GDP-izim i hashashit apo hashashizim i shoqërisë?

- “Halli” i OKB-së dhe i BE-së
Kohët e fundit janë rigjallëruar zërat për legalizimin e rritjes dhe tregëtimit të kontrolluar të hashashit. Ashtu siç është shumëfishuar edhe reagimi i opinionit publik ndaj tyre. Përfshirja e Shqipërisë në këtë debat nuk është lajm. Rimatja e GDP duke llogaritur edhe të ardhurat nga ekonomia e hijes (droga, prostitucioni, kontrabanda e duhanit dhe e pijeve alkoolike etj.) gjatë viteve të fundit është vendosur në axhendat ndërkombëtare. Madje edhe në ato të OKB-së dhe BE-së. “Direktivës së Praktikave më të Mira” të OKB-së të vitit 2008 i është bashkuar së fundi edhe ESA, Sistemi Europian i Llogarive. Thelbi i përmbajtjes së këtyre rekomandimeve është përfshirja në të ardhurat kombëtare e të gjitha të ardhurave që burojnë nga veprimtaritë në të cilat individët përfshihen me vullnetin e tyre. Në pararojë të vendeve që po përfshihen në këtë nismë janë Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda. Por BE e ka një hall, kur u kërkon vendeve anëtare aderimin në ESA: duke rritur GDP-në me ekonominë e hijes dhe të krimit, vendet anëtare do të përfitojnë më pak subvencione prej Komisionit Europian. Dhe financat komunitare do të jenë më të relaksuara prej presionit të vendeve anëtare me ekonomi në krizë. Si shumica e shqiptarëve, edhe unë jam një europeist. Por kjo nuk do të thotë që për hir të stabilizimit të financave europiane, të rrezikojmë shëndetin e shoqërisë europiane. E vetmja shoqëri e zhvilluar që nuk është tunduar prej mirazhit të legalizimit të të ardhurave të trafiqeve, në vend të bllokimit të tyre, është shoqëria amerikane. Në fund të fundit, ky rekomandim i BE-së nuk duhet të konceptohet si zgjidhje universale. Ai duhet të respektojë traditat dhe kulturat lokale.
- “Formalizimi” i drogës si rrugëdalje prej krizës?
Secili prej vendeve që synon t’i bashkohet këtyre praktikave ka arsyet e veta. ISTAT-i italian ka filluar prej muajit tetor rillogaritjen e GDP-së duke përfshirë edhe të ardhurat nga droga, prostitucioni dhe trafiqet e pijeve dhe cigareve. Por Italia nuk është se po e nis tani. Në vitin 1987 qeveria italiane pat filluar përfshirjen në të ardhurat kombëtare edhe të të ardhurave nga ekonomia informale, e cila përbënte rreth një të pestën e ekonomisë kombëtare. Ky veprim e rriti GDP-në me 18 përqind dhe u prit me një entusiazëm të brendshëm. Por pas dy dekadash, ekonomia italiane u shndërrua në një ndër ekonomitë më problematike të BE-së. Ekonomia e hijes dështoi në dritën e diellit! Pra, ekonomia informale nuk e shpëtoi atë formale. Mbretëria e Bashkuar joshet thjesht nga shifrat: 9 miliard USD nga prostitucioni dhe 7.4 milard USD nga drogat. Irlanda motivohet gjithashtu nga nevoja e rritjes së të ardhurave kombëtare për shkak të historisë problematike ekonomike të viteve të fundit. Siç shihet, si rregull, joshja prej xhidipizimit të drogave vjen kryesisht nga krizat dhe rekomandohet si një rrugëdalje prej tyre.
- Përfitimet financiare
Në fakt, kjo mënyrë e re e llogaritjes së GDP-së nuk është pa përfitime. Rritja e menjëhershme e të ardhurave nuk përjashtohet që mund të ketë ndikime pozitive jo vetëm për ekonominë, por edhe sistemin e mirëqenies. Mund të gjenerohen burime shtesë për të mbajtur në këmbë fondet e pensioneve, të cilët pakësohen prej plakjes së popullsisë. Mund të shërbejë si një burim për të paguar dhe ulur borxhin e jashtëm, i cili po u merr frymën shumë ekonomive europiane. Një rritje e tillë e GDP-së do t’i ndihmonte vendet anëtare që borxhin ekzistues dhe defiçitin t’i marketonin si një përqindje më e ulët e GDP-së, për të qenë në rregull me standartet që imponon BE. Ky veprim mundet gjithashtu të ndikojë që një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave nga ekonomia hije të mos dalin jashtë vendit, por të qarkullojnë brenda tij. Dhe në fund të ditës, do të kemi një rritje jo të pandjeshme të GDP-së, e cila shkon nga 1-2 përqind, (për vende si Hungaria, Polonia, Rumania, republikat balltike, Slovakia, Çekia, Sllovenia etj.), deri në 4-5 përqind, (për vende si Austria, Mbretëria e Bashkuar, Hollanda, Finlanda dhe Suedia). Për ekonomitë e ngjashme me ekonominë shqiptare, rritja shkon nga 1-2 përqind. Në terma financiarë, ky përfitim për ekonominë shqiptare nuk është i pandjeshëm.
- Por përfitimet janë asimetrike!
Duhet të themi që në fillim se përfitimet më të mëdha ekonomike nga vendet prodhuese dhe shitëse (trafikuese) të drogave, cigareve dhe alkoolit nuk do të shkojnë në favor të tyre, por të vendeve blerëse dhe konsumatore. The Wall Street Journal nënvizonte para disa kohësh se rritja më e madhe e GDP-së prej legalizimit të ekonomisë hije pritet në vendet skandinave (4-5 përqind), ndërkohë që në vendet e Europës Lindore e Qëndrore kjo rritje mund të arrijë nivelin 1-2 përqind. (http://www.wsj.com/ articles/sex-drugs-and-gdp-the-challenge-of-measuring-the-shadow economy-1402251721). Pra, rritja e GDP-së ndodh në mënyrë asimetrike: sa më i zhvilluar/i pasur të jetë një vend, aq më tepër përfiton. Në këtë mënyrë, legalizimi i të ardhurave të trafiqeve nga shumica e vendeve, mund të materializohet si një “sakrificë” e këtyre të fundit për vendet e pasura. Në një botë asimetrike nga pikëpamja zhvillimore dhe e shpërndarjes së pasurisë dhe varfërisë, kjo sakrificë më duket e panevojshme.
- Rreziqet në kontekstin shqiptar
Por ajo që fitojmë nga shifrat dhe në terma financiarë rrezikohet prej pasojave të tjera të legalizimit të ekonomisë së krimit. Frytet e hashashit të rritur legalisht dhe të xhidipizuar nuk është se do të “përkthehen” në mënyrë adekuate në shkolla më të mira, punë më shumë dhe pensione më të larta. Normalisht ato do të “përpihen” nga “gropa” të tjera. Edhe në kohën e lulëzimit ilegal të hashashit, Lazarati ishte zyrtarisht ndër komunat më të varfëra të Gjirokastrës, me 12 përqind të familjeve në ndihmë ekonomike. Formalizimi i të ardhurave të trafiqeve pritet të konkurrojë me rritjen e të ardhurave nga ekonomia formale, madje ta vejë poshtë këtë të fundit, për shkak të “ligjësive” të brendshme që ndjekin të dy ekonomitë: formalja dhe informalja. Ekonomia formale ndjek rregullat, ndërsa ekonomia informale është e paskrupullt dhe agresive. Përveç kësaj, formalizimi i të ardhurave nga ekonomia e krimit në Shqipëri mund të shkaktojë pasoja të shumëfishta, midis të cilave: i) rrudhje të sektorëve të tjerë të ekonomisë, si për shembull, të bujqësisë, ngaqë fshatarët do të rendin pas fitimeve të çastit; ii) mirëqenie vetëm të përkohshme, si në përvojën e Italisë (në rastin më të mirë); iii) një prirje potenciale kriminalizimi edhe të sektorëve të tjerë të ekonomisë, të cilët do të kenë lidhje sinergjike me industritë e trafiqeve, si për shembull, turizmi; iv) vështirësi të shtuara artificialisht për sistemin shkollor dhe përgjithësisht atë të edukimit, i cili do të vihet nën trysninë e kësaj industrie; v) thellim të plasaritjeve që po ndodhin në familjen shqiptare; vi) rritje artificiale të sëmundshmërisë, për shkak të shtimit të pritshëm të përdorimit të substancave narkotike; vii) shumëfishim të veprimtarive antishoqërore dhe të sjelljes njerëzore, sidomos rinore, të cilat do të zhvillohen në një kontekst më akomodues ndaj tyre; viii) ndotje masive dhe intensive e mjedisit, tokës dhe ujrave. Studimet tregojnë se për çdo njësi toke të mbjellë me marihuanë, dhjetëfishi i saj helmohet prej herbicideve dhe kimikateve të përdorura dhe ujrat në zonat rreth tyre ndoten rëndë. Pra, e ashtuquajtura shëndoshje financiare e Shqipërisë do të shoqërohet me përkeqësimin e sëmundjeve morale, njerëzore dhe sociale të popullsisë dhe vetë shoqërisë. Për më tepër, ideja e xhidipizimit të të ardhurave të trafiqeve në Shqipëri hidhet në kohën e gabuar. Vendi sapo ka hyrë në një hulli të sundimit të ligjit dhe ligjërimi i veprimtarive, goditja e të cilave përbën disa histori suksesi, s’do të ishtë gjë tjetër veçse gurë nën rrota për qeverisjen.
DITA
Comments
Ky Kosta mos osht ai ideologu
<p>Ky Kosta mos osht ai ideologu qi vodhi n'Amerike familjarisht?</p>
Add new comment