E majtë në letër. Edhe kreu i PD-së kërkon nga qeveria të...përmbushë premtimet. Opinionisti Bushati: “Në PS nuk ka sensibilitet prej të majte"

Postuar në 26 Janar, 2015 09:57

Fitorja e Alexis Tsipras në Greqi ka përcjellë jehonë pozitive edhe në Shqipëri, ku si rrallë ndonjëherë, po diskutohet gjerësisht ardhja në pushtet e të majtëve radikalë. Dhe më tej akoma, ka përpjekje për të parë të përvoja greke një mundësi për eksperimentim edhe në Shqipëri. Në thelb mesazhi më i mirë që vjen nga zgjedhjet e fundit greke është se angazhimi sjell gjithnjë produkt, sidomos përballë një klase politike që ka konsumuar veten. Rasti është edhe në Shqipëri dhe kjo mund të lexohet edhe me një vëzhgim fare sipërfaqësor. P.sh opozita testoi sot veten me një protestë kundër çmimit të karburanteve dhe të energjisë elektrike. Kjo është një qasje e majtë në përgjithësi, por sidoqoftë e përshtatur në kushtet shqiptare, mund të përftohet si politikë e arsyes. Çfarë bën më shumë përshtypje është apeli i kryetarit të PD-së që i kërkon kryeministrit “të zbatojë premtimet elektorale”. Pra të vendosë drejtësi sociale, jo duke ndryshuar politika, por duke zbatuar ato që i ka shpallur si kredo elektorale. Të njëjtin mendim përcjell edhe opinionisti Andi Bushati që shkruan sot ndër të tjera se: “Rasti i fushatës të denjë prej të djathte ekstreme, për pagimin e energjisë, e nxjerr zbuluar “solidaritetin” elektoral të Ramës për t'u dhënë dinjitet edhe atyre që nuk kanë të paguajnë. Ai është shembulli më i mirë se tek socialistët e sotëm nuk ka mbetur asnjë fije sensibiliteti prej të majte reale”. Thënë ndryshe mesazhi që vjen është se na duhen politika të majta dhe jo sigla të majta. Ky vakuum mund të rezultojë gërryes dhe rasti i PASOK-ut do të duhet të kuptohet ashtu siç duhet. Shqipëria nuk është më ajo e 1996-ës gjithsesi.
s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.