“Panorama”/ Mark Frroku përballet sot me Doshin në prokurori. Deklarata: S’di pse Toma më përfshiu, nuk kam asnjë lidhje me të

“Panorama” shkruan se deputeti i Partisë Kristiandemokrate, Mark Frroku, do të jetë sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për t’u ballafaquar me deputetin Tom Doshi. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton akuzat e deputetit Doshi se është tentuar të vritet nga njerëz të pagua nga kryetari i Kuvendit, ka thirrur dy deputetët, Doshi dhe Frroku, për të ballafaquar një moment të dëshmisë të ishdeputetit socialist. Sipas Doshit, planin për vrasjen e tij nga Durim Bami e kishte marrë vesh fillimisht nga Mark Frroku. I pyetur në telefon nga “Panorama”, Frroku tha se “patjetër që do të shkoj në Prokurori, gjithnjë në zbatim të ligjit. Unë jam ligjbërës dhe nuk mund të mos respektoj ligjet që miratohen në Kuvend”. i Rreth deklaratës së Doshi, Frroku,tha për “Panorama” se “unë kam dëshmuar dhe do të dëshmoj vetëm të vërtetën. Kjo është e vërteta ime. Nuk e di pse Tom Doshi përfshiu emrin tim në këtë çështje, pasi unë nuk kam pasur asnjë lidhje dhe asnjë dijeni rreth saj”. Ai ngre dyshime dhe rreth qëllimeve të kësaj historie. “Nuk e di se përse kolegu Doshi e bëri këtë histori dhe se nga kush është mbështetur, por unë e them me pastërti se nuk kam asnjë lidhje me të. Kjo është e vërteta ime dhe këtë do ta them në çdo ambient sa herë të më kërkohet”, tha deputeti Frroku për “Panorama”.
Add new comment