Dhoma Amerikane kërkon pezullimin e ligjit për TVSH deri në korrik. "Ministria e Financave nuk po i jep mundësi biznesit të njihet me procedurat"

Postuar në 28 Janar, 2015 11:25

Në një deklaratë për shtyp Dhoma Amerikane shpreh shqetësimin se ndërkohë që ligji i ri i TVSH-së ka hyrë në fuqi që në datën 1 janar 2015, akoma nuk është miratuar Udhëzimi i Ministrisë së Financave që do të bëjë të mundur implementimin e saktë të këtij ligji dhe sqarimin e shumë skemave dhe procedurave të veçanta (psh skemat e veçanta për cigaret dhe kartat e parapaguara).

Sipas saj Ligji i ri për TVSH-në e detyron Ministrinë e Financave të miratojë Udhëzimin përkatës, jo më vonë se 4 muaj nga data e botimit të këtij ligji në Fletoren Zyrtare.  Më tej sqarohet se ligji u botua në 13 gusht 2014 dhe rrjedhimisht, aktet nënligjore duhet të ishin miratuar dhe publikuar jo më vonë se sa data 13 dhjetor 2014, në mënyrë që të hynin në fuqi në 1 janar 2015.

“Ende sot, Ministria nuk e ka miratuar Udhëzimin për TVSH-në, duke lënë në këtë mënyrë një boshllëk ligjor, por njëkohësisht duke krijuar një situatë amullie mes biznesit që akoma nuk e njeh mirë ligjin e TVSH-së”

Dhoma Amerikane rithekson se është e nevojshme që paralelisht me çdo ligj të ri, por sidomos për ligje themelore si ai i TVSH-së, të hartohen paralelisht dhe aktet nënligjore që do të mundësojnë zbatimin e tij dhe komunitetit  të biznesit duhet t’i jepet koha e nevojshme për t’u njohur me to.

 “Për ne është e rëndësishme që jo vetëm të jemi pjesë e proceseve të diskutimit, por dhe të na lihet koha e mjaftueshme për të njohur dhe për të informuar anëtarët tanë, mbi ndryshimet  e pritshme dhe mënyrën se si ata duhet të njohin dhe të përgatiten ta zbatojnë këtë ligj”

Në deklaratën thuhet se në këto kushte, duke konsideruar rëndësinë e veçantë të dispozitave të Udhëzimit në kuptimin, sqarimin dhe plotësimin e dispozitave të ligjit, Dhoma Amerikane do e vlerësonte pa masë në se zbatimi i ligjit të ri do të pezullohet deri në datën 1 korrik 2015, në mënyrë që gjatë kësaj kohe Ministria e Financave të finalizojë udhëzimin përkatës dhe ta konsultojë atë me bizneset në një kohë të arsyeshme.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.