Eksodi i kosovarëve dhe disa enigma për mosreagimin e institucioneve. “A mos vallë janë të përfshirë edhe ato”, ngre dyshimin A. Kelmendi

Ikja e kosovarëve po krijon një bindje se diçka është e organizuar dhe se ky nuk është një eksod spontan. Adriatik Kelmendi, që shkruan sot në “Koha Ditore” nënvizon paraprakisht se situata e një shumice qytetarësh është e dëshpëruar, por ikja masive, sipas tij, ka një dorë që e organizon. “Dikush këtu, nën sytë e të gjithëve, është duke bërë një mashtrim të madh dhe të tmerrshëm. Përndryshe nuk ka se si shpjegohet që familjet me fëmijë të vegjël ia kanë mësyrë të ikin nëpër dimër e borë, me temperatura edhe nën zero, duke rrezikuar shëndetin e fëmijëve”, thotë Kelmendi. Po si mund të mashtrohen me mijëra qytetarë, kur përveç thirrjeve dhe apelit nga Gjermania, dihet se mashtrimi ka për natyrë që vetëdenoncohet në kontekstin e ngjarjeve të përsëritura? Kelmendi shtron disa pyetje që vetëm sa shtojnë klimën e rënduar të një konspiracioni. “Si është e mundur që njerëz, të cilët përtej çdo dyshimi të bazuar, po ndërmarrin një veprim që është ndesh me ligjin, siç është kalimi ilegal i kufijve ndërshtetërorë, dhe shumica prej tyre nisen hapur nga Stacioni i autobusëve në Prishtinë?! Si është e mundur që, përveç një rezolute të propozuar nga opozita në Kuvend, nuk ka ende ndonjë veprim e vendim konkret të institucioneve të vendit të përballen me këtë fenomen?! Si është e mundur që aq lehtësisht dhe nën vëzhgimin e policëve serbë dhe hungarezë të kalohet kufiri pa dokumente valide?! Si është e mundur që trafikantët të bashkëpunojnë me dy policitë dhe askush të mos i arrestojë ata?! Si është e mundur që nuk ka asnjë këshill të emergjencës të krijuar nga institucionet e Kosovës për të adresuar ikjen e dhjetëra e mijëra qytetarëve të vet në mënyrë ilegale nga vendi?! Nëse s’po shohim të ndodhë asnjë nga këto, një tjetër pyetje mbetet pezull pa përgjigje: A mos janë edhe vetë të përfshirë?!”, shkruan ai.
s.z
Add new comment