Deputeti i PS-së, Kokëdhima: “Koncesionet e qeverisë Berisha, shaktërruese dhe pa përfitim për ekonominë. Edhe TAP nuk i sjell fitime Shqipërisë”

Deputeti socialist i Qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima, ka dhënë dje një intervistë në “Tonight” në “Ora News”, përqendruar kryesisht në çështjet e ekonomisë. Kokëdhima nuk është shumë optimist teksa nënvizon se edhe vetë debati publik i largohet në përgjithësi kësaj teme. “Ky çerek shekulli ka qenë i dështuar. Sot Shqipëria nuk ka një mënyrë për të akumuluar pasuri. Ne e kemi bazuar ekonominë mbi shitjen e lëndëve të para, mbi koncesione, por jo mbi prodhime dhe mbi eksportin. Nëse nuk do të eksportojmë mallra, do të jemi për gjithë jetën të varfër”, thotë Kokëdhima. Sipas tij koncesionet e qeverisë Berisha janë të paprecedenta, pasi nuk i lënë asnjë përfitim shqiptarëve. Dhe kjo vlen edhe për gazsjellësin TAP. “TAP-i nuk do të ketë asnjë ndikim pozitiv në Shqipëri. Ashtu si TAP-i dhe një numër i madh koncesionesh në Shqipëri janë çnderuese për një vend. Janë koncesione që në mënyrë të hapur tradhëtojnë interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, u japin interesa vetë përfituesve të koncesioneve. Edhe pse është bërë shumë propagandë që TAP-i do të sjellë shumë të mira në vendin tonë, në të vërtetë Shqipëria nuk përfiton asnjë metër kub gaz. Kapaciteti i TAP-it ndahet kështu: 80 për qind e merr Italia, 10 për qind e merr Greqia dhe 10 për qind e merr Bullgaria. Kalon nëpër territorin e Shqipërisë dhe nuk merret asnjë lek qira për tokën. Nuk merret asnjë taksë kalimi, anjë metër kub gaz. Praktikisht përfitojnë koncesionarët dhe ata që kanë negociuar kontratën”, shprehet deputeti i PS-së, që shtoj se ka përpjekje për të rinegociuar marrëveshjen për TAP. Një tjetër shembull është edhe koncesionari i skanerave në dogana. “Në asnjë vend në botë nuk është bërë kjo që ka bërë qeveria “Berisha” me kompaninë “Rapiscan” për privatizimin e skanerave. Për mua koncesionet e Sali Berishës duhet të jepen leksione nëpër shkolla se si shkatëruan interesat e një vendi. Duhet të kuptojmë që shumë koncesione që janë bërë në dëm të interesave të shqiptarëve janë të mbrojtura me ligje, me garanci të forta që të ketë pasoja të rënda për vendin tonë në rast prishjeje. Pasojat në ekonomi janë shumë të rënda nga këto lloj marrëveshjesh”, shton ai. Vërejtje me shumë vend, por që do të kishin vlerë të shtuar nëse koncesionet e qeverisë aktuale do të ishin më të pranueshme. Koncesioni për shërbimin check up në shëndetësi u debatua,shumë dhe nuk dihet se cili është përfitimi real i qytetarëve, ndërkohë që vetëm dje qëveria bëri të njohur terma të komcesioneve të rrugës së Arbrit. Sipas këtyre termave, qeveria do të financojë vetë nëse rruga ka fluks më të ulët nga ai i parashikuari, diçka që nuk ndodh, sa kohë supozohet se firma ka një studim dhe hyn në investim e përgatitur.
Add new comment