Carrefour në sekuestro konservative, grupi Balfin riblen kompaninë, zinxhir borxhesh ndaj furnitorëve

Burime nga grupi Balfin i biznesmenit Samir Mane kanë konfirmuar për revistën Monitor se grupi ka blerë sërish hipermarketin Carrefour, ndonëse ky transaksion nuk është reflektuar ende në QKR. Ndërkaq asetet e kompanisë më të madhe të supermarketeve e hipermarketeve në vend CMB Albania-Carrefour janë vënë në sekuestro konservative në 17 prill nga një shoqëri përmbarimore për llogari të dy sipërmarrjeve të tjera, Euronuovo dhe Luku. Lëvizjet bëhen të ditura në Qendrën Kombëtare të regjistrimit. Ndaj kompanisë Luku, Carrefour ka një detyrim prej rreth 5.5 milionë lekësh dhe ndaj Euronuovo 3.52 milionë lekë. Carrefour është regjistruar në tregun shqiptar në vitin 2011. Prej muajsh furnitorët e Carrefour ishin vënë në radhë për të mbledhur paratë e produkteve që kanë furnizuar, duke krijuar një zinxhir borxhesh dhe mungesë likuiditeti. Kompania ka një kapital negativ për shkak të humbjeve të akumuluara në vite, ndërsa ka një raport të totalit të detyrimeve ndaj totalit të pasivit prej gati 120%, çka tregon se zinxhiri i supermarketeve është i zhytur në borxhe. Mjetet e veta të kompanisë (totali i aktiveve) janë më të ulëta se detyrimet ndaj furnitorëve, çka rrit probabilitetin e paaftësisë paguese të kompanisë.
Burime nga furnitorët bëjnë të ditur se së fundmi, ata po telefonohen nga menaxherët e kompanisë Balfin (që dikur ka qenë pronare e Carrefour) dhe po u propozohet një marrëveshje, sipas të cilës do t’u kthehet 50% e detyrimit.
a.k
Add new comment