“Ambasadorët”, Dade: Nuk duhet të përsërisim gabimet e PD-së

Zgjedhja e ambasadorëve shqiptarë edhe pse është një çështje e politikave të jashtme vazhdon të jetë një çështje e debatueshme nga politika e brendshme.
Gjatë prezantimit të kandidaturave për ambasadorë në Kroaci dhe Suedi, nënkryetari i Komisionit të Jashtëm, Aldo Bumçi, tha se nga 15 ambasadorë që qeveria ka propozuar në këto muaj, 8 janë kandidatura politike.
Sipas Bumçit qeveria nuk po bën reformë duke kritikuar rastin e Ardian Ndrecës i cili nuk u dekretua nga Presidenti si ambasador në Vatikan dhe u dërgua nga qeveria në këtë vend si i ngarkuar me punë.
Por mazhoranca i ka kujtuar demokratëve gabimet që kanë bërë në politikën e jashtme kur ishin në pushtet duke theksuar se Ardian Ndreca ishte një kandidature dinjitoze që Presidenti duhet ta kishte mbështetur. Kryetarja e Komisionit, Arta Dade tha se këto gabime nuk duhet të përsëriten.
Komisioni i Jashtëm zhvilloi seancë dëgjimore me kandidatin për ambasadorë në Kroaci, Ilir Melo dhe kandidatin për ambasador në Suedi, Ilir Abdiu, si dhe ambasador jo-rezident në Finlandë, Islandë dhe Norvegji. Anëtarët e Komisionit të Jashtëm vlerësuan performancën dhe vizionin e dy kandidaturave, duke u shprehur në mbështetje të tyre.
S.S
Add new comment