Berisha, Dyrenmati dhe porosia për vrojtimin e vrojtuesit të vrojtuesve...

"Porosia ose për vrojtimin e vrojtuesit të vrojtuesve" është një novelë me 24 fjali e Fridrih Dyrenmat, dramaturg dhe prozator helvet në gjuhën gjermane, disa herë kandidat për Nobël. Në këtë novelë, Dyrenmati (1921-1990) ka një personazh (Tinën) nëpërmjet fatit të së cilës gjen mënyrën të flasë mbi maninë e vrojtimit dhe të qenit i vrojtuar. Dyrenmati të vjen menjëherë në mend, kur lexon një listë shërbimesh informative paralele të fuqizuar në heshtje me ligje gjatë dy viteve të fundit.
Alarmin e japin vazhdimisht ndërkombëtarët me apelet për "kujdes me Prokurorinë dhe SHISH-in" (së fundmi Nishanit), por në Tiranë zërat janë të pakët në këtë lëndë. Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, psh, i pyetur nga revista JAVA: - "Sa e saktë është të thuhet që kjo listë e gjatë shërbimesh paralele, është produkt i një konflikti që kryeministri ka pasur me Prokurorinë dhe Shërbimet Sekrete?" - përgjigjet: "Jam i sigurt që kryeministri, mbasi nuk ia doli dot ta eliminonte Shërbimin Informativ nëpërmjet futjes nën varësinë e Ministrisë së Brendshme, (ndërkombëtarët kontribuan në këtë drejtim), ka gjetur këtë rrugën tjetër, ta anashkalojë SHISH, duke organizuar shërbime të tjera. I pari është ai i ushtrisë, që po bëhet vërtetë i fuqishëm. Por edhe këta të tjerët. Këto gjëra po bëhen pothuaj hapur, pak a shumë i dimë të tërë, po s’u kemi vënë veshin, sepse s’jemi seriozë. Duhet të ishim treguar seriozë, ky është një problem shumë i madh".
Ja disa nga shërbimet informative paralele me SHISH, të cilat veç kompetencave për grumbullimin e informacionit, të cilat sipas ligjit janë 'të njejta me ato të SHISH', përfshijnë të drejtën për të grumbulluar prova dhe iniciuar një proces penal, madje kompetenca edhe për të arrestuar: 1 - Shërbimi Informativ Ushtarak (SHIU). 2 - Njësia e Inteligjencës Financiare (NIF) 3- Shërbimi i Kontrollit të Ministrisë së Brendshme (SHKB) 4 - Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve (SHKBB) 5 - Departamenti Operativ Hetimor (DOH) 6 - Drejtoria e Hetimit Tatimor (DHT) etj (A.N.)
(Në foto: Berisha takon kreun e SHISH, kryeprokuroren dhe Nishanin gjatë një ceremonie)
Add new comment