FMN: “Duam të diskutojmë me qeverinë si t’i trajtojmë përjashtimet nga taksat. Shqipëria ka eficencën tatimore më të dobët në rajon”

Jens Reinke, përfaqësuesi i FMN-së në Tiranë, ka deklaruar për Top-Channel, se rënia e të ardhurave është edhe më e madhe nga sa pritej. “Performanca e të ardhurave në buxhet ishte zhgënjyese. Ndoshta, jo e gjitha në mënyrë surprizë. Paraprakisht, ne ishim në dijeni të disa faktorëve që do të kishin efekte negative tek të ardhurat, mes tyre çmimi i ulët i naftës, i cili godet akcizën, TVSH-në dhe rentën. Gjithashtu, importi më i ulët i cigareve, por mbi të gjitha edhe inflacioni relativisht i ulët kanë ndikuar në këtë rezultat. Por, thënë këtë, këta faktorë nuk e shpjegojnë të gjithë rënien e të ardhurave, pasi ajo është më e lartë se këto efekte”, tha Reinke. Ai ka paralajmëruar atë që përflitet prej kohësh, rritjen e taksave, sa kohë që si faktorë që kanë çuar në këtë rënie, FMN vlerëson disa politika të qeverisë. “Është ende herët për të dhënë konkluzione, e përsëris, por ndoshta është me vend të kujtojmë që vitin e kaluar qeveria bëri një sërë përjashtimesh nga taksat për disa sektorë të ndryshëm. Edhe pse në mënyrë individuale, këto përjashtime duken të vogla dhe nuk kanë efekt të madh në buxhet, ato kanë filluar të minojnë integritetin e sistemit tatimor, ndaj ne duam të diskutojmë me qeverinë se si t’i trajtojmë këto përjashtime taksash në të ardhmen”, shpjegoi Reinke. Probleme paraqiten edhe me shpenzimet, të cilat edhe vitin e kaluar nuk u realizuan. “Para së gjithash, mund të them që edhe shpenzimet janë më të ulëta se plani. Ndaj, në këtë drejtim nuk përballemi ende me ndonjë rrezik për rritje dramatike të deficitit. Pra, targeti i deficitit mund të arrihet, edhe pse mosrealizimi i të ardhurave dhe ai i shpenzimeve nuk është rezultati më i mirë për ta bërë këtë. Përtej kësaj, ne kemi parë që Shqipëria ka një eficencë tatimore të dobët edhe nëse krahasohet me vendet e rajonit. Kështu që, fokusi kryesor do të ishte përmirësimi i mbledhjes së taksave dhe rritja e eficencës”, tha Reinke.
s.z
Add new comment