“Panorama”/ Letra e Doshit për Llallën: Duhet të pyetesh edhe ti, vure në dijeni personin e dyshuar

Deputeti Tom Doshi i është drejtuar me një kërkesë prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ku përveç dyshimeve të tij për një proces hetimor të pabesueshëm, i rendit edhe arsyet se përse kërkon një hetim ndërkombëtar. Ja çfarë shkruhet në letër:
Kërkesë, drejtuar: Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla. Kërkues: Tom Doshi, i biri i Gjekë lindur më 6 qershor 1966, në Shkodër dhe banues në Tiranë, në rrugën “Qemal Stafa”. Baza ligjore: Neni 110, Kodi i Procedurës Penale. “I Nderuar zoti Prokuror i Përgjithshëm. Siç dihet së fundi, Prokuroria për Krime të Rënda, mbi bazë të Urdhrit Tuaj ka nisur hetimin kryesisht mbi deklarimet e mia se ka pasur një tentativë për vrasje ndaj meje dhe një tjetër deputeti, disa muaj më parë, të porositura nga Z. llir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Hetimi i kësaj çështjeje po vijon intensivisht dhe konstatohet lehtësisht se publiku njihet online pothuajse me çdo detaj të veprimtarisë hetimore. Në këtë çështje janë pyetur edhe funksionarët më të lartë të vendit, të cilët janë të përfshirë në çështje si persona që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, përveç dyshimeve të konkretizuara prej meje. Po ashtu, së paku në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, është e domosdoshme që të pyetet edhe ishdrejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, si dhe Ju që jeni Prokuror i Përgjithshëm. Për sa më sipër, duke qenë se në çështje (në cilësitë e sipërpërmendura) janë të përfshirë aktorët kryesorë politikë, vendimmarrës në vend dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, si dhe Prokurori i Përgjithshëm, i denoncuari prej meje si porositës i vrasjes është funksionari më i lartë i Shtetit pas Presidentit të Republikës…”
Sipas “Panoramës”në shkresën që i është dërguar dy ditë më parë kryeprokurorit Llalla, Doshi shprehet se edhe ai duhet të japë deklarimet e tij lidhur me ngjarjen, pasi është person i vënë në dijeni prej tij. Madje, Doshi nënvizon se, sipas tij, Llalla është edhe i dyshuar për njoftimin e të dyshuarit të ngjarjes, për fakte që vetë ai e kishte vënë në dijeni më parë. Kjo sipas tij e bën edhe më të pabesueshëm procesin. Më pas, Doshi i përmend dy raste konkrete, atë të vrasjes së deputetit Azem Hajdari dhe çështjen e 21 janarit, ku janë përfshirë prokurorë dhe ekspertë ndërkombëtarë.
Add new comment