2014-ta, vit i vështirë për sistemin energjitik shqiptar

Vjet, sipas raportit zyrtar të ERE-s, prodhimi neto i energjisë elektrike nga sistemi energjitik shqiptar ishte pothuaj 7 mijë GWh, ndërkohë që nevojat e vendit për energji kapën shifrën 7.7 mijë GWh. Pra, prodhimi vendas, i cili gjenerohet nga hidrocentralet dhe ka kosto ndjeshëm më të ulët se importet, plotësoi 90% të nevojave të vendit për energji elektrike. Vlera e energjisë së importuar ishte pothuaj sa 0.4% e Produktit të Brendshëm Bruto të vjetshëm. Rritja reale e këtij të fundit ishte vjet 1.4%.
Sivjet, sipas shifrave operative të KESH-it, prodhimi vendas ka arritur deri më sot në kuotën 4.9 mijë GWh, që është sa 7/10 e prodhimit të vjetshëm. Prodhimi vendas ka mbuluar sivjet vetëm 65% të nevojave për energji elektrike. Pjesa tjetër e nevojave është mbuluar me energjinë e importuar me kosto ndjeshëm më të lartë se sa ajo vendase. Vlera e energjisë së importuar sivjet është pothuaj sa 1.4% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Parashikimi i institucioneve ndërkombëtare për rritjen e PBB-së sivjet është 2%.
E.Zaloshnja
Add new comment