Intervista/Shqipëria në arkivat e STASI-t gjermanolindor

Postuar në 30 Nëntor, 2014 14:46

Shqipëria në vështrimin e STASI-t gjermano lindor- ky është thelbi i studimit të politologut gjerman Dr. Helmut Müller-Enbergs, i prezantuar në Athinë më 20 qershor 2013. Enbergs shfrytëzon arkivat e shërbimit sekret të Republikës Demokratike Gjermane, i kthyer në Ministri të Sigurimit të Shtetit e që njihet si ndër agjencitë inteligjente më operative. Për Shqipërinë kjo ka një vlerë madhe, pasi teksa zbardh aktivitetin e zbulimeve të huaja ndaj vendit tonë në vitet e Luftës së Ftohtë, ndër të tjera, e bën më të kuptueshëm atë strukturim shtetëror i cili ishte i angazhuar në një luftë të përhershme me armiqtë. Dokumentet e përfshira në studim, i përkasin kryesisht vitit ’81, moment kyç ky në historinë politike të Shqipërisë; ato flasin për vizitën e Shtrausit, për Enver Hoxhën, Mehmet Shehun dhe Ramiz Alinë. Kryesisht aktiviteti operativ lidhet me politikën. Sipas të dhënave dokumentare, në vitin 1979, mbi Shqipërinë, kreu i STASI-t ka zhvilluar një konsultë edhe me kreun e KGB-së, Andropov, çka sugjeron sinkronizimin e veprimtarisë në drejtim të Shqipërisë. Kjo sidomos në periudhën e miqësisë me Kinën. Në këtë kuadër interesant është fakti se më i informuari për Shqipërinë ishte shërbimi bullgar, më tej ai rus, polak e çek e deri te shërbimet kubaneze dhe mongole. Studimi ka vlerë edhe për arsye të ngjashmërisë së praktikave në vendet lindore, ku shërbimet sekrete luajtën rol në proceset e transformimit politik. Së fundmi, këtë intervistë, marrë  Dr. Helmut Müller Enbergs në qershor të vitit 2013, për gazetën “Impakt”, po e sjellim edhe pse debati për hapjen e dosjeve ka dalë sërish në sipërfaqe(studimi mund të lexohet këtu: http://impakt.al/?p=1538). Debat që po lë jashtë vëmendjes hapjen e dosjeve për njerëz të implikuar me shërbimet e huaja, që siç mund të vërehet kanë qenë aktive.

 

“Në Shqipëri, Ministria dispononte më shumë se një Rezidenturë inteligjente në Ambasadën e RDGJ-së. Përveç kësaj udhëtonin bashkëpunëtorë informalë të Ministrisë në Shqipëri, të cilët kamufloheshin si udhëtarë për punë, si turistë dhe si shkencëtarë. Rezidentura, para së gjithash, i kushtonte shumë vëmendje një “Heinzi”(spiuni). Nga këta njerëz, nga viti 1981-1987 vijnë gjithsej 80 informacione, ku mbi të gjitha në mbikëqyrje mbahet zhvillimi politik i Shqipërisë dhe PPSH-së. Veçanërisht ato vinin re përpjekjet e ndryshme informative kundrejt administratës së huaj. Numërohen edhe “Heinz” të tjerë me më pak rëndësi si “Kugel”, që prej vitit 1982, “Bero” që prej 1986 dhe “Wenzel” që prej 1980-ës, të cilët u zhdukën në terren. Përveç kësaj është për t’u përmendur “Jan” që prej vitit 1981, me 17 informacione, i cili nga viti 1984 kontribuoi me informacione, nga Ministria e Jashtme dhe e Brendshme e Shqipërisë”.

 

“KGB-ja dhe STASI shkëmbenin informacione dhe të dhëna mbi aktivitetin e tyre kundrejt Shqipërisë. Është dokumentuar në Moskë një takim në vitin 1964 dhe një tjetër takim në Korrik të vitit 1967, ku në thelb qëndronte marrëdhënia e Kinës me Shqipërinë, sidomos bashkëpunimi ushtarak midis tyre.  E dokumentuar është gjithashtu se kreu i KGB-së, Juri Andropov, në Korrik të vitit 1979 është konsultuar me kreun e MSSH-së për gjendjen e Shqipërisë. Të dhëna si këto ka edhe për vitet 80’”

 

STASI dhe Shqipëria; si lindi ideja për këtë kërkim?

Ministria gjermano-lindore për Sigurimin e Shtetit punonte në RDGJ në mënyrë mjaft operacionale. Nga 198.000 mijë bashkëpunëtorë informalë, rreth 194.000 ishin qytetarë gjermano-lindorë, plot 3.000 ishin qytetarë federalë dhe gjithë të tjerët ishin qytetarë me kombësi të huaj. Megjithatë ministria interesohej politikisht për të gjitha proceset, të cilat ndikoheshin nga çdo formë e RDGJ-së, Evropës Lindore ose Bashkimit Sovjetik. Këtu në fakt bënte pjesë Shqipëria, e cila për arsye ideologjike kishte një rëndësi shumë të madhe, madje më të madhe edhe se vendet që për nga madhësia ia kalonin asaj. Ideja për Shqipërinë erdhi sepse u studiua roli i Ministrisë për Sigurimin e Shtetit në të gjitha shtetet evropiane. Prezantimi i rezultateve të hulumtimit bëhet përmes Shoqatës Ndërkombëtare të Inteligjencës Historike (IIHA), së cilës i dedikohet konferenca e saj e “Inteligjencës në Mesdhe dhe në Ballkan”. (Athinë, qershor 2013).

Cilën periudhë përfshin studimi juaj dhe a mund të bëni një kategorizim të informacionit të hulumtuar që i adresohet Shqipërisë?

Veprimtari informative nga ana e Ministrisë për Sigurimin e Shtetit(STASI) kishte me siguri që në momentin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve. Por veprimtaritë e Ambasadës së RDGJ-së në Tiranë dokumentohen pikërisht që nga shkurti i vitit 1981, ku 127 informacionet me natyrë politike dhe ushtarake mund të vlerësohen si një kontribut i Rezidenturës.  Spektri substancial ishte i gjerë dhe tregonte një sërë pikash kryesore. Qëndronte në qendër sidomos elita politike. Si për shembull i interesonte gjendja shëndetësore e Diktatorit 73 vjeçar, Sekretarit të Parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha në vitin 1981, por edhe vetëvrasja e kryeministrit shumëvjeçar Mehmet Shehu në Dhjetor të vitit 1981 ose së fundmi, pasuesi i Hoxhës në vitin 1985, Ramiz Alia. Një fokus mjaft të rëndësishëm në krijimin e informacionit, formonin sidomos edhe marrëdhëniet e Politikës së Jashtme të Shqipërisë me Kinën, por gjithashtu edhe me Jugosllavinë dhe natyrisht edhe me Bashkimin Sovjetik. Me shumë kujdes, Administrata e Shërbimeve Informative të Huaja (ASHIH) regjistronte gjithashtu edhe vizitën treditore të kryeministrit bavarez Franz Josef Strauß në Shqipëri si edhe anasjelltas, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Republikën Federale të Gjermanisë në vitin 1988 dhe lidhur me këtë edhe vizitën, me ndalesë në Bonn, të Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Reis Malile. Si rrjedhim Shqipëria sinjalizonte hapjen me Republikën Federale të Gjermanisë, së cilës në RDGJ iu kushtua kujdes në vazhdim, e si pasojë u nënshkruan edhe marrëveshje ekonomike. Rezidentura bëri gjithashtu kujdes edhe për përpjekjet inteligjente kundër Përfaqësimit të Jashtëm të RDGJ-së në Tiranë. U regjistruan veprimtari të Inteligjencës franceze, “Direction Générale de la Sécurité Extérieure” (DGSE), dhe mbi të gjitha të Inteligjencës shqiptare. Prej mbledhjes së informacionit nga Rezidentura në Shqipëri, përfitoi në të vërtetë edhe KGB-ja (122 nga 127 informacione), por aspak udhëheqja e SED ose Ministria e Punëve të Jashtme. Nuk është i mundur informacioni i plotë, pasi Ministria për Sigurimin e Shtetit ka asgjësuar dokumentet më të rëndësishme.

Sa i pranishëm ka qenë STASI në Shqipëri dhe cilat ishin interesat e Gjermanisë Lindore në drejtim të vendit të vogël ballkanik?

Kishte forma të shumëllojshme të veprimtarive inteligjente të Ministrisë për Sigurimin e Shtetit në lidhje me Shqipërinë. Në Shqipëri, Ministria dispononte më shumë se një Rezidenturë inteligjente në Ambasadën e RDGJ-së. Përveç kësaj udhëtonin bashkëpunëtorë informalë të Ministrisë në Shqipëri, të cilët kamufloheshin si udhëtarë për punë, si turistë dhe si shkencëtarë. Rezidentura, para së gjithash, i kushtonte shumë vëmendje një “Heinzi”(spiuni). Nga këta njerëz, nga viti 1981-1987 vijnë gjithsej 80 informacione, ku mbi të gjitha në mbikëqyrje mbahet zhvillimi politik i Shqipërisë dhe PPSH-së. Veçanërisht ato vinin re përpjekjet e ndryshme informative kundrejt administratës së huaj. Numërohen edhe “Heinz” të tjerë me më pak rëndësi si “Kugel”, që prej vitit 1982, “Bero” që prej 1986 dhe “Wenzel” që prej 1980-ës, të cilët u zhdukën në terren. Përveç kësaj është për t’u përmendur “Jan” që prej vitit 1981, me 17 informacione, i cili nga viti 1984 kontribuoi me informacione, nga Ministria e Jashtme dhe e Brendshme e Shqipërisë. Për informacione të tjera rastësore bëhej fjalë edhe për teknikë elektrikë ose inxhinierë të infiltruar, të cilët siç duket kanë qenë gjithmonë në gatishmëri në çdo vend. Nuk mund të vlerësohet si me rëndësi të veçantë Rezidentura për Spiunazhin e Huaj të Ministrisë, sepse vetëm gjashtë informacione do të konsiderohen si të vlefshme.

Ju përmendni edhe faktin se ambasada shqiptare në Berlinin Lindor ishte e monitoruar rreptësisht. Janë publikuar disa dokumente për një nga këto raste, që ka qenë panairi i librit në Lajpcig të vitit 1974 lidhur me propagandën dhe prapavijën kineze që qëndronte pas Shqipërisë. Ka fakte të reja që flasin për këtë lloj spiunazhi në rrafshin politik, apo hulumtimi zbulon edhe fusha të tjera të veprimtarisë agjenturore?

Faktikisht Ambasada Shqiptare në RDGJ instruktohej sistematikisht, pasi për më tepër përpiqej të krijonte ndikim jo vetëm me organizatat e miqësuara si Partitë Komuniste- të quajtura grupet K- por edhe me lidhjet miqësore gjermano-shqiptare. Lidhur me këtë survejoheshin të gjithë punonjësit dhe anëtarët e Ambasadës Shqiptare dhe analizohej sjellja e tyre. Natyrisht që anëtarët e Ambasadës Shqiptare merrnin pjesë në eventet e rëndësishme, në të cilat sigurisht bënte pjesë edhe Panairi i Lajpcigut dhe Panairi i librit po në të njëjtin vend. Atje, ata ishin gjithnjë në mbikëqyrje të Ministrisë. Natyrisht në panairin e librit i vihej shumë rëndësi stendave me libra të Kinës, meqë mbikëqyrej edhe me shumë kujdes propaganda dhe ndikimi i saj në RDGJ.

Ka patur koordinim mes STASI-t dhe shërbimeve të tjera Lindore(nëse dokumentacioni e dëshmon një gjë të tillë) apo edhe KGB-së në drejtim të Shqipërisë?

Jam i mendimit se puna operative kundër Shqipërisë brenda shteteve evropiano-lindore, pra RDGJ-së dhe Bashkimit Sovjetik, ishte e sinkronizuar. Lidhur me këtë flasin dy vrojtime:

Së pari: KGB-ja dhe STASI shkëmbenin informacione dhe të dhëna mbi aktivitetin e tyre kundrejt Shqipërisë. Është dokumentuar në Moskë një takim në vitin 1964 dhe një tjetër takim në Korrik të vitit 1967, ku në thelb qëndronte marrëdhënia e Kinës me Shqipërinë, sidomos bashkëpunimi ushtarak midis tyre.  E dokumentuar është gjithashtu se kreu i KGB-së, Juri Andropov, në Korrik të vitit 1979 është konsultuar me kreun e MSSH-së për gjendjen e Shqipërisë. Të dhëna si këto ka edhe për vitet 80’.

Së dyti: Ministria merrte informacione nga organet e saj simotra mbi Shqipërinë. Deri më tani janë dokumentuar  340 nga 869 informacione, që Shërbimet Informative të Huaja të Ministrisë për Sigurimin e Shtetit morën nga viti 1969 deri në 1989, të cilat lidheshin me çështjet politike dhe ushtarake të Shqipërisë, kryesisht nga “organet simotra”, çka përbën rreth 40% të shumës totale. Kështu para së gjithash, Shërbimi Informativ Bullgar dorëzoi 168 informacione, ai sovjetik 82, ai çek 43, Shërbimi informativ Hungarez 23, ai polak 22 dhe vetë Shërbimi Kuban si dhe ai Mongolez, secili nga një informacion lidhur me Shqipërinë. Kjo do të thotë që para së gjithash Shërbimi Informativ Bullgar kishte akses në Shqipëri, ndërsa ai sovjetik dhe hungarez, ishin të orientuar shumë më dobët. Megjithatë u llogaritën para së gjithash informacionet e Shërbimeve evropiano- lindore dhe RDGJ-së lidhur me KGB-në.

Në vitet ’80 nga Tirana ka patur një përpjekje për hapje me Gjermaninë Federale që solli në Shqipëri edhe kreun e landit bavarez Shtraus. A pasqyrohet ky fakt në dosjet dokumentare të STAS-it?

Politika e hapjes së Shqipërisë me Republikën Federale Gjermane u regjistrua dhe u analizua me shumë vigjilencë nga Ministria. Nisem nga supozimi se ky zhvillim ka frymëzuar edhe RDGJ-në për të përmirësuar marrëdhëniet e saj me Shqipërinë. Shtoj se nuk janë dorëzuar shumë informacione për sa i përket këtij fakti, në kohën kur dokumentet e STASI-t përmbajnë dëshmi lidhur me këtë.

Z. Enbergs, sa të përfshira kanë qenë shërbimet sekrete lindore, përfshirë STASI-n në administrimin e proceseve reformuese që zënë fill me “Solidarnos” dhe që kulmojnë me bashkimin e dy Gjermanive. Pyetja lidhet me mitin e asaj që në Shqipëri njihet si platforma e Katovicës, e që përkufizohet prej shumëkujt si baza komanduese e tranzicionit?

Informacione të sakta, në rastin më të mirë, mund të jenë krijuar nga Ministria për Sigurimin e Shtetit të RDGJ-së.  Atje tregohej se ministria mundohej të ishte e pranishme në këto procese nëpërmjet bashkëpunëtorëve informalë, pjesërisht për të qenë plotësisht e informuar dhe pjesërisht për të patur, siç ka gjasa, ndikim politik. Në kuadrin e përpunimit tregohej se bashkëpunëtorët zyrtarë kanë marrë edhe funksione të shquara. Lihet gjithashtu të thuhet se për transformimin e RDGJ-së kanë marrë pjesë bashkëpunëtorë krejtësisht informalë të ministrisë për Sigurimin e Shtetit.

Çfarë ndikimi mund të ketë ky studim në fazën aktuale të zhvillimit të Shqipërisë?

Ne jemi të mendimit se dokumentet e STASI-t si edhe gjithashtu akte të tjera kontribuuan për të kuptuar më mirë historinë. Unë supozoj se kjo nuk vlen vetëm për Gjermaninë, por edhe për Shqipërinë. Në Gjermani dokumentet e STASI-t kanë shërbyer për të shoqëruar ndryshimin e elitës në RDGJ-në e atëhershme. Përveç kësaj dokumentet e STASI-t ofrojnë potencialin dhe mitet për të demaskuar punën që ka formuar spiunazhi i RDGJ-së dhe punën e Ministrisë për Sigurimin e Shtetit. Ministria në vitet e hershme ishte një organ shtypës e më pas u nënrendit si një organ informimi. Që prej viteve 1960 ishte thelbësisht një organ informimi, e cila u përpoq në heshtje dhe në mënyrë të padukshme të drejtojë dhe të shtypë. Nuk e përjashtoj edhe faktin se kjo mund të vlente edhe për Shqipërinë, prandaj eksperiencat në Gjermani mund të ishin të dobishme dhe interesante, për të vështruar drejt e në sy historinë e pafshehur dhe të vërtetë e për të kontribuuar në të mirën e vendit.

Intervistoi: Skerdilajd Zaimi

Përktheu: Anis Mançellari

 

Kush është Helmut Müller-Enbergs

 

 

Helmut Müller-Enbergs është një politolog gjerman i cili që prej vitit 2010 është anëtar i përzgjedhur i komisionit për verifikimin e deputetëve të Landit të Brandenburgut mbi bashkëpunim e tyre me STASI-n. Ai ka përfunduar studimet në vitet 1986 – 1989 për Politologji si fillim në Universitetin e Münsterit e më pas në Institutin “Otto Suhr” të Universitetit të Lirë të Berlinit. Nga 1986-1989 ishte asistent studentor dhe më pas bashkëpunëtor shkencor në Institutin qëndror për Studimin e Shkencave Shoqërore në Universitetin e Lirë të Berlinit, dhe njëkohësisht nga 1990 – 1992, zëdhënës i fraksionit “Bündnis 90” në Landin e Brandenburgut. Fokusi i tij shkencor është studimi i dokumenteve për bashkëpunëtorët informalë dhe Shërbimi Informativ i Huaj i Ministrisë për Sigurimin e Shtetit si edhe Spiunazhi e Psikologjia e Sigurimit. Në vitin 2007 ai u promovua nga Eckhard Jesse si doktor dhe filozof. Në vitin 2007-08 ishte i ftuar si shkencëtar në universitetin e Michiganit dhe që prej 2010 është atje profesor me honorar; në vitin 2008-2009 në Fakultetin e Historisë në Högskolan på Gotland në Visby të Suedisë, ku gjithashtu që prej vitit 2012 punon si profesor me honorar. Në publikimet e tij, i ndihmuar edhe nga Cornelia Jabs, ai ka zbuluar shumë anëtarë të Partisë Socialiste të Unitetit të Gjermanisë, një ndër to është edhe Karl-Heinz Kurras si edhe bashkëpunëtori informal i STASI-t, Otto Bohl.

 

Shkrimet kryesore:

Kush ishte kush në RDGJ? Një enciklopedi bibliografike. 2146 biografi për historinë e RDGJ-së.

Bündnis 90. Lindja – Zhvillimi – Perspektivat. Berlin 1992

Çfarë kërkon Lëvizja e qytetarëve? Augsburg 1993

Fytyra e Perëndimit për… Spiunazhin e RDGJ-së kundër Republikës Federale Gjermane. Bremen 2003

Majtas dhe Djathtas Demokracisë. Ekstremistët në zgjedhjet e Landtagut 2004. Potsdam 2004

Shkolla e Shërbimit Informativ. Kursi i parë i shkollës së Institutit për studimin ekonomiko-shkencor. Berlin 2006.

Bashkëpunëtorët informalë. Berlin 2008

  

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.