Agolli: Jam si një kalë që i kanë rënë patkonjtë nga udhëtimi i gjatë, megjithatë, këtij kali patkonjtë e trurit ende i mbathen!

Dritëro Agolli bashkë me francezin Andre Vauchez, ishin dy shkrimtarët e huaj në Itali që morën çmimin letrar “Carlo Levi”, në edicionin e 16-të të ndarjes së këtij çmimi të themeluar në vitin 1988. Në motivacionin për dhënien e çmimit për Agollin thuhej se, vargjet e tij i japin jetë një thirrjeje prekëse, në të cilën të gjithë elementet e jetës gërshetohen e shkrihen tek njëri-tjetri për të ravijëzuar një identitet i cili është fëmijëri, punë, dhimbje, beteja, dashuri, përhumbje dhe shpëtim.
Me këtë rast poeti Dritëro Agolli u ka dërguar një letër organizatorëve të ccmimit, ku ndër të tjera shkruan: Unë sot duhet të isha atje, mes jush, por jam si një kalë që i kanë dalë brinjët dhe i kanë rënë patkonjtë nga udhëtimi i gjatë, megjithatë, këtij kali patkonjtë e trurit ende i mbathen. Por të mos bëhem i mërzitshëm si personazh parlamenti, falënderoj Jurinë e Edicionit XVI të Çmimit Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi” dhe veçanërisht Rafaele Nigron, mikun e mirë dhe shkrimtarin e shquar, vepra e të cilit tanimë është njohur dhe pritur në Shqipëri me dashuri dhe vlerësim nga lexuesit e shumtë dhe kritika letrare.
Duke mbyllur letrën Agolli në mënyrë metaforike shkruan se letërsia shqiptare që në fillimet e saj është ushqyer nga letërsia, arti dhe kultura italiane, sepse jemi fqinj dhe, siç thonë, na ndan vetëm një mur uji dhe mbi këtë mur uji, siç fluturojnë pulëbardhat në brigjet tona, ashtu fluturon poezia, proza, muzika dhe të gjitha artet e tjera.
Zh.
Add new comment