Ambasadori i Rusisë: Ngricë në raportet me Shqipërinë
Më poshtë një intervistë e ambasadrit të Federatës Ruse në Tiranë, Alexey Zaytsev, dhënë për MCN TV/
Pak ditë më parë kancelari i ri i Gjermanisë F.Merz njoftoi se nuk do të ketë më kufizime në furnizimin me armë të Ukrainës dhe përdorimin e tyre. Çfarë do të thotë kjo për rendin europian dhe atë ndërkombëtar?
Përfaqësuesit e “partisë së luftës” në vendet e Perëndimit vazhdojnë përpjekjet e tyre për të nxitur më tej krizën ukrainase. Ashtu si thatë me të drejtë, vazhdojnë furnizimet me armë, rekrutohen mercenarë dhe zhvillohen trajnime të ushtarakëve ukrainas. Siç dihet, prej kohësh janë hequr kufizimet për sulme në thellësi të territorit të Rusisë. Ato kryhen me armë të tilla, si Storm Shadow, Atacms dhe Scalp. Pak kohë më parë, pati një diskutim rreth furnizimeve të mundshme të regjimit të Kievit me raketa Taurus. Në fakt, përfaqësuesit gjermanë i mohuan këto deklarata. Në të njëjtën kohë, qeveria gjermane deklaroi se do t’i ndihmonte ukrainasit të prodhonin vetë këto raketa. Por atëherë lind pyetja, a do të jenë ato të njëjtat raketa, por thjesht nën një “brand” tjetër.
Pak kohë më parë, kreu i fraksionit CDU/CSU në Bundestag, z.J.Spahn propozoi transferimin e kontrollit të armëve bërthamore te Gjermania dhe disa vendeve të tjera. Si mund të ndihmojë kjo në de-përshkallëzimin e konfliktit dhe garantimin e sigurisë rajonale dhe asaj ndërkombëtare? Përgjigja është e qartë.
Sidoqoftë, ne ende shpresojmë që në mendjet e politikanëve evropianë do të triumfojë racionalizmi, një qasje e shëndoshë diplomatike dhe ata do të përpiqen të zgjidhin krizën aktuale, në vend që ta nxisin atë.
Ju lutem dy sqarime, nëse mundeni, për terma që përdoren shpesh nga Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, S.Lavrov: “rusofobia” dhe “Perëndimi kolektiv”. Janë subjekte terminologjike të qëndrimit zyrtar të Rusisë këto dhe çfarë nënkuptohet me to?
Këto terma janë një pasqyrim i realitetit, i situatës në terren. Në fakt, në Evropë prej shumë vitesh tashmë ka pasur një luftë me gjithçka që lidhet me Rusinë. Në veçanti, monumentet e ushtarëve çlirimtarë sovjetikë, të cilët dhanë një numër kolosal jetësh për çlirimin e Evropës nga fashizmi, po shemben. Për këtë janë veçanërisht të “famshëm” një sërë vendesh të Evropës Lindore.
Sportistëve, trajnerëve, gjyqtarëve sportivë rusë u mohohet qasja në aktivitetet sportive ndërkombëtare. Gazetarët rusë gjithashtu hasin shumë probleme në vendet evropiane. Atyre u refuzohet dhënia e vizës, ata dëbohen, nuk u lejohet të marrin pjesë në aktivitete, siç ka ndodhur në Francë dhe Gjermani.
Në vendet baltike, veçanërisht në Estoni dhe Letoni, koncepti i “mosshtetësisë” ruhet ende. Kjo do të thotë që njerëzit që gjithë jetën kanë jetuar në territoret e këtyre republikave, nuk kanë të drejta të plota të shtetësisë. Për fat të keq, ne nuk i dëgjojmë zërat e politikanëve dhe diplomatëve evropianë atje, ku ata duhet të shfaqin mjeshtërinë e tyre diplomatike për të zgjidhur çështje të caktuara të vështira, për të ndihmuar në korrigjimin e padrejtësisë.
Javën e kaluar u botua dhe u paraqit Raporti i Përbashkët i Rusisë dhe i Bjellorusisë mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në vende të caktuara. Çdokush ka akses të lirë për ta parë këtë dokument. Ju rekomandoj të njiheni me të.
Pak ditë më parë zv.kryeministri i Federatës Ruse, Alexey Overchuk fliste në një intervistë për Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, ku aderojnë pesë shtete, detyra e të cilit sipas tij është “ruajtja e trashëgimisë historike të popujve të zonës”. Çfarë synon kjo nismë dhe alternativë e kujt është një opsion i tillë nisur nga fakti se Rusia aderon në BRICS, ka një union me Bjellorusinë? Tingëllon si një politikë mbrojtjeje e ngjashme me kontestimin e përparimit të NATO-s?
Këtë vit ne festojmë 10 vjetorin e krijimit të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik. Ai lindi si një union vullnetar i shteteve sovrane, i cili siguron lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe fuqisë punëtore. Ai rregullon çështje të kontrollit doganor, një sërë çështjesh të tjera të rëndësishme. Popujt e vendeve, që janë pjesë e kësaj organizate, kanë jetuar për shekuj me radhë në këtë rajon dhe janë të bashkuar nga një kulturë dhe histori e përbashkët. Po funksionon një infrastrukturë e unifikuar transporti. Gjuha ruse mbetet gjuha e komunikimit ndëretnik.
Javën e kaluar në Minsk u zhvillua samimi i Bashkimit Ekonomik Euroaziatik. Gjatë 10 viteve të fundit, unioni ka arritur tregues vërtet të mirë. Në këto vite PBB-ja e vendeve anëtare u rrit nga 1,6 trilionë dollarë në 2,6 trilionë dollarë. Rritja e PBB-së në vitet e fundit ishte më e lartë sesa mesatarja botërore dhe ka tejkaluar dukshëm rritjen e PBB-së në vendet e Evropës.
Rusia dhe Bjellorusia kanë një integrim më të thellë për shkak të afrimitetit të popujve tanë. Sa i përket BRICS, ky është një forum global, i cili bashkon 45% të popullsisë së Tokës. Këtu përfshihen vende nga e gjithë bota me popullsi të ndryshme dhe me rrugëtime historike mjaft të ndryshme. Ajo që i bashkon ato është qëllimi për të zgjidhur çështjet përmes bashkëpunimit, konsensusit, negociatave. BRICS shqyrton çështje të ekonomisë, ekologjisë dhe, patjetër, çështjet e sigurisë. Megjithatë, siç ndoshta mund ta kuptoni, asgjë të përbashkët me bllokun ushtarak të NATO-s këto organizata nuk kanë.
Lidhet kjo me perspektivën ekonomike të Arktikut?
Rajoni i Arktikut paraqet një rëndësi të veçantë për ne. E kam fjalën për rezervat e mëdha të burimeve natyrore dhe biodiversitetin unik. Duke pasur parasysh turbulencat në rajone të ndryshme të botës dhe ndryshimet klimatike, Rruga Detare Veriore po bëhet gjithnjë e më e kërkuar. Sigurisht, ne jemi kategorikisht kundër militarizimit të këtij rajoni dhe shfaqjes së çdo blloku ushtarako-politik atje.
Z. Ambasador çfarë përfaqëson Ballkani për Rusinë sot?
Ballkani sot dhe gjithmonë ka përfaqësuar për ne një rajon që shihet me vëmendje të veçantë nga politika e jashtme e Rusisë. Ky është një rajon ndaj të cilit vendi ynë, populli ynë ka ndjenja të veçanta. Ne historikisht kemi mbështetur dhe ndihmuar popujt e Ballkanit në luftën e tyre për pavarësi. Trajtojmë me respekt shtetet e Ballkanit dhe duam të ndërtojmë me ta marrëdhënie, bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë, barazisë sovrane, duke marrë parasysh interesat e ndërsjella.
Ka disa replika të Ambasadës me autoritete shqiptare për dezinformimin. Pse jeni përfshirë në këto polemika?
Sipas të gjitha dokumenteve ndërkombëtare, qytetarët e çdo vendi kanë të drejtë për akses të lirë në informacion. Kjo e drejtë duhet të garantohet nga shtetet. Ne e konsiderojmë të rëndësishme t’ua përcjellim pikëpamjen tonë qytetarëve shqiptarë. Popujt që jetojnë në Ballkan, përfshirë popullin shqiptar, janë mjaft të zgjuar për të kuptuar vetë se çfarë është “e drejtë” dhe çfarë është “e gabuar”. Detyra jonë nuk është të imponojmë diçka, siç bëjnë disa subjekte të tjera, por t’i përcjellim pozicionin tonë publikut vendas. Prandaj, kur shohim ndonjë material, në të cilin akuzohemi padrejtësisht, e konsiderojmë detyrën tonë për të reaguar dhe për të shpjeguar qëndrimin tonë.
Ka disa nisma të qeverisë shqiptare në fushën e mbrojtjes, dispozicion për baza të NATO-s. Ndikon kjo në raportet dypalëshe?
Ne besojmë se NATO-ja, në përgjithësi, nuk kontribuon as në paqe, as në stabilitet. Pasi Bashkimi Sovjetik dhe Traktati i Varshavës pushuan së ekzistuari, NATO, në vend që të rishikonte veprimtarinë e saj, filloi të zgjerohej në Lindje, duke forcuar infrastrukturën e saj ushtarake. Dhe ato probleme që kemi sot si në botë, ashtu edhe në rajone të caktuara dëshmojnë se arkitektura e sigurisë, e cila ka ekzistuar deri tani nën NATO-n, ka dështuar.
Ne nisemi nga nevoja për të krijuar një arkitekturë të përbashkët të sigurisë në Euroazi. Pikërisht këtë synon iniciativa e Presidentit të Rusisë. Kuptimi i saj është që sistemi i sigurisë duhet të jetë gjithëpërfshirës, dhe jo si tani, kur ekziston një klub i “të zgjedhurve” i vendeve anëtare të NATO-s, që bëjnë çfarë të duan.
Keni komunikim me qeverinë shqiptare dhe ku jemi aktualisht me marrëdhëniet dypalëshe?
Për fat të keq, aktualisht kontaktet dhe marrëdhëniet dypalëshe janë praktikisht të ngrira. Qeveria shqiptare u është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së. Këtu përsëri kthehemi te vullneti i “Perëndimit kolektiv”. Fluturimet ajrore me Rusinë janë pezulluar, regjimi pa viza për turistët rusë në verë është anuluar. Ne nuk iniciuam asgjë nga këto.
Sanksionet antiruse dëmtojnë para së gjithash vetë Evropën dhe Ballkanin. Kjo, sipas mendimit tim, është e qartë. Çmimet e energjisë në Evropë janë rritur ndjeshëm. Rritja e PBB-së në vendet evropiane madje zyrtarisht është shumë e vogël. Procesi i deindustrializimit të Evropës është duke u zhvilluar. Domethënë, e gjithë kjo nuk është e dobishme për askënd.
Ka hapësira sipas Jush për të përmirësuar diçka apo për ta thyer këtë akull?
Ne jemi të gatshëm të ndërtojmë marrëdhënie me Shqipërinë, bazuar në konsiderimin e ndërsjellë të interesave dhe respektin për sovranitetin. Sapo udhëheqja e Shqipërisë të jetë gati për këtë, ne do ta shqyrtojmë këtë mundësi.
Në Shqipëri ka një bindje se Serbia është e perkëdhelura e Rusisë. I qëndron së vërtetës një gjë e tillë? Ra në sy vizita e Patriarkut serb në Moskë, p.sh. Cili është në përgjithësi mendimi i Rusisë për projektin e "botës serbe", propozuar vitin e kaluar?
Nuk do të hyj shumë në marrëdhëniet ruso-serbe, pasi unë merrem gjithsesi me Shqipërinë. Ne kemi një Ambasadë të madhe në Beograd, të kryesuar nga një diplomat i shkëlqyer, një person me shumë përvojë. Shkurt, mund të them se me të vërtetë kemi marrëdhënie të veçanta me Serbinë, të kushtëzuara nga afërsia historike, shpirtërore, kulturore, fetare e popujve tanë. Megjithatë, dua të theksoj se Rusia as tani, as më parë nuk i ka ndarë vendet e Ballkanit në të “tonat” dhe të “të tjerëve”, në “të mirat” dhe në “të këqijat”. Rusia dhe populli rus trajtojnë me një ngrohtësi të madhe të gjitha vendet e rajonit.
Sa i përket vizitës së Patriarkut të Serbisë, ajo u mbulua gjerësisht në media. Informacioni përkatës është postuar në gjuhën ruse dhe në gjuhë të huaja, si në faqen e internetit të Presidentit të Rusisë, pasi takime u zhvilluan edhe në Kremlin, ashtu edhe në faqen e internetit të Kishës Ortodokse Ruse. Të gjitha materialet janë të hapura.
Për sa di unë, në Kishën Ortodokse ekziston një traditë që pas fronëzimit, patriarku i sapozgjedhur, kryepeshkopi, viziton krerët e kishave të tjera ortodokse lokale. Kryepiskopi i Tiranës, Durresit dhe gjithë Shqipërisë, Joani, ishte së fundmi në Stamboll. Mendoj se do të ishte shumë mirë, nëse ai do të vizitonte edhe Moskën dhe Kishën Ortodokse Ruse.
Add new comment