Analistët në “Kosova Sot”: Qeveri teknike dhe zgjedhje të reja

"Qeveri teknike dhe zgjedhje të reja". Me këtë titull e nis shkrimin kryesor e përditshmja “Kosova sot”. Sipas saj, kriza politike duket se imponon zhvillime të reja, ndërkohë që analistët e vlerësojnë të dështuar në start koalicionin PDK-LDK. “Kosova Sot” shkruan se shpërthimi i pakënaqësive të qytetarëve, që ndërlidhet me gjendjen e rëndë në vend, si pasojë e keqqeverisjeve, që kulmuan me koalicionin e dy partive,që mbajnë përgjegjësinë për shumë dështime, mund ta vërë në rrezik Qeverinë aktuale. Sipas “Kosova Sot” pas një ngërçi 6-mujor, me formimin e Qeverisë, njerëzit nisën të ikin nga Kosova, sepse u humbi shpresa për një jetë më të mirë. Sociologu Fadil Maloku, duke arsyetuar të gjitha shkaqet e nxitjes së këtyre protestave të fundit, dhe mungesën e gatishmërisë politike për dialog në mes të pozitës dhe opozitës, për të gjetur një rrugëzgjidhje, nuk e përjashton fare rrezikun e rrëshqitjes së vendit në trazira. Për profesorin Riza Smaka, hapja e dialogut për Qeveri teknike dhe ananzhimi i kalendarit të ri zgjedhor do të duhej të ndodhte vetëm pasi të jetë arritur paraprakisht një akordim politik për disa detyra, që duhet të kryhen nga qeveria aktuale. “Papërgjegjësia juridike e morale për mospërfilljen e zotimeve dhe të premtimeve zgjedhore, adresuar votuesve dhe opinionit publik, duhet të ndëshkohet me sanksionet e zgjedhësve, që kanë zgjedhur këta njerëz”, tha Smaka për “Kosova Sot”.
l.v
http://www.kosova-sot.info/politike/kosove/qeveri-teknike-dhe-zgjedhje-te-reja
Add new comment