“Panorama”/ Dëshmia në Prokurori, Frroku, përkundër asaj çka tha Tom Doshi, deklaron se nuk e njeh Durim Bamin

“Panorama” shkruan se deputeti kristiandemokrat, Mark Frroku, duket se ka mohuar të ketë qenë në dijeni për ndonjë atentat apo komplot për vrasje ndaj kolegut të tij, Tom Doshi. Një ditë pas deklaratave të Doshit, që tha se ishte njoftuar nga kolegu i tij i Partisë Kristiandemokrate për “planin e vrasjes”, Prokuroria e Krimeve të Rënda mori në pyetje dje deputetin Mark Frroku. Ai ishte në listën e shtatë zyrtarëve të parë, që organi i akuzës kërkoi për t’i marrë në pyetje për hetimin e hapur mbi akuzat e Tom Doshit. Sipas “Panoramës”burimet jozyrtare nga Prokuroria konfirmuan dje vetëm faktin se gjatë dëshmisë së tij, Mark Frroku, ka thënë se nuk e njihte dhe nuk e dinte kush është shtetasi Durim Bami. Të njëjtat burime nga organi i akuzës, refuzuan të bëjnë komente të mëtejshme në lidhje me çështjen, për shkak të sekretit hetimor. Nga ana tjetër, vetë deputeti Mark Frroku, në dalje të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi dëshmoi për më se një orë e gjysmë aty, ka thënë para kamerave se nuk ka qenë në dijeni të ndonjë komploti ndaj kolegut të tij Tom Doshi.
Add new comment