Fondi 3 për qind/ Mustafa: Askush s’ka garantuar kthimin e parave. Haradinaj sulmon kryeministrin për keqpërdorime të bonove

“Koha.net” shkruan se Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se ata nuk mund të ndikojnë se me cilat çështje do të merret Gjykata Speciale, e cila dihet se do t’i shqyrtojë dyshimet e ngritura nga raporti i Dick Martyt. Mustafa duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Donika Kada Bujupi, e cila tha se ai po mundohet të ndikojë që Gjykata të mos shqyrtojë çështjen e Fondit të tre përqindshit, sipas të cilës ka pasur keqpërdorime të mjeteve të bashkatdhetarëve, tha se asnjë negocim i Qeverisë së Kosovës nuk ka me gjykatën, sepse ajo nuk është themeluar akoma dhe dihet se do të shqyrtojë raportin e Dick Martyt dhe askush nuk mund të shtojë ose të heq çështjet që do të shqyrtojë kjo gjykatë. Duke folur për transparencën se ku janë mjetet e 3 %, Mustafa tha se ato janë mjete që janë mbledhur për pavarësinë e Kosovës dhe askush nuk ka garantuar që do t’i kthehen ato mjete, kurse transparenca i është dhënë Kuvendit të atëhershëm.
Ndërkohë Ramush Haradinaj sulmoi Isa Mustafën për keqpërdorime në Fondin e 3 përqindëshit Gazeta “Express” shkruan se lideri i AAK’së Ramush Haradinaj ka kërkuar llogari nga kryeministri Isa Mustafa për për këtë Fond. Sipas Haradinajt, deklarimi i Mustafës se nuk ka obligim ligjor për të rikthyer paratë është papërgjegjësi morale, politike e ligjore ndaj qytetarëve dhe diasporës. Në një deklaratë të Haradinajt thuhet: “Z. kryeministër, nëse asnjë qeveri e as ti nuk keni obligim ndaj Bonove të 3 përqindshit, pse i lëshuat ato pa garancion? Pse e mashtruat qytetarin duke lëshuar bono të pavlera? Dihet që funksioni i bonos është këmbimi obligativ i parave të gatshme me diçka me vlerë të garantuar. Ndërsa ju sot deklaroni në Kuvend se nuk keni obligim ligjor t'i riktheni paratë, e edhe më keq, e krahasoni pamundësinë e kthimit të mjeteve financiare me pamundësinë e rikthimit të atyre që humbën jetën për liri. Kjo deklaratë është papërgjegjësi morale, politike e ligjore ndaj qytetarëve të Kosovës dhe diasporës, që kontribuan pa kushte për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Add new comment