Edhe celulari i kancelares gjermane mund të jetë përgjuar nga shërbimet e fshehta amerikane

Çështja ka potencial të fortë shpërthyes në raportin gjermano-amerikan. Qeveria gjermane ka marrë informacione, sipas të cilave celulari i Kancelares ka të ngjarë të jetë përgjuar nga shërbimet e fshehta amerikane, deklaroi zëdhënësi i Merkelit Steffen Seibert, të mërkurën në mbrëmje (23.10.) në Berlin. Kancelarja ka telefonuar për këtë arsye Presidentin e SHBA-së Barack Obama dhe ka kërkuar një zbardhje të plotë dhe të shpejtë të çështjes.
"Kancelarja bëri të qartë se praktika të tilla, nëse sinjalizimet do të rezultojnë të vërteta, i refuzon qartë dhe i sheh si krejtësisht të papranueshme." Mes miqve dhe partnerëve të ngushtë nuk mund të ketë një survejim të tillë të komunikimeve të një kryetari qeverie. "Kjo do të ishte një thyerje e rëndë besimi. Praktika të tilla duhet të ndalen menjëherë", deklaroi Seibert.
Obama, i cili në plan ndërkombëtar ndodhet nën trysni të fortë për shkak të skandalit të përgjimeve të NSA-s, e siguroi kancelaren Merkel përmes zëdhënësit të tij Jay Carney se SHBA nuk e survejon komunikimin e saj dhe nuk do ta bëjë këtë as në të ardhmen. Por nëse shërbimet e fshehta në SHBA e kanë përgjuar në të kaluarën telefonin e Merkelit, nuk u sqarua nga deklarata e Shtëpisë së Bardhë.
Pas skandalit të përgjimeve të NSA-s pritet që SHBA të përmbushë premtimin e saj për një marrëveshje "No Spy" dhe një kodi sjelljeje në raport me aleatët. a.n.
Add new comment