Katër funerale dhe një shpullë

Postuar në 20 Janar, 2015 10:49
Alqi Koçiko

Po, ky është raporti “i forcave” në parlamentin që rinisi punimet për sesionin e ri dje, duke i mundësuar me duart lart për votën pro, dy komisione hetimore opozitës PD. Katër funerale dhe një shpullë. Së pari të sqarojmë shpullën. Është fjala për kërkesën akute e Partisë Demokratike për dekriminalizimin e parlamentit, të miratuar me mazhoranca si koncesion që opozita të thyejë bojkotin. Një bojkot që nisi pasi dy deputetë gjaknxehtë të “së majtës” goditën me shpullë një deputet të urtë që s’i ndihet zëri i gojës, të “së djathtës” (terma rutinore përkatësie politike këto, që për rastin shqiptar do t’i bënin për të qeshur ideologët realë të së majtës apo të djathtës në perëndim).

Nuk kishte lezet të vazhdonte hasmëria për “dy lopë që hynë në arën e huaj”, siç do thoshte Mato Gruda, ndaj mirë bënë që nënshkruan atë paktin e dekriminalizimit. Që parlamentet e ardhshme të mos kemi nëpër këmbë deputetë që vënë dorë ndaj kolegut.

Pra, PD-ja e kthye në Kuvend dhe menjëherë mori të drejtën e ngritjes dhe kryesimit të dy komisioneve parlamentare, një për emërimet në administratë dhe tjetri për investigimin e prekjes së serverit të tatimeve. Dy komisione hetimore, dy ditë para 21 janarit. Një datë që gjithsesi, sërish lidhet me një server. Me serverin e kamerave të sigurisë së kryeministrisë, për të cilin nuk hetoi kurrë askush; ose më saktë, bënë sikur hetuan. U tha që është prekur, që është fshirë, që nuk ka më regjistrime të pamjeve e zërave të urdhëruesve nga brenda krye-selisë qeveritare, që thanë “Toga, gati për zjarr!” Dhe pas këtij urdhri, u shkaktuan katër funerale njerëzish krejt pa lidhje as me agresivitetin e protestuesve të tjerë, në një protestë që tashmë është lidhur pazgjidhshmërisht me datën 21 janar. Ka ndodhur katër vjet më parë...

Sot, ja ku jemi. Përpara pafuqisë për të përmendur edhe njëherë katër emrat që mendja ma do se nuk ishin nisur, e kurrë nuk do kishin dashur të bëheshin heronj, të hidhëron vetëm hipokrizia e asaj që katër funeralet kanë përballë: Një Shpullë, që vuri në lëvizje ambasadorë e eurodeputetë, emisarë e negociatorë. Viktima e shpullës ishte deputeti që kryesoi një komision tjetër hetimor, atë për puçin e zi të shtetit të 21 janarit 2011. Sot e kësaj dite nuk u mor vesh çfarë zbuloi komisioni. Ajo që dimë sot, është se dekriminalizimin e parlamentit, e kërkon dhe po e vë në jetë, partia autore e katër funeraleve të para katër viteve, dhe e mijëra të tjerëve këto dy dekada e gjysmë. Mesa duket, është ende në pushtet...     

 

 

DITA

Comments

Submitted by adi Sakla (not verified) on

<p>Eshtë një shpullë domethënëse. Pra, po fole për mua, të godas. Pra opozita duhet të mbyllë gojën. E sa për katër viktimat le ti gjejnë kush i ka vra. Duhet të mësohemi të mos flasim në tym. Me plumba rikoshetë.....!!!!</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.