2013/09/24/shkreptima-kamerash/
Add new comment