Doshi: Nuk kam bërë kallëzim të rremë dhe nuk kam kanosur njeri, problemi më i madh është Prokurori i Përgjithshëm

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, është mbledhur prej pasdites në orën 17:00 për të shqyrtuar kërkesën Prokurorisë së Përgjithshme për t’i hapur rrugë arrestimit të deputetit Tom Doshi dhe Mark Frroku. I pari që ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit ishte deputeti Tom Doshi rreth orës 17:05 dhe në orën 17:37 ka mbërritur deputeti Mark Frroku, i cili edhe pse hyri i fundit doli i pari duke qëndruar jo më shumë se 17 minuta. Pas tij ka dale dhe Tom Doshi. “Unë nuk kam bërë kallëzim prandaj nuk ka kallëzim të rreme. Të treja akuzat nuk qëndrojnë. Problemi më i madh këtu është Prokurori i Përgjithshëm. Unë e kam informuar dhe ai nuk ka bërë asgjë për këtë punë. Ka edhe arrestime politike, çfarë nuk pret,” tha Doshi. Këshilli i Mandateve është njohur me argumentet e dy deputetëve. Ndërkaq drejtimi i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk do të bëhet nga Ilir Meta, por nga nënkryetari i Kuvendit vangjel Dule. Anëtarët e Këshillit janë: Fatmir Xhafa, Vasilika Hysi, Namik Dokle, Arben Ristani, Eduard Halimi, Kastriot Islami.
Add new comment