Gruaja Sot: Atrofi e Qorrsokak

“‘Profesori i gjinekologjisë: Ai e filloi kursin e leksioneve si vijon: Zotërinj, gruaja është një kafshë që urinon një herë në ditë, defekon një herë në javë, menstruon një herë në muaj, lind një herë në vit dhe kopulon sa herë t’i jepet rasti.’ Mendova se ish një fjali e drejtpeshuar për bukuri.”
- W. Somerset Maugham, Blloku i Një Shkrimtari (A Writer’s Notebook, 1949)
Shumëkush do ta ketë ndjekur serialin amerikan “Sex and the City” (Seksi dhe Qyteti), në qendër të të cilit është jeta dhe miqësia e katër newyorkezeve, diku në fund të 30-ave e fund të 40-ave në mbarim të shekullit të 20-të, seksualisht të çliruara, por shpesh të papërmbushura romantikisht; të pashme e të zonjat profesionalisht; të pavarura ekonomikisht, por po aq të varura e obsesive ndaj burrit si kryeobjektiv; gjithnjë duke ndërruar partnerë po aq lehtë e në mos edhe më shpesh se këpucët takëlarta, aksesorët ekstravagantë a fustanet e mbrëmjeve; dëshpërimisht në kërkim të dashurisë e vijimisht të mbetura peng kacavarur dramash sentimentale. Në njërën prej serive, Carrie Bradshow, kryeheroina dhe rrëfimtarja e serialit, pyet mendueshëm: “Vallë a jemi thjesht të pazonjat për të ndërtuar lidhje romantike, apo s’jemi tjetër veçse lavire?”
Prej Amerikës Veriore e deri në Shqipëri, serialë të tillë, sikurse edhe gjithë industria shumëbilionëshe e filmit mainstream Hollywoodian; e argëtimit dhe e reality shows (të cilat janë tani motorë fitimi komercial e zvetënimi publik të pashoq edhe për televizionet shqiptare); e muzikës alla JLo, Rihanna a Lady Gaga; e kozmetikës dhe reklamave, ushtrojnë pushtet e trysni të pallogaritshme mbi psikën tonë. Një peizazh i tillë, i tejngopur në imazhe që përftohen në rrethprerjen e kulturës pop-porn, luan rol të dorës së parë në “lavirizimin” e gruas dhe shndërrimin e saj, sidomos të adoleshentes, në objekt seksual. E ballafaquar me një imazheri të tillë, gruaja e zakonshme, mbetet gjithnjë e torturuar e në limbo midis pamundësisë për ta shndërruar veten në faksimile të perfeksionit me të cilin imazhi ia penetron mendjen, dhe lakmisë e dëshirës së paplotësueshme në mos obsesionit të patjetërsueshëm për t’u njejtësuar a për t’i ngjarë imazhit me çdo kusht.
Të gjitha këto të lidhura ngushtë me hiperseksualizimin dhe pornografinë, që sot po konsumohet më fort se kurrë falë Internetit (ose pornografia gonzo) vijnë duke ripërkufizuar ose më mirë shtrembëruar ndjeshmëritë, shijet dhe normat e sotme shoqërore e seksuale, duke e kthyer seksualitetin në gjimnastikë e plasticitet pa emocion e kontakt shpirtëror, e duke prishur kështu çdo premisë për barazi, dinjitet dhe respekt pa të cilat s’mund të ketë marrëdhënie të shëndetshme intime midis sekseve. Filmi “Shame” (Turpi) i 2011-ës me regji të Steve McQueen sa i vështirë për t’u parë, aq edhe vepër e kulluar arti, më vjen në mend si shembull ilustrues. Karakteri kryesor, Brandon (Michael Fassbender), një burrë i ri në të 30-at, që punon në një nga grataçielat prej qelqi e çeliku të një Manhattani të terrët si sekreti i tij, i suksesshëm por i çinteresuar e pa pasion, i pashëm e truphollë, që vrapon hap-lehtë nën tingujt e Variacioneve Goldberg të Bach-ut (regjistrim i pianistit kanadez Glenn Gould, 1955), zë-ëmbël e fjalëpak, me sy si liqej të thellë të heshtur trishtimi, jeton pa salltanet - peng i obsesionit të tij vetë-shkatërrues. Nga njera anë pasuri disqesh e muzike klasike që rrjedh mrekullueshëm prej gramafonit; nga ana tjetër bollëk masturbimi sa herë është vetëm e në çdo cep që të ndodhet, seks me prostituta që i porosit me pagesë në shtëpi si të ishin pizza a ushqim kinez, seks në rrugë e në hotel, me të panjohura që i josh në bare, me lavire në mejhane e rrugë, me punëtore seksi hard-core, me homoseksualë e transvestitë të New York-ut të nëndheshëm; edhe akoma, bollëk pornografie: porno në revistat pranë shtratit, në komunikim ndëraktiv në Internet mbi tryezë të bukës, në laptop mbi shtratin e thjeshtë, madje porno deri edhe në kompjuterin e zyrës ku punon! Brandon, që është aq i ndjeshëm sa nuk e ndal dot currilin e hollë të lotit kur e motra këndon ”New York - New York” duke i kredhur tingujt e njohur në kadifenë e një melankolie prekëse si vetë jeta e tyre, përndryshe këqyr çdo femër si të ishte pajisje seksi e masturbimi, si valvë për t’u çliruar prej vetë-përçmimit, si alkool që shuan e ndez etjen e pijanikut, si kokainë për të droguarin. Por, brenda rrethit vicioz të vuajtjes prej varësisë seksuale dhe peshës së turpit e sekretit, s’i ka mbetur grimë aftësie për të ndërtuar komunikim, marrëdhënie intime njerëzore, të kuptimta, shpirtërore e gëzimsjellëse...
Qëkur muret ideologjikë u shembën, edhe kufijtë gjeografikë sot kapërcehen gjithnjë e më lehtë, Shqipëria do s’do importon prej shoqërive të zhvilluara edhe probleme e lëngata si ato që u përmendën më sipër - probleme të cilat sa u takon çështjeve që kanë të bëjnë me gruan iu mbivendosen një grupi tjetër problemesh ekzistuese, veçanërisht të mprehta për shoqëritë në zhvillim, sikurse: dhuna e krimi në familje, keqtrajtimi fizik e psikologjik, trafikimi e prostituimi, diskriminimi dhe keqpërfaqësimi i gruas në institucionet drejtuese. Por ballafaquar me këto probleme, lëvizjet që kanë në fokus mbrojtjen e të drejtave të gruas sot janë në gjendje krejt të mjeruar e apatike.
Më kanë bërë përshtypje kohët e fundit dy lëvizje relativisht të vona: “SlutWalk” në perëndim dhe “Femen” në lindje. Ndërsa të dyja pretendojnë të shpien përpara luftën për të drejtat e grave, e para rreket të sigurojë vemendjen publike me anë të semantikës së fjalës “Slut” (bushtër, lavire, kurvë, kuçkë, e përdalë), e dyta vizualisht, nëpërmjet ekspozimit publik të kraharorit femëror.
SlutWalk e ka origjinën në Toronto të Kanadasë. Janarin e 2011-s një punonjës policie gjatë një bisede në Universitetin e York-ut për parandalimin e krimit dhe sigurinë e jetës në kampus, këshilloi vajzat studente të mos visheshin si “lavire” (slut) nëse dëshironin të evitonin rrezikun e sulmeve seksuale ose përdhunimit. Ai citohet të ketë thënë: “Më kanë thënë se s’duhet të flas kështu, por megjithatë, gratë s’duhet të vishen si ‘lavire’, nëse s’duan të viktimizohen.” Fjalët e policit doemos nuk tingëlluan mirë, sidomos në një vend si Kanadaja me ndjeshmëri të lartë sa i takon lirive e të drejtave të grave, të cilat edhe pse jo të përkryera, janë të çmuara nga shoqëria e nga më të avancuarat në botë. Ndërsa ka gjithnjë vend të diskutohet se në ç’mënyrë e shohin dhe e përdorin gratë trupin e vet edhe veshjen, ajo që mbetet e padiskutueshme është se përdhunimi është i papranueshëm edhe i dënueshëm pavarësisht sa seksualisht joshëse të jetë veshja e një gruaje. Nga ana tjetër, nuk më vjen t’u vë vizë të kuqe fjalëve të policit me një të rënë të lapsit, sado jo të mençura të jenë – tek e fundit, a nuk është dera e jashtme e pakyçur ose dritarja lënë hapur që ekspozon shtëpinë njëfarësoj edhe ftesë e ndjellje për hajdutin a keqbërësin, pavarësisht se, nëse vjedhja ose keqbërja ndodh, kurrsesi s’mund e s’duhet të fajësojmë viktimën?
Pikërisht ky incident me policin e pafat shërbeu si shtysë për lindjen sakaq të protestës “SlutWalk” (që në shqip do ta sillja si “Parakalim Laviresh”), në përgjigje flakë për flakë të këshillës poshtëruese “Mos u vish si lavire!”. Me qindra vajza e gra, shpesh çupëlina të veshura me décolleté a bustier, me bark të zbuluar e funde të supershkurtra, me geta rrjetëpeshku a pantallona superskinny (të ngushta tub), u derdhën rrugëve të Torontos. Qëllimi i “Parakalimit të Lavireve”, siç u shprehën organizatoret, ishte të solidarizoheshin e t’i dilnin për zot fjalës “Slut”, fjalë e përdorur historikisht si damkë që mëton t’i bëjë gratë të ndihen të turpëruara për seksualitetin e vet. Kësisoj protestueset deshën të tregojnë se e “pranojnë” etiketën si të ishte dorashkë dueli ndaj kulturës së trivializimit të përdhunimit dhe të faturimit të fajit viktimës. Ideja ishte pak a shumë kjo: Nëse quan lavire një grua, ke cilësuar kështu gjithë gratë! Në disa prej sloganeve të protestuesve shkruhej: “Është trupi im ‘hot’, e bëj ç’të dua me të!”, “Mos na tregoni si të vishemi, thuajuni burrave të mos përdhunojnë!”, “Lavire krenare”, “Krenari laviresh”, etj. Deri edhe vetë superfeministja Glora Steinem (78 vjeç) e bekoi lëvizjen “Parakalimi i Lavireve”, duke thënë se gratë e reja po e shpien përpara feminizmin sipas mënyrës së tyre, me problemet e ditës. Lëvizja “SlutWalk” u përhap shpejt falë medias sociale në shumë qytete të Kanadasë e Shteteve të Bashkuara, madje edhe gjetiu në Britani, Australi, Izrael e gjetkë. Mësoj se është përhapur edhe në Indi, paçka se atje problemi i vrasjes së fetuseve (feticide) dhe foshnjeve femra (infanticide) ose vrasjes së gruas për arsye nderi (siç ndodh edhe në Shqipëri) as që ka të krahasuar me hallet e SlutWalk-ut, e paçka se vajzat e gratë indiane përdhunohen edhe kur vishen me shallvare e tunikë (salwar kameez) që u mbulon gjithçka veç fytyrës, duarve e këmbëve, e jo si studenteshat që protestojnë me bustier e fishnet në rrugët e Torontos, Londrës, Bostonit e tani që shkruaj edhe në Tel Aviv.
Të ndalemi për një çast te fjala “Slut”. A ka kuptim edhe a është e mundur të negociohet e të dialogohet për fjalën “slut” ose “lavire” për t’i dhënë asaj vlerë sadopak pozitive? Gail Dines, autore e librit “Toka e Pornos: Si e ka grabitur pornografia seksualitetin tonë” (Pornland: How Porn Has Hijacked Our Sexuality) , vë në dukje se fjala lavire ose bushtër nuk mund të ketë veç konotacion negativ për vajzat e gratë. Në të vërtetë, fjala “slut” ose “lavire” nuk ka qenë fjalë me të cilin gratë kanë emërtuar veten. Përkundrazi, është term i krijuar prej burrave mizogjenë si etiketë për gratë e që ka në themel të kuptimësisë shenjimin e të “pistës” dhe “ndytësisë”. Prandaj, vëren Dines, gratë s’kanë arsye të kërkojnë ta ripronësojnë si të tyren një etiketë ngjitur përbuzshëm nga burrat, e që i ka shërbyer klimës së dhunës e viktimizimit të gruas. Në fakt në anglisht fjala “Slut” nuk ka gjegjëse ekuivalente për meshkujt. Për meshkujt seksualisht hiperaktivë në anglisht përdoren zakonisht fjalë si “stud” (hamshor), ose “player” (mashkull që manipulon e josh për të përfituar seksualisht), fjalë që këta meshkuj, ndryshe nga femrat, jo vetëm nuk i marrin si ofenduese, por përkundrazi i perceptojnë si shënuese statusi të dëshiruar dhe ledhatuese të sedrës prej mashkulli që gjuan femra për seks. Sa më shumë femra/bushtra e fitore në gjueti seksuale, aq më i lartë statusi e krenaria mashkullore prej hamshori në komunitet.
Me këtë rast mendova t’i hedh një sy fondit të fjalëve të ngjashme në shqip. Fjala lavire duket se ekziston vetëm për të cilësuar femra. Nuk ka gjegjëse për meshkuj. Kërkova për fjalë të tjera të ngjashme te Fjalori i Shqipes së Sotme (Botimet Toena, Tiranë, 2002; botimi i parë 1984; hartuar nën drejtimin e prof. Androkli Kostallarit - kryeredaktor). Gjeta fjalën “kurvë” përkufizuar si “femër e përdalë, lavire” dhe “kurvëri” përkufizuar si “dukuri e shëmtuar kur femrat shesin trupin e tyre për të siguruar mjetet e jetesës”. Aha! Kurvëri na qenkërka një dukuri e shëmtuar që na paska të bëka vetëm me femrat, por jo me meshkujt! Për çudinë time nuk gjeta as fjalën “kurvar” (nuk di nëse gjendet në botime të tjera të fjalorit). Kaq e rrallë dhe e papërdorshme të jetë vallë ajo fjalë? Unë vetë, për herë të parë e kam dëgjuar në vitet e gjimnazit nëpër trotuare prej gojësh adoleshentësh gangsterë ose gjysëmgangsterë, tek i drejtoheshin njeri-tjetrit ose ndonjë rivali. Por edhe gratë e përdornin (edhe besoj vijojnë ta përdorin) për të shenjuar burra. Nuk e paska dëgjuar ndonjëherë “kurvarin” as kryeredaktori, as shpura e gjuhëtarëve ndihmës që kanë mbledhur gjithfarë fjalësh poshtë e përpjetë Shqipërisë, prej të cilave sot shumë syresh pak i hyjnë në punë kujt, apo druheshin se ndyenin fjalorin a bënin pis burrat? Nuk paskërka e nuk paska patur vallë Shqipëria ndonjëherë kurvarë? Vetëm kurva të ketë patur? Mesa duket, po, si mot mot edhe sot në shekullin e 21-të! Shqipëria ka patur e ka kurva me fishek në pajë, kurva që i shet babai, që i shet vëllai, që i tregëton tutori rrugëve të Tiranës, rrugëve të Romës, rrugëve të Athinës... rrugëve të Europës. Shqipëria ka kurva që i dhunon, i rreh e i pret, i vret dhe ia bën gjyqin me shpullë, grusht, thikë a plumb ballit (ndonjëherë edhe me sëpatë a motosharrë) i nderçmi, i plotëfuqishmi, e pronari që është herë baba, herë vëlla, herë burrë, herë tutor, herë i fejuar a herë i vluar! Por, ndonjëherë është pikërisht kryeministri dora vetë që e ekzekuton verbalisht e publikisht gruan, madje jo gruan dokudo por gruan kryeprokurore, pa drojë, krejt si trim hamshor i vërtetë: “Lavire Bulevardi”! (Vini re: Gratë shqiptare nuk e patën ndjeshmërinë të organizonin lëvizjen “Laviret e Bulevardit”, sikurse simotrat kanadeze që organizuan sakaq lëvizjen “Parakalimi i Lavireve”, edhe jo sepse kryeministri kanadez Harper ua shau një funksionare të lartë shteti përpara kamerave, por vetëm sepse një polic ofroi një këshillë të pa menduar, në fund të fundit në mirëbesim, në një sallë modeste universitare - këshillë për të cilën kërkoi ndjesë sakaq!)
Nuk kam dëgjuar që SlutWalk të ketë zgjuar interes në Shqipëri. Interes duket të ketë më shumë për lëvizjen Femen të vajzave gjoks-zbuluar ukrainase, bjonde e flokëgjata, shalëgjata e belëholla, bustet prej atletesh a top-modelesh të të cilave nuk kanë munguar si porcion periodik pornografik në faqet online të gazetave tona – paçka se diskutimi e komentimi mungon krejtësisht. Lëvizja “Femen” krijuar në 2008-ën në Kiev të Ukrainës, u konceptua në formën e protestave topless kundër turizmit seksual, agjencive ndërkombëtare të martesave, seksizmit dhe problemeve të tjera sociale. Qëllimet e lëvizjes (që gjenden te wikipedia) tingëllojnë me të vërtetë të admirueshme: të zhvillojë cilësi lidershipi, intelektuale dhe morale te gratë ukrainase dhe të ndërtojë imazhin e Ukrainës si vend oportunitetesh të mëdha për gratë! Kërkova websitin e tyre, edhe ç’të shikoj? Foton e një bukurosheje të re e të freskët nudo -- të ish fanitje kokëposhtë mbërritur prej Summer of Love e 1967-ës, apo vegim së prapthi prej Festivalit të Woodstock-ut të 1969-ës? Bjondina e bukur me siguri do të shkëlqente ku e ku më shumë se Kate Moss në pasarelë ose ndoshta në revistën Playboy, madje me gjithë grushtat kanosës, që më shumë se protestues më ngjanë të ishin erotizues.
Po si është e mundur që protestojnë vetëm nimfa bukuroshe? Po gratë e tjera, të patonifikuarat, të mbipeshat, të dhjamurat, të rrudhurat, të pabukurat – këto vallë nuk duan të kenë të njejtat të drejta? Nuk kanë se për ç’të protestojnë? Nuk duan ato të zhvillohen intelektualisht, moralisht, në mos edhe lidershipisht? Femen një gjë e ka arritur më së miri: tërheqjen e vemendjes. Në fakt, a ka mënyrë më të mirë për të thithur vemendje, kapërthyer vështrime, e ndezur imagjinatë mashkullore sesa eskpozimi i busteve si statuja të bardha mermeri vashash të reja bjonde? Nëse lëvizja do të arrijë diçka, unë them se do ta shtojë e fuqizojë më shumë turizmin e seksit ne vendin e vajzave të bukura. Rroftë protesta!
Feminizmi dhe seksualiteti në përgjithësi -- në një kohë kur sot gruaja ka në dorë kontrollin mbi lindjet me anë të metodave kontraceptive, kur në universitete ka po aq madje edhe më shumë femra sesa meshkuj, kur më shumë gra se kurrë janë të punësuara -- një nga betejat më të mëdha, veçanërisht në vendet e zhvilluara por jo vetëm, e ka me industrinë e pop-pornografisë, varësinë ndaj saj dhe ndikimin mbi të dyja gjinitë. E nëse është kështu, Slutwalk e Femen jo vetëm që janë qesharake, por edhe i bëjnë dëm lëvizjes feministe, sepse e largon nga qendra e vërtetë dhe e nxehtëtë nxehta të debatit: Asnjë gruaje, në Toronto, New York, Kiev, a Tiranë qoftë, nuk i bën nder e nuk i shërben fjala lavire, pa përmendur konfuzionin dhe dëmin që përdorimi i kësaj fjale ka mbi vajzat e vogla dhe adoleshente. Abuzimi seksual dhe përdhunimi janë çështje serioze, por lëvizje si SlutWalk ose Femen janë kundërprodhuese e të padobishme, sepse nuk bëjnë veçse zvogëlojnë, banalizojnë dhe pornifikojnë problemet e vërteta me të cilat ballafaqohet gruaja sot. S’krijojnë tjetër gjë veç karnavalit.
Po gratë shqiptare, të cilat po t’i referohem informacionit mediatik rezultojnë të jenë edhe më të diskriminuara dhe më të shtypura sesa 30-40 vjet përpara, e si kurrë ndonjëherë sot janë edhe viktima të dhunës në familje (18 gra të vrara nga burri, i dashuri apo babai gjatë vitit 2011), të diskriminimit, të trafikimit, divorcit, lavirizimit e shndërrimit në mall seksual, pa përmendur hendekun me gratë e Europës ku duan të mbërrijnë – si reagojnë ndaj gjendjes ku ndodhen e ç’bëjnë për të drejtat e tyre? Graria shqiptare duket e lodhur, e munduar dhe e përgjumur. Pa llogaritur ato kryeqytetase që u argëtuan me porno e striptease në një nga klubet e Tiranës, gruaja shqiptare kur nuk feston qejfpaprishur e grarishte, me qofte, torta e aheng “për nga mot gëzuar 8 marsin e luftës për të drejta dhe emancipim”, e shumta shkon të marrë pjesë në aktivitete të lehta argëtuese sportive si p.sh., shëtitije të hareshme me biçikleta pranë liqenit artificial Tiranës, si ajo që u organizua (a që ndoshta ishte thjesht në plan) nga shoqata “Në dobi të gruas shqiptare” nën sloganin “8 Marsi - festë apo protestë?”.
Nuk e di nëse protestat zhurmë-mëdhaja kanë ndonjë dobi, aq më pak spektaklet që manipulojnë qoftë me fjalë (slut) qoftë vizualisht (gjinjtë e zbuluar). Sa për festat tona, këto rrëfejnë për ndjeshmëri e vetë-dijshmëri tejet të ulët – që ndryshe mund të shprehet: “Nuk e dimë e s’arrijmë të nyjëtojmë dot atë që dimë, që ndiejmë, që pësojmë e përjetojmë rregullisht në përditshmërinë tonë.” Edhe pa vetë-dijshmëri e emancipim shoqëror, ligjet e mbrojtjes ndaj dhunës sado të përkryera të jenë a të bëhen, nuk mund të jenë efikase.
Gjendja e gruas shqiptare sot nuk mund të ndryshojë pa ndryshuar Shqipëria, sepse ajo është pasqyrë e Shqipërisë së sotme, peng i kapitalizmit primitiv dhe oligarkisë politiko-financiare, me polarizim të thellë të ardhurash, pa shtresë të mesme, me korrupsion të pashembullt e të pa ndëshkuar, me elitë drejtuese pa etikë… Vetëm kur shpërndarja e të ardhurave të bëhet drejtësisht, kur pabarazia ekonomike të zbutet, kur institucionet shtetërore të mos jenë pronë partish e të funksionojnë duke iu bindur vetëm ligjit, kur lufta kundër krimit të organizuar të jetë e përnjimendtë, kur veprimtaria e shoqërisë civile të mirë-kalibrohet me problemet e shoqërisë, kur edukimi e dija të kthehen përnjimend në shkolla, kur vetëdija qytetare ta kapërcejë stadin foshnjor e të vijë duke u rritur – atëhere gruaja shqiptare do të gjejë dinjitetin, respektin, e vendin e merituar në familje e shoqëri.
Comments
Artikull interesant!
<p>Artikull interesant! Faleminderit per shkrimin... megjithate me duket se ne fund autorja bie ne te njejten apati, nuk sugjeron nisma konkrete per zgjimin dhe aktivizimin e gruas shqiptare. Ka objektiva afatgjate si ato qe permend autorja per barazine ekonomike, etj. por jane procese qe duan vite. Sado qe ato jane te rendesishme, kemi nevoje per objektiva konkrete afatshkurtra qe te japin efekt ne harkun kohor te muajve ose viteve per permiresimin e jetes se grave ne shoqerine shqiptare, per nje vleresim me te madh, per nje hapesire me te madhe dhe respekt me gjitheperfshires. Per shembull, une mendoj se duhet te kerkojme me shume nga shoqatat joqeveritare, nga universitetet, maternitetet dhe nga media. Shoqatat joqeveritare thuajse nuk ndihen kurre, nderkohe qe ato mund te ndihmojne ne sensibilizimin kombetar per te drejtat e grave, mund te konceptojne dhe implementojne sondazhe, nisma per ndihmen dhe asistencen ndaj grave te dhunuara, mund te krijohen projekte dhe konferenca ne rang qytetesh me tematika te caktuara... Universitetet kane rol per futjen e kurrikulave te reja qe te mund te reflektojne problemet e grave sot neper bote (studime gjinore, studime mbi feminizmin), dhe konkretisht ne Shqiperi, te hartohen studime konkrete, te publikohen, te organizohen debate akademike dhe publike. Maternitetet per mua jane gjithashtu nje hapesire ku grate mund te edukohen me shume per te drejtat e tyre, mund t'u organizohen seminare trajnuese, frymezuese, me shembuj nga vendi dhe bota. Duhet qe te angazhohet brezi i ri me mentalitet te ri, me ide dhe besim ne emancipimin e gruas. Akoma sot ne shoqerine tone dominon ideja e nenshtrimit te gruas, gruaja e urte, gruaja besnike, gruaja qe vetesakrifikohet...nderkohe qe burrave u falet gjithcka, tradhtia, dhuna, indiferenca, pertacia. Shpresoj qe grave t'u rritet ndjeshmeria ndaj vetes, ndaj kenaqesise, shijimit te jetes, t'u rritet respekti ndaj vetes. Duhen ndihmuar, u duhet dhene nje pasqyre ku te shihen, u duhen treguar alternativa. Per kete media mund te luaje nje rol vendimtar, prandaj autorja duhet pergezuar vertet per shkrimin! Programe dhe filma dokumentare me tematika nga problemet e gruas shqiptare sot apo gruas neper bote mund te mbushnin hapesiren sterile qe zene sot telenovelat,- apo programet politike ku mbisundon zeri mashkullor, dhuna, perjashtimi, - te cilat akoma me shume forcojne apatine e grave dhe pozicionin e tyre marxhinal ne shoqeri.</p>
Habitem shume nga shume
<p>Habitem shume nga shume shkrime dhe nga shume komente se si kur analizojne gjendjen aktuale te shoqnise shqiptare, e neglizhojne fare historine e kaluar shume shekullore te popullit shqiptar, a thue se e kaluemja historike e nji populli nuk lot rol fare ne te tanishmen dhe ne te ardhmen.</p><p>Ate pozite dhe ato te drejta qe ka grueja sot ne vendet e civilizueme europiane/prendimore nuk e percakton e sotmja, por e percakton e kaluemja historike e ketyne vendeve gjate se ciles u ba nji lufte e gjate dhe nji zhvillim mendor e shoqnor i thedhe.</p><p><br />Tashti te kethehemi ne trojet shqiptare. Jo! Kethenju ju vete dhe analizoni ju vete se nga viti 1479 kur rà kalaja e Shkodres nen sundimin e sulltan turk-osman Mehmet Pushtuesit, se ç'fare perparimi u ba ne keto shekuj per poziten e grues shqiptare nen sundimin aziatik turk-osman fanatik me parimet e mendimtarit te tyre te shekullit te VII. Dhe nuk mjafton kaq, por edhe sot e kesaj dite neper shkollat fetare muslimane/medreset dhe ne universitetin islamik BEDER ne Tirane rinia shqiptare helmohet me ligjet e SHERIATIT, ku grueja mund te rrahet nga burri, ku grueja mund te mbahet skllave, ku grueja konsiderohet gjysem njeriu sepse duhen dy gra te deshmojne ne gjygje ne vend te nje burri, se grueja trashigon gjysmen e pjese qe i takon mashkullit etj.etj.etj.</p><p>Duhen shume shekuj qe shoqeria e osmanizuar shqiptare te emancipohet dhe grueja te fitoje efektivisht poziten e vet ne shoqni siç e ka ne vendet e perparuara europiane/prendimore te te pafeve, te çafirave.</p>
Znj. Bishka, respekte. Nuk ma
<p>Znj. Bishka, respekte.</p><p>Nuk ma kishte marrë mendja se do lexoja ndonjëherë një shkrim kaq të kthjellët mbi gjendjen e gruas, e mbi pop-pornos të harlisur në Shqipëri, që furnizon aq mirë adoleshentet/ët shqiptarë me frustrime e me iluzione.</p><p>Shfaqje të kësaj harlisjeje ishin dhe festimet me striptistë/e për 8 mars dhe pornoja e një shkrimi të postuar te respublica, edhe Big Brother e të tjera si kto.</p><p>Ju përshëndes e shpresoj se do t'ju lexojmë përsëri në Respublica.</p><p>PS: IT i respublica-s, ja dhe një rubrikë tjetër që mund të hapni: "Gruaja". Apo do ta lini edhe këtë shkrim të mbulohet nga pluhuri i aktualitetit politikaxhi? Të paktën thoni se ç'mendim keni.</p><p> </p><p> </p>
Urime për këtë analizë të
<p> </p><p>Urime për këtë analizë të bukur. </p><p>Para disa javësh m’u desh të rrija në rradhe përpara një zyre. Ndërsa prisja, për të kaluar kohën, fillova të flisja me një zonjë. Ishte rreth të 45-tave, e ardhur nga fshatrat para 20 vjetësh e me banim në Tiranë. Në bisedë e sipër më tha se kishte një vajzë 17vjeçare që e kish fejuar me një djalë në Itali. Do ta martonte të bijën në verë, sapo të mbushte 18 vjeç. Kur më tregoi për martesën e të bijës, nuk e përmbajta dot veten por i thashë: “ Sa lirë e paske shitur vajzën!”. Zonja uli kokën dhe për disa minuta ra në mendime të thella. Nga mënyra se si reagoi, jam e bindur që një mendim i tillë i kish kaluar më parë nëpër mendje. Mgjt. ndërsa ajo mendonte, unë u ndjeva keq që ia thashë, se në fund të fundit e lëndova. Por, mbas këtij incidente të vogël, zonja më la të kuptoj se vendimi për të martuar vajzën në një moshë të tillë, nuk kish qenë i lehtë për të. Ajo nënë e kish gjetur veten mes mentalitet të të shkuarës (mentalitetit të familjes e farefisnisë) dhe aij të të tashmes (mentalitetit të saj). E si rrjedhim, mentaliteti i farefisnisë kishte fituar se këta të fundit përbëjnë shumicën. Kjo pra është gjendja e një pjese të gruas shqiptare: e braktisur, e lënë vetëm në hallin e saj, duke mos ditur se çfarë po ndodh e nga t’ja mbajë. E përm më tepër, gruaja e sotme shqiptare mbart mbi vete peshën e tre mentaliteteve të ndryshme: atë të paraardhësve, të komunizmit e të pornos. As edhe psikologu më i mirë nuk do të ishte në njendje të mos ndihej i çorientuar apo i sfilitur nga kjo peshë.</p><p>Që prej asaj dite e kam pyetur shpesh veten se si do të kishte shkuar fati i asaj vajze 17 vjeçare nëse e ëma nuk do të ishte gjendur në mes të një dileme. Imagjinoni sikur mesazhi për të drejtat e gruas të ishte i pranishëm gjithandej, të hynte në çdo shtëpi e të bombardonte çdo njeri, të gdhendur e të pagdhendur, ç’do të kishte ndodhur? Nuk do ta dimë me siguri, por mbase, ajo do t’i kish patur guximin të vepronte ndryshe, mbase do të kish pretenduar më shumë për vajzën e saj, mbase do ta kish kuptuar se martesa jo domosdoshmërisht të sjell lumturinë, mbase do ta kish kuptuar se dreqi ta hajë, femra ka edhe dëshira të tjera përveç të të martuarit dhe garantimit të trashëgimisë së gjakut.</p><p>Sinqerisht besoj se nëse presim që shoqëria civile, mediat apo shteti do të zgjidhin problemet tona, “do të mbetemi në vend numëro” si tani. Mediat nuk janë shoqata bamirësie e nuk është e thënë që të jenë promotorë të zhvillimit të një shoqërie, sepse janë thjesht kompani në kërkim të fitimit. Shoqëria civile është gjithmonë në kërkim të fondeve dhe mesazhi i tyre mund edhe të varet nga donatorët, ndërsa shteti është ai që është. Me një kryeministër që i flet goja para mendjes, vështirë se gjërat ndryshojnë. </p><p>Atëherë mbetet pyetja se çfarë na mbetet të bëjmë? Jo shumë gjëra them. Por ama kemi në dorë një armë shumë të fuqishme: <strong>fuqinë e fjalës.</strong> Ne duhet të flasim për të drejtat tona derisa të gjithë të jenë bindur e ta kenë pranuar se dhuna ndaj gruas është turp e marre. Ne duhet të flasim derisa shoqëria ta pranojë faktin se dhunuesi është fajtor e meriton të dënohet. Të flasim në familje, në grup, në shkollë, në radio, në tv, në qeveri. Të flasim ne si gra e jo të lëmë të tjerët të flasin për ne ose të presim që të na japin të drejtën që të flasim. Ne duhet ta pretendojmë një gjë të tillë me forcé.</p><p>Gratë në SHBA i përkushtohen falas çështjeve të tilla duke sakrifikuar orë, ditë e vite të tëra nga jeta e tyre familjare. A jemi në gjendje ne ta bëjmë një gjë të tillë? </p>
Shkrim jashtezakonisht i
<p>Shkrim jashtezakonisht i bukur, terheqes dhe problematik. Por kam nje verejtje thelbesore per titullin. Duhej te ishte me i gjetur, me intrigues, me ulurites. Atehere do te kishte shume e me shume lexues dhe komentues. Pergezime edhe autores se shkrimit per trajtimin e problemit dhe stilin e saj te rrjedhshem. Nje keshille modeste dhe pa pretendime superioriteti: Duhet te shkruaje me shpesh. Per tema shoqerore te pakten. Siç thuhet nga specialistet, jo nga une por nga Muçi per shembull: autorja ka "stof".</p>
Nqs punet zgjidhen me mend e
<p>Nqs punet zgjidhen me mend e me zemer nuk ka vend per gra e burra veç e veç.Por gruaja rolin kryesor ka edukimin e brezit te ri ,prandaj nuk ka vend per ndarje.Jane bere keto grate shqiptare si burra marrin shembull nga jozefina,mos o Zot grua si mesila,vokshi ,pale keto grate parukiere sot,keto grate ne aresim,politike etj.Shoqeria shqiptare eshte drejt shkaterrimit per kete fakt se grate kane marre kot shumica .Shkak eshte bere pavaresia ekonomike dhe fitore quajne parane,bukurine,biçikletat dhe i lene femijet si françeska e Big bradher ,keshtu dhe komshia ime,ka jeten e vet vajza..., dhe babaziu nuk e dinte fare qe kishin marre shtepi me vete dy vajzat me lejen e mamase me qera dhe babai qe skish çbente e pranoi dhe fle naten ne shtepi te vet me mamane dhe kur do ...vjen tek gruaja .Pra e kunderta e problemit te gruas po ndodh me burrat KUDO NE SHQIPERI.Ikin grate ne qytet edhe pse nuk ja dalin dot ekonomikisht (ne çdo qytet ) nuk kthehen mbrapsht ama tek parukeria çdo dite si te duken te bukura nga jashte.KY ESHTE SHKATERRIM.Ndersa diskriminimi i gruas eshte akoma sipas autorit ne veri tek malokeria shqiptare.</p>
Add new comment