“Panorama”/ Zbardhet dëshmia e “Tonit” rreth akuzave të Tom Doshit: Nuk dhashë porosi për vrasjen e deputetëve

“Panorama” shkruan sot rreth dëshmisë së Fajton Skënderit në Prokurori. Sipas saj, për pesë orë e 40 minuta, Fajton Skënderi, i përmendur ditët e fundit edhe me emrin “Toni” dëshmoi dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai dha deklarime para prokurorit që po heton akuzat e Tom Doshit për një skenar vrasjeje ndaj tij. “Panorama” shkruan se biznesmeni Fajton Skënderi, 46 vjeç, është paraqitur në organin e akuzës rreth orës 09.00 të mëngjesit të djeshëm. Ai ishte i shoqëruar nga forcat speciale të Policisë, ndërsa hyri në godinën e Krimeve të Rënda përmes tunelit të sigurisë. Grupi i policëve shoqërues të Skënderit përbëhej nga efektiva të sektorit të mbrojtjes së dëshmitarëve. Pasi ka hyrë në Prokurori, Fajton Skënderi ka dhënë deklarimet e tij para prokurorit, Përparim Kulluri dhe hetuesit të çështjes Ervin Brahaj. Në deklarimet e tij, Fajton Skënderi, sipas Prokurorisë ka pohuar se është i gatshëm të ballafaqohet me Tom Doshin dhe Durim Bamin për të mohuar në prani të tyre akuzat se ka qenë porositës apo ndërmjetës për ndonjë plan vrasjeje. Makina me te cilën ‘Toni’ u largua pas dëshmisë te Krimet e Rënda. Sipas “Panoramës” Fajton Skënderi ka mohuar para prokurorëve të ketë qenë pjesë e skenarit që përmendet në akuzat e deputetit Tom Doshi. I kthyeri nga Gjermania tri ditë më parë, u ka thënë prokurorëve se nuk ka njohje të afërt me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, dhe bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi.
Add new comment