“KosovaLive”: Qeveria në luks, mbi dhjetë milionë euro në vit shkojnë për ministra, zv.ministra e këshilltarë

Kanë kaluar gati 4 muaj që kur Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës, e krijuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mori pëlqimin e deputetëve të Kuvendit. “KosovaLive” thotë se kabineti i tashëm qeveritar është më i madh se ata paraprakët. “Pse po ndodh kjo në kohën kur popullata po varfërohet nuk preferojnë të japin përgjigje zyrtarët e partive të koalicionit qeverisës”, shkruan “KosovaLive”. Sipas saj edhe kohë më parë, “KosovaLive” ka raportuar se sa pritet që të shpenzojë Qeveria e Kosovës për katër vitet e ardhshme, respektivisht sa do t’i kushtojë ajo taksapaguesit kosovar. Sipas një parallogaritje të thjeshtë një zëvendëskryeministër do t’u kushtojë qytetarëve të Kosovës rreth 215 mijë euro. Pagat e 20 ministrave do të kushtojnë mbi 1.2 milion euro, kurse pagat e rreth 50 zëvendësministrave mbi 2.5 milionë euro. Pagat e rreth 170 këshilltarëve politikë do të krijojnë rreth 5.4 milionë euro shpenzime për katër vite; pagat e 190 nëpunësve të kabineteve do të kushtojnë 3.1 milionë euro; e pagat e 60 vozitësve, mbi 489 mijë euro. Kabinetet ministrore për telefoni fikse dhe mobile, dreka zyrtare dhe për karburante për vetura do të shpenzojnë rreth 4 milionë euro, shifër kjo që nxirret nëse merren për bazë shpenzimet e këtilla në vitin 2013. Sipas “KosovaLive” këto pak të dhëna për shpenzimet që mund t’i ketë kabineti i tashëm qeveritar tejet i madh flasin mjaft për faktin se shteti i varfër i Kosovës, do ta mbajë një qeveri shumë të shtrenjtë.
http://www.kosovalive360.com/kosova-shtet-i-varfer-me-qeveri-shume-te-shtrenjte.html
Add new comment