Digitalb apo Shqipëri në uniformat e Kombëtares? Një debat që nuk duhet të ekzistonte (Video)

Në emisionin “Opinion” të ditës së hënë në Tv Klan u diskutua ecuria e kombëtares në eliminatoret e Euro 2016, nisur dhe nga fitorja me Armeninë të dielën në “Elbasan Arena”. Të ftuar në këtë debat ishin gazetarë, komentatorë, përfaqësues të ekipit kombëtar si dhe drejtori i kompanisë Digitalb, Alban Jaho, që është edhe sponsori zyrtar i kombëtares shqiptare të futbollit. Prezencën e tij në studio gazetari dhe folësi i njohur i lajmeve, Reis Çiço e shfrytëzoi për të pyetur edhe për një aspkekt që ka hapur debat në opinionin sportiv, por dhe në rrjetet sociale. Çico pyeti pse në uniformat e kombëtarës që mbahen jashtë fushes është shkruar Digitalb dhe jo Shqipëri, duke i qëndruar idesë se ekipi kombëtar është i gjithë shqiptarëve dhe në aktivitetet ndërkombëtare nuk përfaqëson sponsorin zyrtar por Shqipërinë. Çiço tha se nuk është kundër stampimit të sponsorit në uniformat stërvitore dhe aksesorët sportivë të kombëtares, por sipas tij logoja që duhet të qëndrojë në shpinën e veshjeve sportive duhet të jetë Shqipëri dhe jo emri i sponsorit kushdo qoftë ai. Sqarojmë se bëhet fjalë për uniformat që mbahen jashtë fushe, pasi për veshjet e lojës nuk lejohet kategorikisht stampimi i sponsorëve, Kjo ka ngjallur reagimin e ashpër të drejtorit të Digitalb, Alban Jaho dhe komentatorit sportiv të kanaleve të Supersporti, Dritan Shakohoxha që janë mbrojtur me faktin se vendosja e logos Digitalb në uniformat që kombëtarja përdor jashtë fushës është bërë sipas rregullave të UEFA-s. Debatit nuk i mungoi edhe tensioni ku si përfaqësuesi i kompanisë Digitalb ashtu dhe komentatori Shakohoxha thanë se ata që nxisin një debat të tillë janë pseudopatriotë, pasi Digitalb e ka mbështetur me shpirt kombëtaren dhe është përpjekur që të krijojë një atmosferë festive duke shpërndarë qeleshe plastike në ndeshje me Armeninë. Variantin e përfaqësuesit të Digitalb e ka mbështetur edhe presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit, i cili tha se 80 për qind e kombëtareve në Europë kanë në shpinën e veshjeve jashtëfushe stampën e sponsorit. Gjithsesi nisur nga kundershtite e shfaqura sidomos pas ndeshjes me Serbinë, Digitalb ka vendosur të heqë stampën e sponsorit nga shpina e uniformave të kombëtares dhe ta vendosë ndoshta në pjesën e përparme në ndeshjen e radhës me Serbinë. Përveç uniformave të kombëtares një tjetër nismë e Digitalb që ka hapur debat është kënga “Kuq e Zi je ti” që është edhe në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku flitet për Shqipërinë e Madhe, ndërsa në videoklip është edhe flamuri që valëviti në Beograd droni fluturues, për të cilën kombëtarja shqiptare ka shkuar në Gjykatën e Arbitrazhit.
l.m
Add new comment