“Mea Culpa” e Qosjes: S’fola kur u dënuan studentët e mi, s'gjeta guximin. Nga dënimet më mbrojti Fadil Hoxha

Postuar në 27 Prill, 2014 04:54

Pengje për një kohë që nuk kthehet më, pendesa e thellë për marrëdhënien me gruan dhe fëmijët, por edhe mosguximi për të mbrojtur studentët që arrestoheshin zënë vend në ditarët e profesor Rexhep Qosjes. Akademiku rrëfen në “Gazeta Shqiptare”, në intervistë për gazetaren Fatmira Nikolli, përmbajtjen e ditarëve (1966-2014), jep një gjykim për politikën shqiptare sot por edhe u përgjigjet akuzave që i janë bërë rreth arsyeve se pse ai u ka shpëtuar dënimeve. Në intervistën e tij, Qosja thotë se personi që e ka mbrojtur nga dënimet është politikani kosovar Fadil Hoxha, lidhja me të cilin erdhi për faktin se Qosja ka qenë nxenës i bashkëshortes së Hoxhës. (k.k)

Cili është mëkati që mund të ndani me lexuesit e gazetës, një mëkat i rrëfyer në ditar, që mund të rrëfehet edhe këtu?

Rexhep Qosja: Ka pasur situata kur në vend që të flas, unë kam heshtur. Dhe sot, unë pendohem për këtë. Pra, është dashur të flas, por unë kam heshtur. Atë heshtje unë e kam shënuar në ditar. Nuk është vetëm një ngjarje, mund të jenë disa situata. Është mëkat i imi, edhe se unë ditarët, pjesën më të madhe të kohës i kam shkruar pasditeve, mbrëmjeve dhe natën. Me kanë marrë kohën që duhet ë kisha për gruan dhe për fëmijët. Atyre nuk u kam dhënë mundësinë të kenë gëzime, argëtim, qejfe në jetë sa do të duhej t’u krijojë me përkushtimin tim. Unë mbyllesha në dhomë dhe punoja, ndodhte edhe 18 orë në ditë, ndërsa fëmijët e gruaja ime ishin pa mua. Ky është një mëkat që më mundon, edhe pse në këtë kohë kam bërë një punë.

Ndërsa mëkati i “heshtjes”?

Rexhep Qosja: Kanë qenë situata e masa të ndryshme politike, ku unë duhet të kisha ngritur zërin. Për shembull,  kur janë dënuar djemtë tanë, disa studentët e mi, e janë nxjerrë në gjyq. Unë tani mundem të them se është dashur të dal publikisht dhe të dënoj atë gjykim dhe dënim të tyre. Unë i kam dënuar këto akte në ditar me shkrim, por publikisht nuk kam pasur mundësinë të dal, ose nuk më është dhënë hapësirë. Por mbase atë hapësirë mundej, edhe duhej, ta kisha gjetur në Kroaci a Slloveni por ja që nuk e kam pasur në një moment të caktuar atë guximin që të dënoj gjykimin  e një grupi të caktuar në një moment të caktuar nga shteti i kohës. Të tilla janë rastet e mëkateve dhe pëndesave të ma.

Tani që e mendoni i qetë, pse heshtët? Kishit frikë?

Rexhep Qosja: Kisha një drojë prej masave politike, drojë prej së cilës nuk qeshë i lirë në çdo situatë. Tani mendoj se do të ishte më mirë që të kisha rrezikuar më shumë, megjithëse në ditar shihet që kam rrezikuar jo pak, kam rrezikuar mjaft. Prej rreziqeve që më janë kanosur, jo vetëm për dënim politik, por edhe për pushim nga puna, edhe për burgosje, më ka shpëtuar një njeri që është figura më e shquar politike e Kosovës dhe quhet Fadil Hoxha.

Në fakt, ka pasur akuza ndaj jush, akuza ku thuhej se është një arsye për të cilën ju u keni shpëtuar dënimeve, e akuza ku aludohej shumë për ju. Pse ju shpëtonte ai dhe si e ka bërë këtë?

Rexhep Qosja: Ai në mënyrë të hapur u ka thënë zyrtarëve që vendosnin për fatin e intelektualëve, mbani duart larg prej Rexhep Qosjes. Pse e bëri? Sepse mua në Normalen e Prishtinës më ka dhënë mësim gruaja e Fadil Hoxhës. Pa modesti, i lejoj vetes në këtë rast mungesën e modestisë, kam qenë i mirësjellshëm, i edukuar, një nxënës i rregullt, i shkëqyer në mësime, nxënës që nuk sillte probleme. Ka qenë gruaja e Fadil Hoxhës që ka ndikuar vendosmërisht që të më mbronte i shoqi, Fadil Hoxha. Ai ka çuar ish-drejtorin e e Normales në Komitetin Komunal të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës që të kërkojë sqarime se ku ishin problemet e tyre me Rexhep Qosjen. Ai u ka thënë:” Unë vij me porosinë e Fadil Hoxhës që Rexhep Qosjen ta lini të qetë, të punojë i lirë”. Më kanë shkarkuar nga detyra e drejtorit, më kanë dënuar edhe partiakisht, por nuk më kanë burgosur. I kam një borxh moral e njerëzor Fadil Hoxhës dhe këtë e kam thënë hapur dhe shpjeguar në ditar. Të mos harrojmë se Fadil Hoxha ka qenë nxënës i Normales së Elbasanit dhe sado që ka qenë zyrtar i lartë në Jugosllavi, që zbatonte politikën e atij shteti, ishte atdhetar gjithëkombëtar. Kam pasur tri a katër biseda me të, në katër sy, dhe e kam ndjerë, e kam parë, dhe e kam përjetuar nostalgjinë që kishte Fadil Hoxha për Shqipërinë.  (G.SH Print)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.