“Letra anonime” ose “letra nga populli” për të luftuar korrupsionin

Postuar në 10 Dhjetor, 2014 20:37

Qeveria ka organizuar dje një Forum për Luftën kundër Korrupsionit përmes të cilit është synuar të jepet mesazhi se ekzekutivi është ngritur në këmbë për të luftuar këtë dukuri që përflitet kaq shumë. Madje (prej një viti)është caktuar edhe një koordinator kombëtar që është Bledi Çuçi për këtë çështje, i cilin në fjalën e vet para të pranishmëve, foli “për një vullnet të hekurt të qeverisë për të luftuar korrupsionin”. Edhe pse Shqipëria vetëm para disa ditësh doli në listën e kuqe për korrupsion, apo edhe pse kreu i OSBE-së në Tiranë, Rauning tha hapur se “ende nuk është arrestuar ndonjë zyrtar i nivelit të lartë”.

Ka diçka që stonon në këtë koreografi politike të radhës që vihet në skenë nga ekipi socialist. Diçka që nuk shkon kur synohet të rroket si zotim moral goditja ndaj korrupsionit, ndërkohë që do të mjaftonte shembulli i përditshëm i zbatimit të ligjit për ta ndryshuar klimën e përgjithshme. Dhe ka diçka shumë jo koherente kur politika bërtet me të madhe për këtë, ndërkohë që varfëria dhe problemet ekonomike sa vijnë e bëhen pjesë e pandarë e përditmërisë. Por ka edhe diçka shumë arrogante dhe fyese, kur kryeministri thotë se “ky Forum është vetëdija se i detyrohemi të gjitha palëve, transparencë në raport me çka kemi bërë dhe me çka duam të bëjmë”. Për çdo shqiptar do të mjaftonte të hidhte sytë mbi siglat e partive të koalicionit, emrat dhe mbiemrat e ministrave, kryetarëve të partive, t’i shkruante në fushën e kërkimit në “Google” dhe pastaj të rehatohej duke parë rezultatet. Me siguri gjithkush e kupton se do të sodiste të vërtetat e djeshme, që ishin dhe mbeten kripa e gjellës humoristike të politikës shqiptare, aty ku fjalitë kanë ndërruar vendin, ku etiketimet lindin dhe rilindin, për t’u anestezuar me gënjeshtra dhe premtime monotone. Arritje të protokolluara dhe të shëtitura me forcë në mendjet e çdo shqiptari, i specializuar tanimë edhe njëherë në autocensurë. Shikoni sesi të gjitha sondazhet nuk e gjejnë dot se çfarë mendon votuesi shqiptar. Kryeministri flet me të madhe për transparencë, mirëpo ka disa raste kur vetë i ikën transparencës të cilën jo rrallë e vetëshërben për çështje nga më të ndryshmet. Askush nuk di në Shqipëri se çfarë ndodhi me armët kimike, pse u tha “jo” dhe pse u mbajt aq shumë heshtje për një kohë të gjatë? Askush nuk e kupton se përse kryetari i qeverisë aktuale kërkon të tallet dhe të shmanget ndaj përgjegjësisë për të folur dhe dhënë sqarime mbi të kaluarën e disa deputetëve të Grupit të vet Parlamentar, ndaj të cilëve ka fakte flagrante e që pranohen prej vetë atyre? Për "çudi" Edi Rama nuk po zë më në gojë as Xhin Xhonin. Askush nuk e di me siguri se çfarë ndodh sot me mushkonjën e Divjakës, që kapi në kundërthënie publike ministrin e Brendshëm dhe desh pickoi keqas qeverinë. Jemi dëshmitarë sesi kryeministri, thuajse njësoj si paraardhësi i vet, ka adoptuar tezën e rrëshqitjes në luftim me publikun. Ka shqetësime për çmimin e energjisë ndërkohë që prej kreut të qeverisë na flitet vetëm për aksionin e shkëputjes së lidhjeve të paligjshme. Së fundmi debitorët po shpallen si shkelës të ligjit dhe po na thuhet publikisht se do të largohen nga puna. Dhe më shqetësuesja: të zgjedhurit e popullit brenda PS-së nuk flasin. Natyrisht është në detyrën e çdo qeverie që të veprojë në vendosjen e ligjit, por duke ruajtur një raport të drejtë me kufirin e paqes sociale. Sidomos kur situata e vështitrë ku ndodhet vendi, si pasojë e qeverisjes së kaluar rrezikon të rëndohet për shkak të paaftësisë së opozitës së djeshme.

Sot na përsëritet shpesh një si biçim filozofie televizive sipas së cilës “sistemi korrupton njerëzit dhe nuk janë njerëzit që e korruptojnë sistemin”. Po çfarë propozohet për të korrigjuar sistemin defektoz që kemi patur deri më sot? Na u tha se do të vihet në përdorim një “kuti shërbimesh online, e cila gjendet në faqen e Kryeministrit dhe të çdo ministri dhe ndiqet edhe kjo nga një skuadër e tërë mbrapa, që është vetëm për vonesat". Dhe më tej: "Çdokush që has një vonesë në dhënien apo në marrjen e një shërbimi mjafton të klikojë në kutinë e Shërbimeve Publike të ministrit përkatës apo të Kryeministrit. I gjithë ky është një sistem postar i Qeverisë, i lidhur online dhe brenda 10 ditësh ka përgjigjen për ankesën”. Pa paragjykuar aspak dëshirën e mirë, duhet thënë se sistemi në fjalë imiton të dikurshmet letra anonime. Ose në rastin më të mirë të kujton rubrikën “letra nga populli” në disa të përditshme. Edhe asokohe një anonime të bënte gjëmën. Por pa i dhënë këtë karakter pezhorativ, ecim pak më vonë, te qeveria që iku. Berisha ngriti njësinë antikorrupsion në kryeministri, më tej vuri në dispozicion edhe një numër celulari ku çdo kush mund t’i shkruante. Nga fundi madje thoshte se “mua më vijnë mesazhe shumë edhe në “WhatsApp”. E megjithatë i dimë rezultatet. Ky sistem denoncimi online nënkupton një besim tek ata “lart”, duke supozuar se korrupsioni dhe padrejtësia zhvillohet poshtë. Kështu që edhe besimi i njerëzve nuk do të jetë te sistemi, por te njerëzit që drejtojnë atë. Prandaj  askush nuk garanton se me ikjen e këtyre garantëve edhe sistemi, në mos është korruptuar, do të bjerë.

Në fund diçka që duhet të vihet në qendër të debatit në Shqipëri. Dhe kjo lidhet me premtimet, me ata që votojmë për atë që na premtojnë. Qeveria aktuale është shembulli më elokuent sesi një program elektoral bëhet kurban brenda një viti. Nëse i hedhim një sy projektit të propozuar nga PS-ja do të vërejmë synimet me natyrë sociale në të; heqje TVSH-je, ulje taksash, ulje e kostove të jetesës etj.. Sot jemi dëshmitarë të provës së kundërt, të provës kur stabiliteti financiar po mishërohet te rraskapitja fiskale e financiare e qytetarëve, ndonëse ata nuk janë përgjegjës për këtë situatë. Dhe çfarë thotë sërish kryeministri në përgjigje të pyetjes që rri si çekan, se përse nuk mbahen premtimet: “I dëgjoj kur thonë, të ikin se nuk ulën energjinë elektrike. Premtuan ta ulin dhe nuk e ulën. Të ikin se nuk e bënë shëndetësinë falas. Të ikin se nuk i bënë legalizimet falas. Dhe ndërkohë që në një vit, ne po vendosim gurët e themelit të një shteti modern të shqiptarëve. Shtet, ne mund të kemi pasur tek-tuk, por shtet shqiptar me institucione që shërbejnë, pavarësisht sektorëve, në të gjithë horizontin, ne nuk kemi pasur. E, për më tepër, kush ka punuar dhe e di se ç’është puna, e di shumë mirë se çdo punë kërkon kohën e vet”. Në të vërtetë askush nuk ka thënë që qeveria të ikë, sepse ende askush nuk e ka të vrarë shpresën, e mbetur në funksion të mbijetesës. Por do të ishte mirë që kjo shpresë të mos keqpërdoret kaq shumë si në përgjigjen më lart.

s.z

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

shkrim pa autor!

Qartasi krahasohen mollet me protokallet

Transparence kuptohet lufton korrupsionin, por ti kerkosh qeverise qe te ndaj (bej publik) informacionin e armeve kimike me publikun eshte njesoj sikur Shqiperine anarkike (te krijuar nga sponsorizuesit e artikullshkruesit-PD) ta shtrish kudo dhe ne cdo qelize

Aq me teper kjo kerkohet nga ata qe shkaterruan cdo gje ne kete vend

tung

PS Jam dakort qe korrupsioni luftohet vetem duke bere drejtesi-kokat e larta ne fillim si Kroacia

Nuk jam i sigurte qe kjo mazhorance apo nje pjese e saj ka deshire per ta bere kete gje.

Rreziku eshte qe pa luftuar/denuar kokat e larta, te gjitha keto aksione do ti kthehen pas E Rames

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.