Avokatja e Mark Frrokut: E bindur që klienti im është i pafajshëm, do provoj që ka qenë në Shqipëri kur në Belgjikë është kryer vrasja e Aleksandër Kurtit

Për Markun Frrokun nuk ka prova që vërtetojnë dyshimet se ai është autor i vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë në vitin 1999. Avokatja belge e Mark Frrokut në një intervistë për Top Channel është shprehur e nindur në pafajësinë e klientit të saj, duke thënë se në procesin që ka rinisur në gjykatat belge ajo do të provojë se Mark Frroku në vitin 1999, në kohën kur është kryer vrasja nuk ka qenë në Belgjikë, por në Shqipëri.
“Është një histori shumë e vjetër e marsit 1999 dhe në 2004 klienti im është arrestuar këtu në Belgjikë për këtë çështje dhe pas dy muajsh, drejtësia belge e liroi atë pa asnjë kusht. Kjo do të thotë, sipas meje, që akuza ishte shumë e dobët, sepse kur ti lirohesh pas dy muajsh nga burgu pa asnjë kusht, pa asnjë akuzë, do të thotë që akuza është absolutisht e dobët. Nuk ka dëshmitar, nuk ka prova materiale. Klienti im ka thënë që nuk ka qenë në atë kohë në Belgjikë. Ai ka qenë më parë në Belgjikë, por në kohën e kësaj ngjarje nuk ka qenë. Ai ka qenë në Shqipëri dhe këtë do t’ja provoj gjykatës. Ka vetëm një dëshmi anonime dhe nuk është e mjaftueshme për të dënuar një person”, thotë avokatja belge. Unë kam përfaqësuar klientin tim që në vitin 2004. Pas vendimit të gjykatës e cila e dënoi me 10 vite, çështja shkoi në Gjykatën e Lartë dhe kjo gjykatë e prishi vendimin në vitin 2010 dhe tani jemi në pritje të kemi një proces të ri gjyqësor dhe unë besoj që ai do të shpallet i pafajshëm, pasi nuk ka asgjë në këtë dosje”,- është shprehur Carine Couquelet për Top Channel.
Avokatja e Mark Frrokut thotë se do t’i drejtohet gjykatës që klienti i saj të lihet i lirë deri në fillimin e procesit, sepse nuk ka asnjë arsye për ta arrestuar tani.
l.m
Add new comment