Një ngjarje mes profesorësh që na kujton “nevojën për të bërë shtet”

Postuar në 08 Dhjetor, 2014 10:55

Hysamedin Feraj shkruan në “Panorama” për një ngjarje që ka ndodhur në Fakultetin e Shkencave Sociale. Feraj thotë se një shkrim i mëhershëm i një profesori të këtij fakulteti, prof. Dr. Aleksandër Kocanit, publikuar po në gazetën “Panorama”, ka provokuar reagimin e kupolës drejtuese, siç e përkufizon Feraj, rektorin Dhori Kule dhe dekanin e fakultetit, Dhori Karaj. Thotë Feraj: “Të sfiduar nga prof. Kocani, ose më saktë të përshkruar si mjerim intelektual e normativ, sipas interpretimit të sjelljes simptomatike mbizotëruese në atë fakultet, “akademikët” e atij fakultetit, nuk patën guximin t’i përgjigjen intelektualisht, por iu përgjigjën administrativisht, burokratisht”. Feraj e ka fjalën, që Kule dhe Karaj, nuk kanë replikuar me Kocanin, në trajtimin e çështjeve që ngre ai, por thjesht i kanë tërhequr vërejtjen nisur nga detyrat drejtuese që kanë. Dhe ka ndodhur, gjithnjë sipas Ferajt, që kupola, ka mbledhur kolektivin e fakultetit, kanë lexuar gazetën me shkrimin e Kocanit, për ta shpallur njëfarësoj si deviacionist në Këshillin e Etikës së Universitetit. Të dy drejtuesit janë në rregull ndoshta me rregullat. Po pikërisht këtu është edhe problemi, pasi, meqë flasim për botën akademike, çështja është morale. Dhe ndoshta morali duhet të ishte rregulli i parë. Mund të vërejmë pra sesi reagimi i atyre që janë “lart” është pothuajse njësoj në çdo fushë: kërbaç për ata që ngrenë zërin. Në parantezë po shtojmë se deri më tani jemi në besë të Ferajt për atë që ka ndodhur realisht, por fakti është se të paktën Kule, hyn tek ata Profesorë dhe zyrtarë të “përjetshëm” në drejtim. Dhe me gjasë reflekset e pushtetit nuk kanë pse të mos veprojnë edhe te kjo elitë të zgjedhurish, që Shqipëria i ka si ujët e pakët.

Ngjarja në fjalë, na çon për analogji në një diskutim shumë të madh, bazuar mbi keqkuptimin paraelektoral, që po zhvillohet aktualisht. Pra se masat që po merr qeveria, edhe kur janë hapur flagrante, në kundërshtim me ligjin, sërish krijojnë një bazë mbështetësish që sjellin si argument nevojën “për të bërë shtet”. Dhe kjo nevojë, që po perceptohet djallëzisht nga ata që drejtojnë, lidhet sa me një kulturë të para viteve ’90, që e kualifikonte shtetin si nevojën primare të qytetarëve, aq edhe me rrëgjimin e madh dhe erozionin thuajse total në zbatimin e ligjit me qeverisjen që shkoi. Kjo sidomos në zgjidhjen e drejtë të disa çështjeve shumë të ndjeshme, si Gërdeci, apo edhe 21 janari. Mirëpo këtu po harrohet se raporti i qytetarit me shtetin nuk mund të jetë ai që kemi përjetuar deri në vitin ‘90, pasi, shteti që mbahet me paratë e qytetarëve, nuk ka sesi të shikohet ende si dominues i lirive tona, por si debitor ndaj tyre, në funksion të rregullimit të punëve dhe interesave të qytetarëve. Dhe këtu vjen në vështrim zbatimi i ligjit, që nuk mund të anashkalohet nga asnjë nismë, asnjë vullnet, qoftë ky edhe më i miri i mundshëm në qëllime. Rruga e vetme që ka një qeveri për të rregulluar punët është zbatimi i ligjit, ose ndryshimi i tij kur e sheh të nevojshme. Të dyja shfaqjet kanë lidhje me njëra-tjetrën, pasi edhe në rastin e gjyqit në fakultet, riprodhohet “nevoja për rregull” si instrument për të parandaluar “kaosin më universitet”. Masa populiste si shkarkimet nga puna, urdhërat administrativë, apo shtrëngimi i sanksioneve, thjesht sa konfirmojnë se ligji është i fundit element në vizionin e qeveritarëve të Shqipërisë. Dhe pse është kështu, pushteti i partive, si bërthama të organizuara, sa vjen dhe është i bërë i kudondodhur, edhe në universitete, aty ku teorikisht do të duhej të merrej në pyetje çdo gjë. Ndaj të mos çuditemi kur një ditë të vijë një qeveri që të marrë në provim edhe ata që sot i njohim për akademikë.

s.z

Comments

Submitted by Elona (not verified) on

<p>Ne fakt, po ta lexojme drejt shkrimin e Ferajt, dhe po te pyesim pedagoget dhe studentet ne Fakultetin e Shkencave Sociale, del se keshilli nuk eshte ngritur per te marre masa administrative, sepse te tilla nuk mund t&#39;i merrte (ka ndodhur vitin e kaluar qe Prof.Feraj te largohet per konferenca, dhe &quot;keshilli&quot; nuk mund te kujtohet pas nje viti, sepse del qe dhe ai vete nuk ka kryer zbatimin e rregullave, pra nuk ka bere dertyren), por eshte ngritur per te marre masa qe te gjithe te mbyllin gojen dhe keshilli te vazhdoje punen, pra t&#39;i beje qejfin vetes dhe interesave.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.