Charlie Hebdo, Ministri i Brendshëm italian Alfano: Në Itali kemi të skeduar 53 luftëtarë të huaj

Italia në këmbë pas sulmit të së mërkurës në Paris, ku humbën jetën 12 persona, staf i revistës satirike “Charlie Hebdo”. Ministri Brendshëm Angelino Alfano pas mbledhjes së jashtëzakonshme të strukturave të sigurisë dhe policisë së shtetit, ka dalë dhe në një deklaratë për median shtetërore RAI UNO mëngjesin e sotëm ku tha se: “Në Itali kemi të skeduar 53 luftëtarë të huaj. E dimë identitetin e tyre dhe se ku gjenden. Nuk do të thotë se janë të 53-të shtetas italianë, por që janë nisur nga Italia apo janë kthyer”. Ministri i Brendshëm italian tha gjithashtu se: “Kemi përgatitur një ligj për t’i neutralizuar sa më mirë këta luftëtarë të huaj. Ne synojmë t’i godasim ata që duan të shkojnë të luftojnë në teatrot e luftës, jo vetëm rekrutuesit; ne duam të vendosim më shumë kontroll të policisë për këta njerëz dhe të veprohet gjithashtu edhe në faqet elektronike (web), përdorur nga ata që janë radikalizuar. Duhen ndarë kriminelët që vepruan në Paris nga feja. Tjetër është profesioni i lirë nga feja, besimi, dhe tjetër është mbajtja peng e Perëndisë për qëllime kriminale. Ata që veprojnë në këtë mënyrë duke pretenduar të justifikohen para Zotit janë kafshët”, shtoi ai.
l.v
Add new comment