F. Ismaili “më i zoti” se Vangjush Dako, që nuk është as në lartësinë e premtimit e të Eduart Shalsit. Sikleti i LSI-së me listat në Vorë dhe një absurd i ligjit

LSI-ja “çuditërisht” duket se është në siklet të madh për situatën e krijuar në Vorë. Një ditë pasi deputeti Astrit Patozi denoncoi problemet në këtë njësi, duke u ndalur te presioni shtetëror ndaj kandidatit të opozitës, Fiqiri Ismaili, përfshirja e policisë në fushatë, kombinimi i veprimeve të saj me njerëz me rekord kriminale, ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i LSI-, Luan Rama. Ku e orienton akuzën e vet zyrtari i LSI-së? As te gjendja e rënduar në njësi, as te implikimi i policisë që nuk e përgënjeshtron, as te incidentet e pretenduara, por te listat e zgjedhësve dhe te manovrat e Fiqiri Ismailit. Ja se çfarë thotë L. Rama: “...E gjej me vend t’ju bëj me dije se në bashkinë e Vorës janë rregjistruar qindra qytetarë që nuk janë votues në Vorë, por që janë rregjistruar vetëm për të votuar në favor të kryetarit aktual të bashkisë së Vorës Fiqiri Ismaili, që është edhe kandidati i Partisë Demokratike për këtë bashki. Vetëm një noter që quhet Shaban Gjoka, mik i kryetarit të bashkisë së Vorës, ka lidhur rreth 500 kontrata qiraje midis personave të ndryshëm, qytetarë me banim në bashkinë e Vorës në cilësinë e qiradhënësit, me qytetarë nga bashki të tjera të vendit në cilësinë e qiramarrësit. Pas këtij veprimi, noteri Shaban Gjoka ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm ligjor që këta shtetas të merrnin lejen e banimit në bashkinë e Vorës”, thotë ai. Mirëpo ku qëndron shkelja e ligjit këtu? Nëse i referohemi Kodit Zgjedhor, aty sanksionohet shumë qartë procedura e ndryshimit të listës së zgjedhësve, që nga nisja e procesit të hartimit të tyre, i cili, në planin metodik mbikëqyret nga njësia vendore, ministria e linjës, dhe KQZ. Vetë Luan Rama nuk pranon ta quajë këtë zhvendosje të votuesve si shkelje ligji, por të aludojë se aty po ndodh diçka e papranueshme. Dhe për këtë, nga 500 raste të pretenduara, sjell...2 denoncime. “Dy qytetarë, Daut Tafa nga fshati Karbunarë, Lushnje dhe Shpëtim Bashalli nga fshati Lin i Pogradecit, emrat e të cilëve gjenden ne listat e votuesve të Vorës kane denoncuar publikisht në një televizion të pavarur se nuk kanë asnjë dijeni që kanë marrë shtëpi me qira në Vorë dhe që nuk kanë asnjë dijeni që figurojnë të rregjistruar ne listat e votuesve në bashkinë e Vorës. Madje ata kanë dëshmuar që as nuk e njohin noterin Shaban Gjoka, ç’ka nënkupton se aktet noteriale janë bërë pa praninë e palëve, gjë që përbën një shkelje flagrante të ligjit. A e di zoti Patozi këtë fakt? A ka dijeni apo jo zoti Patozi për aktet noteriale te noterit Shaban Gjoka, pasojë e të cilave është fallsifikimi i listave të zgjedhësve nuk di ta them, por jam i prirur të mendoj se po ta dinte, do ta kishte shënuar si fakt në letrën e vet të hapur…”, vijon Rama. Të gjitha këtyre akuzave dhe hamendësimeve do të duhet t’u jepte drejtim procedimi i prokurorisë, që siç u mor vesh sot nuk ka nisur. Kjo sepse “policia nuk ka referuar asnjë material”, siç u pretendua më herët. Për të kuptuar natyrën e kësaj manovre, që gjithsesi e deformon procesin, por jo detyrimisht në kundërshtim me ligjin, mjafton një krahasim me Durrësin. Edhe aty, njësoj si në Vorë ishin lidhur kontrat qeraje për qindra shtetas, por në ndryshim nga Vora, auditët e KQZ-së e kishin referuar si problematik rastin. Kjo pasi në Bashkinë e drejtuar nga Vangjush Dako, nuk ishin treguar dot as në lartësinë e premtimeve të Eduart Shalsit dikur, që pa dashje tha se “ne do vjedhim me stil”. Kështu kontratat e qerasë kishin përcaktuar si mjedise për qeradhënie objekte dikur shtetërore, tani të privatizuar. Dako, apo më saktë njerëzit e tij jepnin me qera objekte kuturu, ndërkohë që kurrkush nuk dinte çfarë po bëhej. Nga 600 fletëthirrje, janë pyetur 60 banorë të zonës së Plazhit, që as nuk dinin se banesat e tyre ishin dhënë me qera(http://www.balkanweb.com/site/prokuroria-heton-listat-e-zgje...). Të kujtojmë që Dako premton Rilindjen e Durrësit.
Dhe në bazë të hetimeve u arrit në sekuestrim të listës së zgjedhësve dhe në kërkesë të Prokurorisë drejtuar KQZ-së për pastrim të listës nga 2800 emra. Pra, kemi të njëjtën manovër, por me ustallarë të ndryshëm.
Në këto kushte praktike dhe në kushtet kur ligji nuk lejon ndryshim liste pas shpalljes së tyre, ajo çfarë thotë sot LSI për listat është juridikisht nul, pra të rrahësh ujë në hava. Do të duhet të jetë vetëm organi i akuzës, në bazë të dyshimeve të besueshme që të ndërhyjë.
Së fundmi do shtuar se janë partitë shqiptare që hartojnë kodin në këtë mënyrë dhe pastaj ankohen. Absurdi arrin deri në formulime të pabesueshme, siç është pika 2 e nenit 57, ndryshuar në vitin 2012, e cila përcakton tekstualisht: “ Në rast se zgjedhësi ndryshon vendbanimin pas shpalljes së listës së zgjedhësve, lista nuk ndryshon dhe zgjedhësi voton në qendrën e votimit ku ka emrin në listën e miratuar. Në rast se zgjedhësi paraqet kërkesë në gjykatë në kushtet e kësaj pike, kërkesa rrëzohet”. Pra nëse këto pretendime që thonë partitë shqiptare janë të vërteta, pra nëse teorikisht, secilit prej nesh i është transferuar emri pa dijeni në një qendër votimi iks, se kështu do Vangjush Dako, apo Fiqiri Isamili dhe mandej kërkon të bëjë korrigjimin e kësaj dredhie, Kodi Zgjedhor e mohon këtë të drejtë. Dhe për më tepër i përcakton Gjykatës se çfarë duhet të vendosë me kërkesën, i lë asaj vetëm një opsion: ta rrëzojë!!! Këtu ndoshta qëndron edhe veçantia e Shqipërisë.
s.z

Add new comment