Agjensia INA: "Bomba" e radhës në Shkup, mbi 100 gazetarë të përgjuar

Agjensia e lajmeve “INA” njofton se për herë të parë u publikua një bisedë e kryeministrit Nikolla Gruevski. Mbi 100 gazetarë të përgjuar. Sipas “INA”-s lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev publikoi të ashtuquajturën bombën e radhës të përgjimeve, ku zbardhen përgjime masive të gazetarëve. Zaev theksoi se sipas dokumentacioneve të siguruara mbi 100 gazetarë janë përgjuar viteve të fundit në Maqedoni nga ana e Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit. “Janë përgjuar edhe gazetarët proqeveritarë dhe gazetarët profesionistë në Maqedoni. Këto biseda zbulojnë lidhjen midis kryeministrit – DSK dhe mediave. Do të dëgjoni materiale shokuese se si pushteti përgjon dhe ndjek gazetarët, si bëhen presione dhe si ndërhyhet në forma të ndryshme për të vënë kontrolle mbi mediat”, deklaroi Zaev. Ai gjatë konferencës publikoi disa biseda që kryesisht dominuan ato midis ministres së brendshme Gordana Jankulovska dhe shefit të kabinetit të kryeministrit Martin Protugjer, më pas biseda midis Jankulovskës dhe shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov, biseda midis Mijallkov dhe kryeredaktorit të televizionit Sitel, Dragan Pavloviç – Latas, por edhe një bisedë midis kryeministrit Nikola Gruevski dhe ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski. Më i përgjuari nga gazetarët rezulton të jetë tanimë i ndjeri Nikolla Mlladenov, gazetarë dhe pronar i javores FOKUS. Sipas Zaevit e vërteta për Maqedoninë është shumë e dhimbshme, e rëndë dhe e papranueshme për një njeri normal.
l.v
Add new comment