Eurozona/Ndryshe nga disa përfaqësues gjermanë, ekonomistë amerikanë mendojnë se dalja e Greqisë do të sillte një situatë si ajo e “Lehman Brothers”

Para disa ditësh një nga zyrtarët më të lartë të partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, deklaronte se dalja e Greqisë nga Eurozona nuk ka më ndikimin e mëparshëm. Madje Michael Fuchs apelonte që vendet e Eurozonës të mos mendonin për të ndihmuar më Greqinë, nëse klasa politike e kësaj të fundit, do të heqë dorë nga kursi i reformave dhe masave të vendosura deri më tani(http://www.reuters.com/article/2014/12/31/us-eurozone-greece...). Dhe nëse ka një gjë që është kuptuar fare thjesht nga kriza në Eurozonë, është fakti se prej saj fiton vetëm një vend: Gjermania. Në këtë kuptim pyetja që shtrohet është nëse euro është një projekt i mirë për të gjithë Europën? Nuk mendojnë kështu ekonomistët amerikanë, disa prej tyre të paktën, sipas të cilëve nuk ka asnjë masë që të mund të rikthejë rritjen në Eurozonë. Madje sipas një prej ish-drejtuesve të FMN-së, Keneth Rogoff “euro është një fatkeqesi historike”, por ka shtuar se “kjo nuk do të thotë se është e lehtë që t’i japësh fund”. Teksa konstatohet kjo gjë, analiza e tyre shkon në linjën se për rastin e Greqisë, pra në rastin e daljes së saj nga euro, Eurozona do të përballej me një situatë si ajo e krijuar me “Lehman Brothers”. “Kjo do të çonte në spekullimin se kush e ka radhën”, tha Barry Eichengreen, një historian i ekonomisë në universitetin e Berkleyt. Çështja e Greqisë dhe e Eurozonës është diskutuar në takimin vjetor të Bashkimit Ekonomik Amerikan, duke shtuar se në çdo rast “mbajtja eurozonës është më pak e kushtueshme sesa dizintegrimi i saj”. Për Martin Feldstein të universitetit të Harvardit një zgjidhje për euron do të ishte ndjekja e politikave fiskale të mëvetshme nga shtetet anëtare dhe ulje taksash për 5 vitet e ardhshme. Greqia dhe sidomos zgjedhjet e saj të 25 janarit vijnë në vëmendje si një zhvillim që mund të kenë pasoja themelore për Europën, kështu siç e shohim. Dhe me gjasë do të ishte mirë që edhe qeveria shqiptare të kishte një analizë të vetën për ndikimin që mund të ketë kjo situatë në Shqipëri.
http://www.marketwatch.com/story/greek-euro-exit-would-be-le...
s.z
Add new comment