Daçiç reagon ndaj deklaratës së Thaçit për mentalitetin ekspansionist të Serbisë: Iku koha kur me Serbinë bisedohej sipas parimit ‘merre ose lëre'

Gazeta “Tribuna” shkruan se zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç vlerësoi se deklarata e Hashim Thaçit për mentalitetin ekspansionist të Serbisë tregon se Prishtina nuk di çfarë kërkon, dialog apo monolog. Në një postim në Facebook, Thaçi, shkroi se Serbia me tentime të ngritjes së zhurmës politike për gjoja prezantimin e planeve të saj për ofrimin e zgjidhjes përfundimtare për Kosovën, dëshmon se ajo nuk po mund ta tejkalojë mentalitetin e saj ekspansionist nga shekulli i kaluar. Por Daçiç thotë se në situatën kur dialogu i Brukselit është neutral për sa i përket statusit, është krejtësisht e pakuptimtë të japësh përgjigje në provokime të tilla të Thaçit. “Ta akuzosh Serbinë për ekspansionizëm kur po tentohet legalizimi i shkeljes së dhunshme dhe të njëanshme të integritetit territorial dhe kur pothuajse çdo ditë flitet për Shqipërinë e Madhe, me çka do të shkatërrohej integriteti territorial edhe i disa vendeve tjera, është hipokrizi”, ka thënë Daçiç sipas njoftimit të MPJ serbe. Ai ka shtuar se Serbia është përcaktuar qartë për dialog dhe stabilitet në rajon, “por duket se konstruktiviteti ynë në Prishtinë interpretohet si dobësi e jona”. “Thaçi duhet ta ketë të qartë se kanë kaluar kohët kur me Serbinë bisedohej sipas parimit ‘merre ose lëre”, ka thënë Daçiç.
l.v
Add new comment