Cipras do të bojkotojë takimin e 27 Majit në Tiranë. Kathimerini: Qeveria greke është ankuar në Berlin për qëndrimet e Shqipërisë, ndarja e detit me të njëjtin parim që u arrit marrëveshja e 92-it

Postuar në 24 Maj, 2015 10:42

Nuk ka më asnjë dyshim se marrëdhëniet mes Tiranës e Athinës janë në kuotën më të ulët që prej viteve ’90. Këto raporte morën një kurs të ri që pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese  të marrëveshjes për kufirin detar në vitin 2009. Tensionet kanë kulmuar dy vitet e fundit dhe sidomos periudhën e parë të 2015 me hapjen nga qeveria shqiptare të çështjes së kërkimit të hidrokarbureve në detin Jon dhe Greqinë e Veriut. Gazeta “Kathimerini” shkruan se kjo çështje, por edhe një sër problemesh që lidhen me pretendimet shqiptare për çështjen çame, respektimin e pakicave dhe shfaqjen e ideve të Shqipërisë së Madhe kanë çorientuar Athinën që kërkon të ndërtojë një strategji të veçantë për rindërtimin e marrëdhënieve diplomatike me Tiranën. Muaji që vjen do të jetë vendimtar për politikën e jashtme greke në Ballkan. Duke iu referuar burimeve diplomatike gazeta shkruan se ashtu si ministri Jashtëm grek, Nikos Kotzias bojkotoi takimin e ministrave të jashtëm të Procesit të Europës Juglindore që u mbajt në Tiranë më 22 dhe 23 Maj, edhe kryeministri grek Aleksis Tsipras nuk do të udhëtojë drejt kryeqytetit shqiptar në 27 Maj për të marrë pjesë në samitin e nivelit të lartë të kryeministrave të rajonit në kuadër të SCEEP. Kathimerini shkruan se zgjidhja e mosmarrëveshjeve për kufirin detar mund të arrihet përmes disa opsioneve, ku nuk përjashtohet padia në Gjyqin e Hagës. “Shqipëria pretendon se Greqia me programin e kërkimeve për naftë në detin Jon, të shpallur në qershor ka cenuar ujërat territorial shqiptare në bllokun 5 ku Tirana planifikon kërkime gjatë javëve të ardhshme. Kjo do të thotë se do të shpaloset një krizë që me një mënyrë ose tjetër duhet të zgjidhet. Ose nëpërmjet dialogut, ose nëpërmjet arbitrazhit ose nëpërmjet Gjyqit të Hagës. Para se të mbërrijmë këtu ka prova e fakte që vërtetojnë se argumentet e palës shqiptare janë të pabazuara”-shkruan Kathimerini. Sipas gazetës pretendimet e palës shqiptare për cënim të integritetit territorial të ujërave shqiptare nga kërkimet për naftë në detin Jon  janë politike dhe jo shkencore. Burime zyrtare thanë për “Kathimerini” se hartat mbi të cilat është bërë plani i kërkimeve janë të njëjtat me ato që palët paraqitën gjatë negociatave për marrëveshjen e detit në vitin 2009 dhe se ngritja e kësaj çështje lidhet me qëllimin e qeverisë shqiptare për të kërkuar politikisht ndryshimin e marrëveshjes së vitit 2009. Të njëjtat burime i thanë gazetës së në marrëveshjen e vitit 1992 mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë  kufijtë u caktuan me parimin e vijës së baraslarguar dhe se falë ndikimit të  ishullit të Sazanit në këtë ndarje Shqipëria përfitoi rreth 70 kilometër katror të shelfit kontinental, parim që nuk e njeh në rastin e ishulljve grekë në detin Jon. Në fund të artikullit thuhet se ministri Jashtëm grek Nikos Kotzias shqetësimet lidhur me qëndrimet e Shqipërisë ia ka përcjellë edhe qeverisë gjermane dhe Përfaqësues së Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në BE, Federika Mogerini.

l.m

 

http://www.kathimerini.gr/816676/article/epikairothta/ellada/h-ellhnoalvanikh-krish-oi-xartes-kai-to-oikopedo-5

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.