Fleckenstein takon përfaqësuesit e qeverisë dhe opozitës: Raporteri i PE: Hartimi i ligjeve, punë më e lehtë se zbatimi

Gjatë një takimi me Ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, reporteri i PE-së, Knut Fleckenstein është shprehur se “hartimi i ligjeve është puna më e lehtë në krahasim me përpjekjet që duhen bërë për zbatimin e ligjit”. Fleckenstain është duke zhvilluar takime këto ditë në Tiranë me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës, para se të përgatisë Raportin për reformat në Shqipëri. Burimet zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë njoftuan se ai ka shprehur interes edhe për funksionimin dhe rolin e portalit online “Stop Korrupsionit në Drejtësi”, ndërsa ka vlerësuar rolin e përfshirjes së një gjenerate të re juristës, që do t’i jepte një frymë të re sistemit. Bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi çështje që prekin funksionimin dhe rolin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa Ministri Naço bëri prezente ndryshimet ligjore të realizuara si nevojë urgjente e kthimit të këtij institucioni në funksion real, duke e vënë theksin në krijimin e një sistemi efektiv të vlerësimit të punës së gjyqtarëve, por dhe për ndryshimin e përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të KLD-së.
Ndërkohë, po sot dy përfaqësues të PD-së, Majlinda Bregu dhe Aldo Bumçi, janë takuar me eurodeputetin Fleckenstein, për ta informuar mbi zhvillimet politike në kuadrin e raportit që do të përgatisë për Shqipërisë e do të prezantohet brenda muajit shkurt. Bregu tha për mediat se kemi diskutuar për pikat që do të jenë pjesë e raportit. Në fokus kemi pasur të drejtat e njeriut.
l.v
Add new comment