Dy pistat se nga vinte dhe si shpërndahej droga e Elbasanit.

E ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, Anila Hoxha, gazetare e “Top Channel” solli detaje mbi hetimet dhe zbulimin e laboratorit të kokainës në Elbasan, i konsideruar si më i madhi në Ballkan. Hoxha u shpreh se në 6 akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda mungon akuza e “drejtimit të grupit të strukturuar kriminal”, pasi sipas burimeve kemi një tjetër person të shpallur në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Anila Hoxha foli edhe për versionet se nga vinte dhe si shpërndahej droga që përpunohej në Xibrakë të Elbasanit. “Kemi një version që droga vinte nga vendet e Amerikës Latine ku përpunohej në vendin tonë. Nga vëzhgimet ambientale dyshohet se kjo sasi droge do të trafikohej nëpërmjet Portit të Durrësit në Itali me destinacion Gjermaninë. Duhet të kemi parasysh që edhe operacioni është zhvilluar pas një letër-porosie të dërguar nga Prokuroria e Hanoverit. Kemi edhe një version tjetër, i cili është jo zyrtar dhe flet për një linjë të trafikut të drogës nga Turqia drejt Bullgarisë për të shkuar më tej në Maqedoni dhe më pas në Elbasan, ku droga përpunohej nga dy kolumbianët dhe më pas nëpërmjet Italisë shkonte në Gjermani”, tha gazetarja. I pyetur nga drejtuesi i emisionit Pandi Gjata nëse ka një version përfundimtar se kur kanë nisur hetimet sepse ka disa variante dhe mospërputhje midis tyre, Anila Hoxha iu përgjigj: “Pavarësisht që ky ishte një superoperacion, duket se edhe këtë herë Prokuroria dhe Policia nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët. Referuar dy deklaratave zyrtare të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, duket se ato kanë një mosmarrëveshje për datën se kur kanë nisur hetimet, vëzhgimet në lidhje me këtë grup kriminal”.
l.v
Add new comment