“Express” i bën apel institutit “Gani Bobi”: Mos publikoni rezultatet e exit-poll-it për zgjedhjet, aventurë tepër e rrezikshme

Procesi zgjedhor në Kosovë ka ecur mbarë, duke shënuar problematika të vogla që nuk kanë ndikim në ecurinë e procesit. Me mbylljen e kutive të votimit është njoftuar publikimi i rezultateve paraprake përmes sondazheve. Por gazeta “Express” në Kosovë apelon që të mos publikohet exit-poll i njoftuar për në orën 19:00 për faktin se gara mes partive kryesore mund të jetë aq e ngushtë sa mund të jetë brenda marzhit të gabimit të sondazheve.
“Kujt i duhet që ta prishë festën e një procesi kaq të rregullt zgjedhor. Pa dashur aspak që të paragjykojmë për profesionalizimin ose jo të Institutit Gani Bobi, Express e konsideron një aventurë tepër të rrezikshme dhe krejtësisht të panevojshme që të realizohet dhe publikohet një Exit Poll, prej kësaj organizate ashtu siç është paralajmëruar për t’u bërë, në ora 19.00. Pothuajse të gjithë janë të bindur që zgjedhjet e sotshme do të na sjellin një rezultat tepër të ngushtë. Aq i ngushtë, sa mund të jetë në margjina të gabimeve të sondazheve të kryera edhe prej kompanive më profesionale, e lëre më prej kompanive tona. Pra, jemi duke folur për 1 deri në 2 për qind. Kaq pritet të jetë diferenca në mes të partisë së parë dhe asaj të dytë, e kaq mund të jetë shkalla e gabimeve të exit polleve” shkruan “Express”. Gazeta parashikon se nëse dilet publikisht me rezultate të gabuara të Exit Poll-it atëherë, patjetër që rrugët do të fillojnë të vërshohen prej militantëve të njërit apo tjetrit kamp. “Dhe gjithashtu, kjo tashmë është e dëshmuar, komisionerët e partisë ‘që ka humbur në exit poll’ rrezikojnë të ndihen të demoralizuar dhe të fillojnë të humbin koncentrimin në punë” shkruan “Express”.
http://www.gazetaexpress.com/lajme/ja-pse-nuk-duhet-te-publikohet-exit-polli-20078/
n.k
Add new comment