Ardian Vehbiu: Nuk më pëlqen shqiptari modern; ose më mirë më pëlqen ai shqiptar që sot nuk bie në sy

Postuar në 12 Prill, 2014 05:36

Ardian Vehbiu është i mendimit se për të majtën shqiptare është ende herët që të kërkojnë “aktin e vet themelues” dhe shton se ajo që duhet të bëjë është “distancimin e prerë nga tradita enveriste”.

Në një intervistë gazetën “Mapo”, Vehbiu duke folur për shqiptarin e sotëm shprehet se, “nuk më pëlqen shqiptari modern; ose më mirë më pëlqen ai shqiptar që sot nuk bie në sy, por përpiqet të ruajë kontaktet me ata pak ishuj të së mirës, në oqeanin e së keqes”.

“Sa kohë që komunikimi, në nivel kombëtar, mbetet i mediatizuar në ekstrem, jemi të detyruar të shohim dhe të mbetemi në kontakt me atë lloj shqiptari që duan të na prezantojnë mediat; por që nuk është përfaqësues veçse i shijeve dhe i prirjeve të mediave dhe, tërthorazi, edhe politikës”, thotë ai.

 

Intervista

 

-Më thoni një ide së cilës ende nuk i ka kaluar koha? Një ide e përjetshme…

Do të thosha, ideja se personi njerëzor është unik dhe i papërsëritshëm, fole e lirisë, dinjitetit dhe krijimtarisë, strumbullar i të gjitha vlerave; një ide ndoshta sot e ushqyer veçanërisht nga Kisha Katolike (por jo ekskluzivisht), por me një hapësirë zbatimi universale dhe ku, unë vetë, shoh ndoshta të vetmen forcë intelektuale në gjendje t’i kundërvihet, me forcë, kërcënimit që vjen nga totalitarizmat gjithfarësh, si stalinizmi, fashizmi, nacionalizmi dhe hegjemonia e tregut.

-A lexoni për të marrë ide nga bota apo për të ballafaquar idetë tuaja me botën?

Përgjithësisht për të marrë ide nga bota, ose për të kapur, qoftë edhe kalimthi, ndriçimet në mendjet e të tjerëve, të më të mirëve; vetëm se ndodh rëndom që, gjatë këtij leximi, të shkrepin flakërima idesh edhe brenda meje. Është ky një proces që unë si ego mund ta kontrolloj vetëm pjesërisht, meqë komunikimi ndodh drejtpërdrejt midis ideve, pa ndërmjetësinë e subjektit.

-Cili tip është shqiptari modern: ai që ka emigruar herët dhe është tashmë i integruar, diçka më shumë se një emigrant, njëfarë europiani në përfundim e sipër; ai që i ka rezistuar ikjes dhe ka ditur të ngulë në kaosin e tranzicionit netëorkun tij/saj duke triumfuar ekonomikisht; intelektuali që, i kapur mes dy kohëve, në keqkuptim e sipër, nuk është bërë me asnjërën dhe nuk ka shprehur dot asnjërën; personazhi mediatik që ka ndërtuar një alter ego e cila i pëlqen më shumë se vetja; apo, i riu i lindur pas viteve ’90 që ka një shkujdesje ndaj të ardhmes dhe të shkuarës duke jetuar një carpe diem permanent?

Pak nga të gjitha këto – por mua nuk më pëlqen shqiptari modern; ose më mirë më pëlqen ai shqiptar që sot nuk bie në sy, por përpiqet të ruajë kontaktet me ata pak ishuj të së mirës, në oqeanin e së keqes, për të parafrazuar Calvino-n. Shqiptarin modern dua ta njoh dhe ta përjetoj në sferën private; ndërsa në publik do të preferoja shqiptarin qytetar, i cili sot për sot është në vështirësi të madhe, dramatike do të thosha, sepse nuk po di më ku t’i ankorojë skrupujt etikë që i kanë mbetur, në trysninë e papërballueshme të maskarallëkut. Sa kohë që komunikimi, në nivel kombëtar, mbetet i mediatizuar në ekstrem, jemi të detyruar të shohim dhe të mbetemi në kontakt me atë lloj shqiptari që duan të na prezantojnë mediat; por që nuk është përfaqësues veçse i shijeve dhe i prirjeve të mediave dhe, tërthorazi, edhe politikës.

-Jam i sigurt, jeni ndeshur, në rrugë, stadium, forumet online, me sloganin ‘O sa mirë me qenë shqiptar’. Ç’raport keni me këtë urim dhe ditiramb që duket se përjashton të tjerët? A mos ‘shqiptari’ i kësaj parulle po mohon duke pohuar, a mos ndoshta ai nuk ndihet mirë me të qenët shqiptar?

Në fakt, kur e dëgjoj atë slogan të deklamuar seriozisht, më vjen zor nga vetja, si shqiptar. Të jesh shqiptar, në fakt, është pjesërisht një fatalitet, meqë shumë të paktë janë ata prej nesh që kanë zgjedhur të jenë shqiptarë. Nga ana tjetër, të jesh shqiptar sot do të thotë edhe t’u qasesh problematikave publike në një mënyrë të caktuar – gjë që unë nuk e shoh tek ata të sloganit më sipër, përkundrazi. Por jam dakord me ju, se ka një trishtim të madh tek ajo shprehje; duket sikur ata që e thonë, kapen pas saj për të kompensuar për të gjitha dështimet, frustrimet dhe poshtërimet individuale ose kolektive; që ndonjëherë u kanë ardhur edhe thjesht ngaqë kanë qenë shqiptarë. Jo rastësisht, e kemi dëgjuar këtë farë pasthirrme ose psherëtime të përhapet krah për krah me nëpërkëmbjen e shqiptarëve në Europë, por edhe me prapambetjen ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë dhe të Kosovës, dhe të faktit se këto dy shtete, për fat të keq, janë nga më të prapambeturat dhe të varfrat në Europë, çka nuk përkon fare me shkallën e suksesit individual të shqiptarëve, anembanë botës. Një cinik do të thoshte se kyç i suksesit do të ishte, në këtë rast, jo të qenët shqiptar, por mohimi simbolik i këtij të qeni; ose largimi nga shprehitë dhe stilemat tipike të shqiptarisë. Nuk është kështu, dhe unë vetë do të refuzoja deri në fund që ta pranoja vizionin cinik; sikurse do të refuzoja t’i përfytyroja shqiptarët si “proletarë” mes popujve të Europës. Thjesht kemi nevojë të çlirohemi nga vetëmburrjet dhe kapadaillëqet prej katundarësh, që ndonjëherë i tolerojmë thjesht nga frika se mos përndryshe do të dukeshim si anti-kombëtarë; sikurse kemi nevojë të kuptojmë se ta deklarosh patriotizmin tënd në publik dhe të jesh përnjëmend patriot janë dy gjëra të ndryshme – dhe këtu më kujtohet një batutë e publicistit amerikan H.L. Mencken, sipas të cilit “kush thotë se e do atdheun e vet pret që ta paguajnë për këtë.”

-Si i keni raportet me mitet, qoftë kjo edhe brenda një debati të madh panshqiptar mbi mitet dhe historinë ku është përfshirë edhe Ismail Kadare me ‘Mosmarrëveshjen’, një esse e gjatë që ngjan edhe si testament i tij?

Më tërheqin mitet, si objekte studimi dhe si vegla për të “psikanalizuar” kulturën; sidomos kur projektohen në realitetin e sotëm – por gjithnjë i jam kundërvënë përdorimit të miteve, prej ideologëve, si mjet për t’u imponuar të tjerëve hegjemoninë; dhe këtu kam parasysh mitet kombëtariste. Besoj, megjithatë, se është e pamundur ta rrëfesh historinë si narrativë, pa e mistifikuar; sepse historia bëhet narrativë vetëm duke u mistifikuar; dhe është detyrë e çdo kulture të përgjegjshme që t’ua mësojë qytetarëve historinë dhe vetë qytetarinë nëpërmjet mitit, por gjithë duke i përgatitur për t’u distancuar prej këtij miti, dhe çdo miti tjetër, nëpërmjet të menduarit kritik. Kjo çështje lidhet ngushtë me pluralizmin; meqë disa prej nesh ende vijojnë ta perceptojnë këtë, pluralizmin, jo si arritje madhore të së drejtave të njeriut dhe si shenjë e emancipimit të shoqërisë, sesa një të keqe me të cilën duhet bashkëjetuar, ose premisë për segmentimin social. Në këtë kuptim duhet të jemi gati të pranojmë, bie fjala, se do të ketë qasje të ndryshme historiografike dhe kulturore edhe ndaj, të themi, Skënderbeut; dhe të mos skandalizohemi me një panoramë kulturore ku librat e Schmitt-it të shiten krahas me ato të Nolit dhe të Kristo Frashërit. Sa përMosmarrëveshjen e Ismail Kadaresë, refuzoj ta mendoj si testamentin e tij; meqë nuk më duket në nivelin e veprës së tij më të mirë, madje as të eseistikës së tij më të mirë; pa përmendur pastaj që qasja esencialiste e atij autori ndaj mitit ndryshon shumë nga e imja.

-Mbeçë more shokë mbeçë, përtej urës së Qabesë… vajton një këngë e vjetër shqiptare fatin e ushtarit të rënë në dhe të huaj. Shqiptarët megjithatë vazhdojnë të mbesin përtej urës së Qabesë: ndonjë si pjesë e Aleancës veriAtlantike përkrah ushtarëve amerikanë, britanikë etj, por disa të tjerë si ushtarë të xhihadit, kryesisht shqiptarë të Kosovës apo Maqedonisë, që luftojnë në krah të rebelëve në Siri. A janë të shqiptarit këto ‘luftëra të shenjta’?

Duke qenë Shqipëria anëtare e NATO-s, e kuptoj shtetin shqiptar kur kërkon të përfaqësohet, qoftë edhe simbolikisht, në misionet paqeruajtëse ose në veprimtari të tjera ushtarake humanitare jashtë kufijve të Shqipërisë, nën mbikëqyrjen ose ombrellën e Aleancës; tek e fundit, ushtarët janë një nga kontributet e pakta që ne mund t’i japim NATO-s, së bashku me gjeografinë. Sa i përket pjesëmarrjes së shqiptarëve në luftërat “e shenjta”, përfshi këtu edhe luftën në Siri, këtu ndryshon puna. Natyrisht, një shqiptar s’ka pse të përzihet në këto konflikte kaq të largëta; por ata që i hyjnë kësaj aventure, nuk e bëjnë këtë si shqiptarë, por si myslimanë; i japin përparësi fesë dhe duan të ndihmojnë vëllezërit e tyre të një feje – çfarë s’ka të bëjë shumë me përkatësinë e tyre kombëtare. Mirëpo përfshirja e shqiptarëve – për motive sublime, histerike ose edhe thjesht ekonomike – në konflikte të armatosura ku rregullat e angazhimit i shkruajnë, mes të tjerash, edhe organizata terroriste të mirënjohura, si Al Qaeda, përbën një problem të sigurisë kombëtare. Nëse ky problem mund të zgjidhet thjesht duke e kriminalizuar pjesëmarrjen ose edhe vetëm nxitjen e organizuar për pjesëmarrje në këto konflikte, kjo mbetet për t’u parë; meqë herët a vonë duhet të nisim të shohim rrënjët sociale të dukurisë dhe pikërisht të pyesim se si ndodhi që u përftua kjo masë e madhe të rinjsh që, kushedi nën ndikimin e ekstremizmit fetar dhe të joshave në para, ndihen kaq të tjetërsuar nga shoqëria shqiptare dhe orientimi pro-europian.

-A ju shqetëson fati i kinemasë shqiptare ose, në fakt a ekziston apo a duhet të ekzistojë ajo? A mund të bëhej diçka tjetër për kulturën me ato miliona që hidhen për filma me pak shije e më pak art? Si e shihni raportin e kinemasë së pasviteve ‘90 me atë të Kinostudios ‘Shqipëria e re’?

Ka një traditë të kinemasë shqiptare, e cila ka mbijetuar në artistët e sotëm – regjisorë, aktorë dhe, në përgjithësi, në rudimentet e një shkolle kinematografike – dhe që duhet konsideruar si pasuri kulturore, prandaj edhe duhet ruajtur dhe mirëmbajtur. Mirëpo kinemaja shqiptare nuk është më art masash dhe gjasat janë që nuk do të bëhet dot as në të ardhmen. Ngaqë filmat kërkojnë fonde të rëndësishme për t’u realizuar, shumë producentë dhe regjisorë u drejtohen burimeve alternative, jashtë Shqipërisë, çka shoqërohet me kosto kulturore të mëdha. Jo rrallë, krijohet një rreth vicioz, brenda të cilit filmi krijohet jo për publikun shqiptar, por për festivalet ndërkombëtare; dhe kjo jo thjesht për të kënaqur ambiciet e producentëve, por edhe kërkesat e financuesve. Natyrisht, është e drejtë elementare e producentëve dhe e regjisorëve që t’ia nxjerrin ujët e zi gjakmarrjes, Kanunit dhe prostitutave të pafajshme, dhe pastaj t’i shfaqin filmat e tyre atje ku ka ende një publik për këto tema; në një kohë që angazhimi i shtetit dhe i fondeve publike shoqërohet, besoj, me detyrimin qoftë edhe vetëm moral, për t’ia dhënë filmin publikut në Shqipëri. Dhe këtu ka një kontradiktë. Kështu nga larg, unë besoj se shteti nuk i ka mundësitë të financojë filma artistikë për kinemanë, prandaj le të mos gënjejmë kot veten; edhe pse mund të vazhdojë të përkrahë, në mënyrë të kufizuar, nismat private të producentëve dhe të regjisorëve shqiptarë. Përkundrazi, them se tradita e krijuar e filmit shqiptar duhet t’i kalojë televizionit; dhe pikërisht t’i shërbejë prodhimit të filmave televizivë, si produkte të mëvetësishme dhe si serialë, me mbështetjen financiare të televizioneve komerciale; shteti mund të luajë një rol në këtë mes, kryesisht nëpërmjet një sistemi taksash më fleksibël.

-Kur merr fund tranzicioni shqiptar sipas jush, në mos pastë marrë fund ndërkohë, e shumë prej nesh nuk kemi mundur ta kapim atë shenjë. Personalisht e lidh tranzicionin me çibanët, domethënë me të dala të panatyrshme që shprehin një ‘uri’ demode për gjërat. Në fillim kishim antenat e shumta në tarraca dhe parabolat apo saçet. Pas dëshirës për t’u dendur me filma e programe të huaja mbërritën depozitat e ujit që vazhdojnë ende mbretërimin bashkë me lavazhet e karburantet. Një gjë që ka qenë e vazhdon të jetë në modë janë kafenetë e baret e shumta në çdo cep pallati…Kur të zhduken këto shenja të kohës sonë, a do mund të thuhet se Shqipëria ka dalë prej tranzicionit? Sepse simbolika shpesh i prin faktit…

Tranzicioni shqiptar nuk mund të marrë fund; sepse Shqipëria sot qeveriset nga institucione dhe struktura të cilat u përftuan si mjete që do të realizonin tranzicionin, por që me kalimin e kohës u konsoliduan dhe një nga karakteristikat e institucionit ose strukturës së konsoliduar është që të kujdeset për mbijetesën e vet, nëmos për t’u rritur edhe më. Ndërsa ato shenja të kohës sonë, që përmendni ju, i përkasin një tranzicioni të vetvetishëm, të njerëzve që përpiqen të mbijetojnë si individë ose familje brenda një realiteti të ri, të panjohur ku shoqëria ka pësuar kolaps dhe që sundohet nga anomia. Përndryshe, një gjë është tranzicioni nga një sistem në tjetrin, dhe një gjë tjetër paqëndrueshmëria sociale, e cila përfton gjithfarë patologjish, dhe që nuk ka të bëjë me sistemin, por me kontradiktat e mëdha midis shoqërisë së sotme dhe sistemit vetë, ose mënyrës si e përfytyron veten ky sistem. Po sjell vetëm një shembull – bindjen masive, edhe pse nuk di sa të përligjur, se nuk stabilizohesh dot ekonomikisht në Shqipëri, qoftë edhe në nivele modeste, pa shkelur ligjin.

-Ku duhet ta kërkojë dhe ku mund ta gjejë e majta shqiptare themeluesin dhe aktin themelues të saj? A mund të fillohet me Fan Nolin; a mund të kërkohet diçka te grupet komuniste të Korçës, Shkodrës, Të Rinjve e tjerë?

Jo, grupet komuniste jo – asgjë nuk mund të merret prej tyre, përveç një mësimi moral – dhe pikërisht, që një idealist i mirëfilltë duhet të druhet shumë, kur i thonë që t’i besojë liderit! Fan Noli, nga ana e vet, ka qenë prift ortodoks – dhe do të ishte pak bizare, që e majta shqiptare të themelohej mbi kredon – shpesh kaotike dhe të kompromentuar nga retorika – të një kleriku. Ndoshta kjo e majtë, që hë për hë nuk mund ta kërkojë aktin e vet themelues përveçse se tek vetë realiteti i saj i përditshëm ose te elita që e drejton, duhet të mjaftohet me distancimin e prerë nga tradita enveriste, qoftë edhe duke e kyçur atë në muzeun e historisë ose më mirë në një laborator të lëndëve me toksicitet të lartë. Vetëm kështu mund të çlirohet, besoj, nga kompleksi i fajit për bëmat e enverizmit dhe të konsolidohet ideologjikisht si e majtë europiane dhe moderne.

-Kur flasim për letërsi në diktaturë kemi parasysh tri të tilla: letërsinë e shkrimtarëve socrealistë, atyre të ndaluar dhe, sigurisht Kadarenë. Nga shkrimtarët socrealistë ka mbetur thuajse asgjë; glorifikimi fillestar i shkrimtarëve të ndaluar nuk përmbyt më, ndërsa Kadare vazhdon të sundojë letrat shqipe…

Kadareja shquhej dukshëm prej kolegëve të vet që në vitet e regjimit komunist; i përkiste një klase krejt tjetër shkrimtarësh. Në rrethanat kur lexuesit shqiptar i mohohej aksesi në letërsinë bashkëkohore, roli kulturor i Kadaresë ishte unik. Sot rrethanat kanë ndryshuar dhe vepra e Kadaresë është vetëm një opsion mes shumëve; në një kohë që atë vepër e ka dëmtuar shfrytëzimi i paskrupullt, unë do të thosha deri edhe mizor, prej politikës dhe ideologjisë, të cilat e kanë shndërruar në një imazh dhe idhull të kombëtarizmit dhe kanë bërë që numri i atyre që janë gati “të vriten” për Kadarenë të vijë duke u rritur përpjesëtimisht me rënien e numrit të lexuesve dhe shijuesve të mirëfilltë të Kadaresë. Për këtë nuk kam në dispozicion shifra; edhe pse pamja mono-color e stendës së shtëpisë botuese Onufri, në Panairin e Librit, që më sjell ndërmend, dashur pa dashur, librarinë “Flora” në Tiranën e dikurshme, më trishton – sepse më bën të mendoj se çfarë dëmi mund t’i sjellë zyrtarizimi shkrimtarit. Herë pas here dëgjon të thuhet, për Kadarenë, se e përdorte regjimi i vjetër për synimet e veta; por kjo që po i bëhet sot e tejkalon shfrytëzimin e djeshëm, të paktën për nga dëmi. Sa për shkrimtarët e tjerë, nuk di ç’impakt ka pasur Camaj i rizbuluar – edhe pse nuk pres të ketë pasur ndonjë impakt të madh, njëlloj sikurse edhe Trebeshina dhe ndonjë shkrimtar tjetër i ndaluar; dhe kjo jo për mungesë të vlerave artistike, por thjesht ngaqë lexuesi ka ndryshuar, kërkon gjëra të tjera nga letërsia dhe jo rrallë i gjen, ngaqë edhe shtëpitë botuese komerciale kujdesen që t’ia sjellin; dhe nga ana tjetër, një pjesë e kësaj letërsie “sirtarësh” nuk arrin dot ta kapërcejë hendekun midis kohës për të cilën u shkrua dhe kohës kur po botohet. Më në fund, sa për shkrimtarët socrealistë, veç Kadaresë ka gjëra nga Dritëro Agolli, Petro Marko, Dhimitër Xhuvani, Sabri Godo që kanë rezistuar, por pjesa tjetër nuk ka ndonjë të ardhme, përtej fushës së studimeve letrare; dhe këtë e them edhe për vepra që nuk janë doemos të ndotura thellë nga metoda krijuese. Thjesht është një letërsi që nuk ka ç’t’i ofrojë më lexuesit, veçanërisht brezave të rinj.

-A mendoni se letërsia në gegnisht, e cila i paraprin jo vetëm letërsisë, por edhe gjuhës, pa kaluar shumë do të jetë një artefakt? A mund të ketë një kthesë që të mund ta rivlerësojë gegnishten duke e bërë më të aksesueshme?

Besoj se shkolla mund të ndihmojë për ta anashkaluar këtë rrezik; gjithë duke pasur parasysh se letërsisë, në përgjithësi, i ka rënë vlera, statusi dhe prestigji i dikurshëm. Nuk është pra çështja se lexuesi do t’i rrijë larg Fishtës ose Camajt; por se do t’i rrijë larg edhe Fishtës, edhe Camajt, edhe Kutelit, edhe Poradecit. Shkollës i bie barra që t’i edukojë fëmijët në mënyrë të tillë, që këta ta pranojnë si të natyrshëm diversitetin në traditë. Nga ana tjetër, ka autorë që shkruajnë ende gegnisht, pa çka se lexohen pak – por një shkrimtar sot duhet të jetë shumë me fat, që të lexohet gjerësisht. Unë do të prisja dhe shpresoja që të lulëzonte edhe teatri në gegnisht, aq më tepër që ka pasur një traditë të bukur në këtë drejtim; sikurse edhe një televizion me bazë në Shkodër, ku të ripërtërihej tradita tjetër, ajo e muzikës dhe e varietesë.

-A mendoni se Shqipëria dhe shqiptarët i kanë dhënë Europës më shumë apo e kundërta, i kanë marrë?

Shqiptarët edhe kanë dhënë, edhe kanë marrë; por Shqipëria nuk më rezulton t’i ketë dhënë shumë Europës – kokëçarje, aleanca të gabuara, probleme sociale (1997-a të vjen ndërmend ose edhe eksodi i fillimviteve 1990), dhe tani vonë kriminalitet, logjistikë të mafies dhe trafik njerëzor. Tjetër punë që për këtë kanë pasur fajin e tyre fuqitë e mëdha europiane, të cilat që në fillim e gjymtuan shtetin shqiptar, duke mos i lënë hapësirë për t’u këndellur dhe optimizuar si fqinjët e vet. Mirëpo historinë nuk e zhbëjmë dot; ndërsa tani duhet të shlyejmë urgjentisht imazhin e shqiptarit jo si identitet kombëtar, por si profesion të krimit – dhe jo duke e denoncuar dhe duke u hequr si të fyer poshtë e lart, por duke luftuar me të madhe kapjen e shtetit prej krimit të organizuar.

-A mund të përmendni një grusht europianësh të padyshimtë mes shqiptarëve?

Jo, kam frikë se nuk e bëj dot. Në përgjithësi, nuk më ndodh të mendoj për dikë si “europian” – madje vetë mbiemri, në këtë kontekst, më kujton një mbiemër tjetër, “i jashtëm”, që e kemi pasë përdorur në fëmini, për gjithçka që na dukej se shkëlqente. Nga ana tjetër, e kuptoj se, që nga koha kur jam larguar unë prej Shqipërie, ose fillimvitet 1990, shumë gjëra kanë ndryshuar; dhe sot, të jesh europian, mund të jetë edhe thjesht një opsion; dhe jo imperativ moral dhe kulturor, si më parë. Çfarë nuk e prisja, ishte që kjo periudhë të nxirrte mbi ujë një lloj shqiptari joeuropian, ose anti-europian, që ndonjëherë, për të kompensuar, vë edhe flamurin europian mbi tryezë. Por unë s’i kam përjetuar drejtpërdrejt këto zhvillime; ndërsa në ShBA, ku jetoj, duhet të përpiqesh shumë, që të gjesh ndonjë “europian”, në kuptimin që i jepni ju, mes shqiptarëve të këtushëm – të cilëve zakonisht u del dhe u tepron “Amerika.” Megjithatë, Amerika është shumë larg Shqipërisë – gjeografikisht dhe si realitet; aq larg sa mund të shërbejë vetëm si pikë referimi simbolike, abstrakte, kur nuk shërben si prind dhe tutor ideal ose shpëtimtar yni, që do të na gjendet pranë në vështirësi, siç edhe na është gjendur. Këtë rol Europa nuk e luan dot, për arsye historike, politike dhe kulturore. Prandaj edhe ma merr mendja që sfida më e vështirë, për qytetarin shqiptar sot, është të bëhet europian edhe duke iu afruar Europës, edhe duke e zbuluar Europën brenda vetes.

http://mapo.al/new/2014/04/12/ardian-vehbiu-e-majta-duhet-te...

 

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

<p>Nuk eshte se i ka thene gjerat gabim, problemi eshte se ka thene ato gjera qe dihen, madje ne menyre krejt te rendomte. Ja pra edhe nje studimtar tjeter i rendomte.</p>

Submitted by RP (not verified) on

Pyetje te gjata,pergjigje te gjata,por sidoqofte ka thene c'ka dashur dhe mire biles.Shoqeria e sotme eshte lehtesisht e lexueshme,nuk eshte nevoja ta jetosh ne Tirane qe te japesh pershtypjet,madje eshte si Hena,qe kur e sheh nga larg ia shquan njollat.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.