90 vjet nga themelimi i Medresesë së Tiranës, kryeministri: “Sot si emergjencë shfaqet nevoja e shpëtimit të civilizimit”

Postuar në 11 Mars, 2015 19:24

Medreseja e Tiranës mbushi dje 90 vjet nga themelimi i saj, duke na kujtuar se është një ndër institucionet arsimore fetare më të vjetra në vend. Një fjalë ka mbajtur me këtë rast edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pranishëm në ceremoni, fjalë përmes së cilës ai ka dërguar disa mesazhe. “Medresetë lipset të konfirmohen në frymën e shekullit në të cilin jetojmë. Në kundërshtim me ç’u mendua nga filozofë entuziastë, edhe pse shpesh herë shumë të kthjellët, sot nuk duket se ideja e Hyjit të ketë vdekur, as që fetë të jenë duke shkuar drejt fundit. Përkundrazi, ato madje u rikthyen fuqishëm edhe në një vend si Shqipëria, e cila nekrologjinë e Zotit e shpalli edhe në Kushtetutë për disa dekada. Emergjenca e kohës nuk është pra shpëtimi i fesë, apo “nderit të Zotit”, siç shprehen disa fanatikë dritëshkurtër. Aktualiteti dëshmon në të kundërt se si emergjencë, për të gjithë, shfaqet nevoja e shpëtimit të civilizimit, e shpëtimit të kulturës, e shpëtimi të qytetarisë. E pa asnjë dyshim, brenda kësaj nevoje për shpëtim, feja është ithtar i pazëvendësueshëm”, tha Rama. Dhe një nga mënyrat për të përmbushur këtë mision është krijimi i qytetarëve të mirë dhe të përgjegjshëm. “Ky mision, që e tashmja e ngatërruar ja vë barrë mbarë Islamit të ndriçuar dhe myslimanëve të ndritur e të ditur, është edhe më tepër misioni historik dhe lavdia e përveçme për të cilën kjo medrese dhe medresetë e tjera të Shqipërisë duhet të aspirojnë me përdëllim dhe me zjarrin e zemrës”, tha kryeministri, që ka “paralajmëruar” se shekulli XXI e ka fenë si karkateristikë dominuese dhe të pazgjidhshme. “Shkrimtari i madh agnostik francez, André Malraux na ka lënë trashëgim një profeci, e cila, në kontekstin aktual, shfaqet e mbarsur edhe me një dozë ankthi: “Shekulli XXI-të, do të jetë fetar ose nuk do të jetë”. Prandaj stërmundohemi…që mbi profecitë të ndërtojmë një shekull qytetarie dhe urtësie. Kjo është sfida…”, përfundoi kreu i qeverisë.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.