“Gazeta Shqiptare”/ “Atentatori”, nuk pranon të ketë marrë pagesë për kokën e Tom Doshit

Postuar në 04 Mars, 2015 01:30

Pas deklaratës së ish­deputetit të PS­së, Tom Doshi, se atë kanë dashur ta ekzekutojnë, ka ardhur edhe shoqërimi në polici i personit të dyshuar si i paguar për ta kryer këtë atentat. “Gazeta Shqiptare” shkruan sot se bëhet fjalë për 36­vjeçarin Durim Bami nga fshati Nikël i Krujës, i cili dyshohet se është personi që ka marrë paratë për të kryer ekzekutimin e ish­deputetit. Sipas “Gazeta Shqiptare” nga burime policore mësohet se Doshi gjatë deklaratave të tij të ketë thënë se ka qenë pikërisht 36­vjeçari, i cili edhe pse kishte marrë paradhënie për ta ekzekutuar, është penduar dhe ka rrëfyer çdo gjë para tij dhe para ministrit të Brendshëm se nga kush ishte paguar për atentatin. Burime policore thanë se arsyeja pse Bami është ndaluar në kufi është dyshimi në përfshirje në atentatin me tritol ndaj biznesmenit Edmond Kadiu, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e të hënës. 36­vjeçari është dërguar nën masa të rrepta sigurie nga RENEA në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. “Gazeta Shqiptare” shkruan gjithashtu se marrja në pyetje e Bamit ka zgjatur për më shumë se 6 orë, gjatë të cilave ai ka pranuar të flasë. Burime policore konfirmuan për “Gazeta Shqiptare” se deri në mesnatë, Durim Bami nuk kishte pranuar asnjë porosi për vrasje. Ai mësohet të ketë dhënë shpjegime rreth lidhjeve dhe njohjeve me personat e përfshirë në këtë histori, por ka mohuar që të ketë marrë paradhënie për ekzekutimin e Tom Doshit. Megjithatë, Bami ka qenë kontradiktor, nervoz dhe i shqetësuar gjatë dëshmisë së tij dhe grupi hetimor do të verifikojë çdo të dhënë duke përfshirë tabulatet telefonike. Burime pranë grupit hetimor sqarojnë se nga hetimet paraprake dyshohet se Bami të ketë marrë kontakte me një pronar lokali në kryeqytet, i cili mendohet se i ka kërkuar eliminimin e deputetit Tom Doshi.

 

l.v

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.