Borxhi i jashtëm, Banka Botërore kreditori kryesor i Shqipërisë

Në fund të muajit mars, Shqipëria kishte një borxh të jashtëm në vlerën e 2.6 miliardë eurove. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, borxhi është rritur me rreth 1.9 për qind që nga fundi i vitit 2012. Pjesën dërmuese të strukturës së borxhit e zë borxhi shumëpalësh, i marrë nga institucionet ndërkombëtare dhe bankat e zhvillimit, që është afërsisht 1.5 miliardë euro apo 56% të totalit. Kreditori kryesor i Shqipërisë është Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit, IDA, pjesë e grupit të Bankës Botërore, që ka për qëllim uljen e varfërisë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, vlera e borxhit të IDA-s është 665 milionë euro. Nëse përfshijmë edhe huanë e marrë nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, detyrimi total ndaj grupit të Bankës Botërore shkon në 711 milionë euro ose 27 për qind e borxhit të jashtëm. Ndër bankat e tjera të zhvillimit, një mbështetje të rëndësishme me kredi për Shqipërinë kanë dhënë edhe Banka Europiane e Investimeve, me 222 milionë euro dhe Banka Islamike për Zhvillim me 197 milionë euro. Një pjesë të rëndësishme në strukturën e borxhit të jashtëm zë edhe huaja e marrë prej kreditorëve privatë. Vlera e këtij borxhi është gjithsej 530 milionë euro ose 20 për qind e stokut të borxhit të jashtëm. Te kreditorët privatë përfshihen blerësit e eurobondit prej 300 milionë eurosh dhe banka të huaja tregtare, të cilave shteti shqiptar u detyrohet rreth 230 milionë euro. Rreth 629 milionë euro apo rreth 24 për qind e totalit janë borxh dypalësh, që është akorduar nga qeveritë e vendeve të ndryshme. Kontribuesit kryesorë janë Italia, me 220 milionë euro dhe Gjermania, me 167 milionë euro. E.Shehu
Comments
kete statistike e ka nxjerre
<p>kete statistike e ka nxjerre ODA rreth dy jave me pare... behu pak me origjinal ose ne rastin me te mire sill ndonje gje te re...</p>
A ka njeri te me thote se sa
<p>A ka njeri te me thote se sa ishte borxhi i jashtem me 1985, me 1990, me 1997, dhe me 2005?! 2.6 miliard euro pjestuar me 2.5 milione banore i bie + 1 000 euro per person. Per nje familje me 5 anetare borxhi arrin ne 5000. Dhe mua me duket se ky borxh eshte rritur edhe pas shitjes dhe privatizmit te te gjitha burimeve minerare, energjetike dhe aseteve te tjera te vendi?! Si do lahet ky borxh?! Dhe çfare faji kane qytetaret te paguajne vjedhjen, grabitjen, keqqeverisjen e pushtetareve te sotem dhe te djeshem?! Prandaj disa i kane bere vilat me te mira se ne Perendim, apo dikush jeton si pasha jo ne Stamboll, por ne Viene!!! Mjere ky vend, se per popullin shqiptar nuk me vjen keq edhe aq shume, duke perjashtuar disa intelektuale te ndershem, se ashtu i do mushka drute.</p>
Add new comment