Biznesi amerikan: Paguajmë ryshfete, zyrat tatimore na marrin para nën dorë

Biznesi amerikan bën apel që të luftohet korrupsioni në administratën tatimore.Ka qenë Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, i cili ka denoncuar ryshfetet nën dorë që bizneset detyrohen ti japin administratës tatimore për shërbime të ndryshme. Crawford ka deklaruar se kjo praktikë po largon investitorët.
“Ju doni të hyni në Europë dhe është e rëndësishme që ti zgjidhni çështjet e taksave sa më parë. Rimbursimi i TVSH nuk merret nga bizneset dhe ky cikël duhet të prishet sa më parë, pasi kjo ndikon tek investitorët dhe ata ndjehen të pabarabartë. Kjo do t’ju lërë pas si vend për thithjen e investimeve.Cikli i pagesave nën dorë nga bizneset duhet të përfundojë pasi detyrohen që të paguajnë 20-30 përqind të TVSH-së nën dorë që të rimbursohen” tha ai.
Drejtoresha e Tatimeve, Brisida Shehaj, nga ana tjetër ka kërkuar që bizneset të mos bien pre duke paguar rryshfete nën dorë. Shehaj premtoi se do luftohet kundrejt çdo abuzimi.
Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkoi ndër të tjera edhe rishikim të legjislacionit tatimor si dhe të kontrollohet ana profesionale e inspektorëve tatimorë, të cilët abuzojnë me vënien e gjobave.
Drejtoresha Shehaj deklaroi se kjo situatë do të ndryshojë pasi nuk mbushet buxheti me gjoba .
Të ftuar në këtë takim ishin edhe biznese të ndryshme, të cilët ngritën një sërë problemesh.
Add new comment