Dështojnë negociatat e opozitës për zgjedhjet lokale. Përplasja mes Dukës dhe Arqile Goreas sjell divorcin përfundimtar mes Bashës dhe Mediut

Durrësi duket se është kthyer në ngërçin e pakapërcyeshëm të negociatave mes aleatëve të opozitës për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit. Bisedimet e së dielës mes Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane nuk kanë dhënë asnjë rezultat, madje kanë lënë shumë të pakënaqur republikanët e Fatmir Mediut. Burime nga kjo parti thanë se zhvillimet nuk kanë qenë aspak pozitive dhe se nga Partia Demokratike ka munguar interes për bashkëpunim dhe partneritet mes palëve. Nisur nga kjo situatë, drejtues të Partisë Republikane kanë vendosur t’u drejtohen strukturave për të vendosur mbi qëndrimin që do të mbajë kjo forcë politike në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit. Në projektin që i prezantuan Partisë Demokratike, republikanët kërkuan 14 bashki, duke insistuar për kandidimin e Agron Dukës për bashkinë e Durrësit. Por Partia Demokratike mësohet se i ka qëndruar propozimit të saj për të kandiduar ish-drejtorin e Postës Shqiptare, Arqile Gorea, i cili mësohet se ka mbështetjen e fortë të ish-kryeministrit Berisha. Partia e Mediut kanë shprehur interes për bashki si Shijaku, Vlora, Saranda, Kukësi e Pogradeci.
l.m
Add new comment