Çështja e mandateve në seancë, deputeti Frroku: “Po i hapni rrugë një precedenti. I qëndroj dëshmisë sime”

Deputeti Mark Frroku, për të cilin Kuvendi diskuton heqjen e mandatit ka deklaruar se nëse do miratohet një gjë e tillë, atëherë legjislativi do t’i hapë rrugë një precedenti të rrezikshëm. “Nuk duhet t’ia hapni rrugën këtij precedenti. Unë jam i huaj në këtë histori dhe nuk është normale që të më ndërpritet jeta politike dhe normale. Nuk kam bërë asnjë dëshmi të rreme, por kam thënë të vërtetën. Në këtë sallë ka deputetë që po bëjnë rolin e organit të akuzës. Kam qenë shumë korrekt në këtë sallë Parlamenti, në jetën time personale, por edhe me ligjin. Kërkesa e Prokuorisë është denigruese, shumë e nxituar. Mos ti’ hapim rrugë këtij precedenti, pasi më duket një precedent shumë i rrezikshëm. Nuk kam frikë të përballem me drejtësinë dhe me çdo lloj akuze që më bëhet. I mbetem pikë për pikë dëshmisë që kam bërë”, tha Frroku. Deputeti tjetër, Tom Doshi, nuk ka qenë i pranishëm në sallë, por e ka bërë mbrojtjen e vet dje në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores. Debate ka patur në seancë edhe mes kryeministrit dhe drejtuesit Vangjel Dule, për shkak të shkeljes së rregullores. Shkelje është quajtur dhënia e fjalës Sali Berishës, që flet sa herë do.
Add new comment