Devijimi i Vjosës, vendimi i Gjykatës për Çështjet Administrative në Greqi, pas 6 muajsh. Në Shqipëri shfrytëzimi i lumit është dhënë me koncesion

Postuar në 19 Mars, 2015 11:14

Brenda 6 muajsh Këshilli Suprem i Gjykatës për Çështjet Administrative në Greqi do të japë një vendim lidhur me rekursin e bërë nga dy shoqata mjedisore dhe Instituti për Menaxhimin e Parqeve Kombëtare Viku-Aos dhe Pindit për moslejimin e një projekti që parashikon devijimin e lumit Vjosë. Ato janë kundër një akti që ratifikon  Planin e Menaxhimit të Pellgjeve Lumore në Qarkun e Epirit, ku përfshihet edhe projekti për devijimin Vjosës në rast nevoje.

Seanca e fundit u mbajt në datën 4 shkurt të këtij viti dhe qeveria greke u përfaqësua nga avokati i shtetit. Për këtë çështje dy shoqatat mjedisore dhe Instituti për  Menaxhimin e Parqeve Kombëtare Viku-Aos dhe Pindit kanë informuar edhe Komisionin Europian, i cili sipas tyre nuk ishte në dijeni se projekti për devijimin e lumit Vjosë ishte përfshirë në Planin e Menaxhimit të Pellgjeve Lumore në Qarkun e Epirit.

Madje Vlerësimi Strategjik Mjedisor për këtë plan është miratuar dhe projekti cilësohet si Shfrytëzim i Resurseve Ujore të Pindit në Hidroenergjetikë dhe nevoja të tjera, ku përmendet edhe përmirësimi i furnizimit me ujë të qytetit të Janinës.

Por pavarësisht vendimit qeveria greke përmes zv/ministrit të Mjedisit, Janis Tsironis është shprehur se do të anullojë çdo projekt për devijimin e lumenjve Vjosë dhe Ahelou. Megjithatë pala shqiptare javët e fundit u shfaq aktive, duke drejtuar gishtin nga Athina se nuk e kishte informuar për këtë çështje. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati u tregua aktiv edhe mediatikisht duke takuar edhe një grup protestuesish që ishin mbledhur përpara Ministrisë së Jashtme në një tubim kundër devijimit të Vjosës. Më vonë ministria e shfryu presionin mbi këtë çështje duke pranuar se bëhej fjalë për një projekt ide, por që ajo dhe në veçanti ministri Bushati do të ishin vigjilent për çdo zhvillim në këtë drejtim.

Gjithsesi këtë çështje po e ndjekin vetë shoqatat mjedisore greke dhe institucionet që menaxhojnë parqet kombëtare në shtetin fqinj si dhe komunitetet që preken nga një devijim i mundshëm i Vjosës. Nga ana tjetër në Shqipëri rreziku për devijimin e lumit është parë me notra të larta patriotizmi, ndonëse që në vitin 2007 me vendim të Këshillit të  Ministrave dhe leje  ndërtimi nga Keshilli i Rregullimit te Territorit te Qarkut është miratuar ndërtimi i Hidrocentralit të Kalivaçit, i cili është është pjesë e skemës së shfrytëzimit të lumit Vjosë për prodhimin e energjisë elektrike.

Kjo vepër i është dhënë me koncesion të tipit BOT shoqërisë italiane "BEG s.p.a" për ndërtim dhe shfrytëzim. HEC-i do të ketë fuqi 93.9 MW dhe do të zërë një siperfaqe 1 710 ha. Hidrocentrali përbëhet nga diga, rezervuari i ujit, ndërtesa e centralit, nënstacioni elektrik, kanali i devijimit, vepra e marrjes, shkarkuesi, linja e tensionit të lartë si dhe rruga që do të lidhë objektin me rrjetin rrugor nacional.

Në këto kushte qeveria shqiptare nëse do të ishte e shqetësuar vërtet për fatin e Vjosës do të ishte e udhës të bënte një rivlerësim në mjedis të ndikimit të kësaj vepre dhe ndoshta edhe të rishikimit të këtij koncesioni nëse ka apo jo pasoja për basenin ujëmbledhës të Vjosës. Duke qene se aktet e palës greke janë publike, madje ka një proces gjyqësor dhe angazhime politike, do të ishte e dëshirueshme që pas 6 muajsh Ministria e Jashtme të mos paraqitej para opinionit duke bërë sërish të paditurin, se pala greke nuk e ka informuar, por të investohet që interesi i Shqipërisë të rregullohet konform kuadrit juridik ndërkombëtar. Kjo edhe sepse shqiptarët nuk kane pse të informohen nga Sazan Guri për këto çështje, kur kanë një minister vigjilent dhe që nuk lëshon pe, sidomos ndaj grekëve. Nëse kjo çështje i nevojitet ministrit vetëm kur duhen ngritur tensionet me Greqinë, atëherë nuk është e nevojshme që publiku të ushqehet me protagonizëm patriotik të kësaj natyre.

l.mitro

Comments

Submitted by Don (not verified) on

<p>Hidrocentrali i Kalivacit i marre peng prej 18 vjetesh qe ne 1997 nga <span class="st">Francesco Becchetti</span>,i parashikuar qe te mbaronte ne 2002 dhe sot jemi ne 2015 dhe akoma nuk jane mbyllur 20% te punimeve,TURP.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.