“Monitor”/ Mars - individët drejt alternativave të tjera, vijojnë të zbrazin depozitat në lekë

Me normat e interesit të depozitave në lekë, që janë në minimumet historike, individët kanë vijuar për të 18-n muaj radhazi largimin e kursimeve të tyre nga bankat. “Monitor” shkruan se sipas statistikave të bankës së Shqipërisë, në mars, depozitat e individëve në lekë ranë me 2.2 miliardë lekë, apo 0.6%. Në raport me një vit mëparë, tkurrja është 6%. Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë 13 herë që nga shtatori 2011, është transmetuar me shumë tek norma e kthimit të depozitave, që ka zbritur në rreth 1.5-1.6% për kursimet 12 mujore (nga rreth 6% që ishin para se institucioni monetar qendror të fillonte politikën lehtësuese), duke i bërë individët të kërkojnë alternative më fitimprurëse. Ata i janë drejtuar investimeve në letra me vlerë afatgjatë (obligacione), ose tek fondet e investimit. Edhe në total, depozitat shënuan rënie të lehtë me 0.1%, duke arritur në 974.2 miliardë lekë. Me bazë vjetore (mars 2015/mars 2014), depozitat në total janë zgjeruar me 2.3%. Në total, depozitat në valutë shënuan një rritje të lehtë në mars me bazë mujore, me 0.1%, ndërsa ato në lekë u reduktuan me 0.2%.
Add new comment